Mjeksia-Grup
Faliminderit per viziten!

Nese keni deshire qe te i lexoni te gjitha seksionet e forumit ju sygjerojm qe te regjistroheni, seksionet te cilat nuk mund te i leconi pa u regjistruar jane: Prodhime Tona, Libra Shqipë, Libra te huaj, Seminare Mjeksore, Teste te Provimeve etj. Andaj behu pjese e jona, regjistrimi juaj ndihm per dike.

Me rrespekt Saffi i M-G


Www.Mjeksia-Grup.tk
Www.Mjeksia-Grup.com
Www.Mjeksia-Grup.forumotion.com



Mjeksia-Grup


Share | 
 

 Të parandalosh, më mirë se të trajtosh

Shko poshtë 
AutoriMesazh
dr.FjoollaaH™
WebMaster
WebMaster
avatar

<b>Postime</b> Postime : 9044

MesazhTitulli: Të parandalosh, më mirë se të trajtosh    Tue Aug 23, 2011 10:32 am

Rregulli i artë në sëmundjet ishemike të zemrës.Nga Dr. Blendi Horjeti
Kardiolog
Shef i Kardiologjisë
Spitali Amerikan


Parandalimi parësor i sëmundjes ishemike të zemrës

Sëmundja ishemike e zemrës mbetet sot shkaku kryesor i vdekshmërisë
dhe sëmundshmërisë në popullatë në të gjithë botën. Ateroskleroza është
një sëmundje që fillimet e saj i ka që nga dekada e dytë e jetës dhe
përparon në mënyrë të heshtur, të vazhdueshme dhe të pandalshme drejt
bllokimit ose edhe mbylljes së arterieve koronare, të cilat janë
përgjegjëse për furnizimin me gjak të zemrës. Bazuar në literaturë,
sëmundja aterosklerotike duhet të shfaqë shenjat e para, rreth moshës 55
vjeç tek meshkujt. Rreziku i prekjes nga sëmundja ishemike tek femrat
barazohet me atë të meshkujve pas moshës 60 – 65 vjeç apo pas periudhës
së menopauzës. Shfaqja e saj mund të jetë në formën e anginës së
kraharorit, ndjenja e shtrëngimit në gjoks që provokohet nga sforcimet
fizike p.sh. kur ngjisim shkallët e pallatit apo kur nxitojmë në rrugë,
pragu i shpërthimit të së cilës ulet në mënyrë progresive ose në formën e
krizës së zemrës apo infarktit të miokardit, një situatë kjo shumë e
rrezikshme për jetën. Në rreth 30% të rasteve sëmundja ishemike
zhvillohet në mënyrë të heshtur dhe pacienti nuk është i vetëdijshëm për
praninë e sëmundjes që çon deri në dëmtime të rënda e të parikthyeshme
të zemrës. Në disa raste shfaqja e sëmundjes ishemike është në formën e
vdekjes së papritur, e cila nuk paraprihet nga ankesa apo histori për
sëmundje të njohura të zemrës dhe i ngjan një “shkreptimë në qiell të
hapur”.

Përpjekje të vazhdueshme janë bërë dhe vazhdojnë të bëhen në drejtim
të trajtimit sa më të përshtatshëm të sëmundjes ishemike të zemrës si në
fazën akute ashtu edhe në trajtimin kronik të saj. Trajtimi
medikamentoz bazuar në të dhënat e studimeve të gjëra tashmë është
kthyer në formën e formulave të sakta në lidhje më efektet e
menjëhershme dhe përfitimet në kohë. Kirurgjia nëpërmjet bypass-it
aortokoronar vazhdon të jetë tepër e efektshme në trajtimin e sëmundjes
ishemike të zemrës me rezultate të padiskutueshme në përmirësimin e
cilësisë së jetës së pacientëve si dhe në zgjatjen e saj. Ndërhyrja
perkutane me balon dhe sidomos stentet kanë bërë një revolucion të
padiskutueshëm në trajtimin kryesisht të krizës së zemrës në fazat më të
nxehta të saj, duke sjellë një ulje të rëndësishme të vdekshmërisë dhe
invalidizimit në popullatë.

Më mirë të parandalosh sesa të trajtosh

Afro gjysma e vdekjeve kardiovaskulare ndodhin në mënyrë të papritur
duke e bërë të pamundur trajtimin e sëmundjes kardiovaskulare.

Parandalimi është një detyrim për shëndetin e zemrës. Studimi i
Framinghamit ishte studimi më i madh i organizuar në SHBA, me qëllim që
të zbulonte faktorë dhe zakone të jetës së përditshme që ndikonin në
shfaqjen e sëmundjeve kardiovaskulare. Këta faktorë të cilët tashmë jemi
familjarizuar ti quajmë si “faktorë të rrezikut kardiovaskular” janë të
shumtë. Disa prej tyre si mosha, gjinia apo predispozicioni gjenetik
familjar janë të pamodifikueshëm, por ndërhyrja për modifikimin e
shumicës së faktorëve të tjerë madhorë do të ishte shumë e efektshme.
Këtu duhet të përmendim ndalimin e duhanpirjes, mbajtjen e presionit
arterial brenda vlerave normale, kontrollimin e vlerave të sheqerit në
gjak, uljen e nivelit të yndyrnave, kontrollimin e peshës trupore
nëpërmjet ushqimit të shëndetshëm apo aktivitetit fizik të vazhdueshëm
etj.

OBSH vlerëson se vdekshmëria dhe sëmundshmëria kardiovaskulare do të
mund të ulej mbi 50%, vetëm duke kombinuar këto përpjekje të thjeshta.

Shumica e njerëzve nuk e dinë se sa të rrezikuar janë.

Gjatë këtyre viteve, mjekët kardiologë kanë përdorur një matje të
quajtur “shkalla e rrezikut sipas Framingham-it” (Framingham risk score)
për të vlerësuar mundësinë e një personi për të pësuar një krizë të
zemrës (infarkt miokardi) gjatë 10 viteve të ardhshëm. Përllogaritja e
rrezikut bazohet në disa të dhëna si mosha, vlerat e presionit arterial,
niveli i kolesterolit në gjak dhe përdorimit ose jo të duhanit. Pas
përllogaritjes së rrezikut, popullata klasifikohet me rrezik të ulët (më
pak se 10% rrezik për të pësuar krizë të zemrës në 10 vitet e
ardhshme), rrezik mesatar (10-20% rrezik) dhe rrezik të lartë (mbi 20%
rrezik). Përjashtim përbëjnë pacientët me sëmundje të njohur të
arterieve koronare apo me sëmundjen e diabetit të sheqerit, të cilët
klasifikohen menjëherë si persona me rrezik të lartë kardiovaskular.

Personat në rrezik, sidomos ata me rrezik të lartë kardiovaskular,
duhet të kenë takime të rregullta, të paktën një herë në vit me mjekun e
tyre kardiolog. Zakonisht vizita ka të bëjë me marrjen e një historie
të shkurtër mbi simptomat apo shenjat e mundshme, mbi praninë e
faktorëve të rrezikut dhe efektin e masave të marra për kontrollimin e
tyre.

- Çdo herë pacienti pyetet në lidhje me përdorimin e duhanit. Duhani
përmban më shumë se 4800 substanca kimike, shumica e të cilave dëmtojnë
zemrën dhe enët e gjakut, duke shkaktuar aterosklerozën. Edhe e
ashtuquajtura “duhanpirja sociale” që nënkupton pirjen e duhanit vetëm
në bare apo restorante me miqtë është e dëmshme. Gjithsesi lajm i mirë
është fakti se pas lënies së duhanit, rreziku për sëmundje të zemrës
ulet ndjeshëm pas 1 viti. Lënia e duhanit shpesh është një proçes i
vështirë. Mjeku do t’ju këshillojë programe specifike dhe mënyra
ndihmëse për të lehtësuar këtë proçes.

- Presioni arterial është një nga parametrat më të rëndësishëm të
matur gjatë kontrolleve periodike të zemrës. Hipertensioni arterial
është quajtur ndryshe “vrasësi i heshtur”, pasi dëmton ndër vite pa
shkaktuar simptoma. Një në tre të rritur vuan nga hipertensioni arterial
dhe 20 % e tyre nuk janë në dijeni për këtë. Nga pacientët e
diagnostikuar me hipertension arterial afro 70% mjekohen dhe vetëm 45% e
tyre i kanë vlerat e presionit arterial të kontrolluara. Vlerat normale
janë më pak se 130 mmHg për presionin sistolik dhe më pak se 80 mmHg
për presionin diastolik. Nëse hipertensioni arterial është prezent,
ndërhyrja e mjekut për normalizimin e tij me anë të modifikimit të
stilit të jetës apo edhe përdorimit të medikamenteve është vendimtare.

- Të gjithë duhet të njohin nivelin e yndyrnave (kolesterolit dhe
fraksioneve te tij) në gjakun e tyre. Kolesteroli në trup ka dy burime.
75% e tij prodhohet nga trupi dhe 25% merret nëpërmjet ushqimit.
LDL-kolesteroli ose “kolesteroli i keq” është një nga përbërësit
kryesorë të pllakave të aterosklerozës, ndërsa HDL-kolesteroli duke qenë
se ka aftësi mbrojtëse quhet edhe “kolesteroli i mirë”. Trigliceridet
janë një lloj yndyrnash, rritja e të cilave në shumicën e rasteve
nënkupton marrje të tepruar kalorish nëpërmjet dietës. Matja periodike e
yndyrnave është e detyrueshme. Nëse niveli i kolesterolit ose
fraksioneve të tjera do të rezultonte i lartë, atëherë do të ishte e
nevojshme këshilla e mjekut mbi mënyrën e ushqyerjes dhe stilin e jetës
dhe nëse këto do të ishin të pamjaftueshme, përshkrimi i medikamenteve
që normalizojnë profilin lipidik do të ishte i domosdoshëm.

Gjatë vizitës maten pesha e trupit, perimetri i belit dhe
përllogaritet BMI-ja (indeksi i peshës trupore), parametër i cili
vlerëson peshën e trupit sipas gjatësisë. Këto të dhëna e ndihmojnë
mjekun të vlerësojë nëse ju jeni mbipeshë dhe në këtë rast të
rekomandojë një program të kombinuar diete specifike me kalorazh të ulët
dhe aktiviteti fizik. Ruajta e peshës ideale bazohet në balancimin e
ushqyerjes së shëndetshme me shpenzimet energjetike të trupit gjatë
aktivitetit fizik.

Personat diabetikë janë 2 deri 4 herë më të rrezikuar për sëmundje të
zemrës se ata pa diabet. Matja në mënyrë të rregullt e glicemisë ose e
sheqerit në gjak bën të mundur diagnostikimin e diabetit të sheqerit që
në fillesat e tij. Hemoglobina e glukozuar ose HBA1C është një analizë
gjaku, e cila na jep panoramën e sheqerit në gjak gjatë 3 muajve të
fundit. Kjo na ndihmon nga njëra anë për diagnostikimin e hershëm të
sëmundjes dhe nga ana tjetër për monitorimin e efikasitetit të trajtimit
të saj. Kontrolli i rreptë i nivelit të sheqerit në gjak ngadalëson
përparimin e komplikacioneve të diabetit.

Kryerja periodike e ekzaminimeve diagnostikuese jo invasive si
elektrokardiograma, ekokardiografia apo prova ushtrimore do të zbulonte
praninë e sëmundjes aterosklerotike të zemrës në fazat e hershme të saj
dhe do të bënte që trajtimi i saj të ishte sa më i efektshëm. Prova
ushtrimore na jep informacion të detajuar se si e përballon zemra juaj
aktivitetin fizik. Gjatë aktivitetit fizik, trupi punon më fort dhe ka
nevojë për më tepër oksigjen kështu dhe zemra duhet të pompojë më tepër
gjak. Në prani të ngushtimeve të arterieve koronare, furnizimi me gjak i
zemrës është i pamjafueshëm për të përballuar nevojat, gjë që
pasqyrohet gjatë provës ushtrimore. Aftësia ushtrimore që tregon
pacienti, na jep të dhëna parashikuese në lidhje me rrezikun e
vdekshmërisë së pacientit në të ardhmen, pavarësisht shkakut. Nga ana
tjetër, nëpërmjet provës ushtrimore ne mund të planifikojmë aktivitetin
fizik në jetën e përditshme të pacientëve.

Një ekzaminim i ri dhe me prespektivë në zbulimin e pranisë së
aterosklerozës dhe në përllogaritjen e rrezikut të saj është matja e
sasisë së kalçiumit në arteriet koronare ose Calcium Score koronar.
Depozitat e kalçiumit në arteriet koronare janë përbërëse të pllakave të
aterosklerozës. Përllogaritja e sasisë së kalçifikimeve në arteriet
koronare na tregon për praninë ose jo të aterosklerozës dhe shkallën e
saj. Ky ekzaminim realizohet nëpërmjet skanerit të zemrës, një proçedurë
e thjeshtë dhe që zgjat vetëm pak minuta.

Vitet e fundit, studiuesit, përveç vlerësimit të faktorëve klasikë të
rrezikut të aterosklerozës kanë sugjeruar edhe metoda të tjera për
përmirësimin e screening-ut të zemrës. Disa analiza si proteina C
reactive apo homocisteina po përdoren gjithnjë e më tepër për vlerësimin
e rrezikut kardiovaskular. Proteina C reaktive (CRP) përbën një shënues
të inflamacionit në trup dhe mendohet se luan rol në grumbullimin e
pllakave te aterosklerozës. Matja e CRP kryhet në gjak dhe prania e
niveleve të rritura drejton mjekun në metoda më agresive për pakësimin e
rrezikut. Homocisteina është një aminoacid, prania e të cilit lidhet me
rritje të rrezikut për sëmundje të arterieve koronare. Studiuesit
sugjerojnë se nivele të larta të homocisteinës kontribuojnë në sëmundjen
e arterieve koronare, nëpërmjet dëmtimit të murit të arterieve dhe
favorizimit të krijimit të trombeve.


- Reduktimi i ngarkesës së faktorëve
të rrezikut përpara moshës 50 vjeç, do të ulte në mënyrë të ndjeshme
rrezikun për sëmundje të zemrës. Nëse do të arrinim të zhduknim
plotësisht sëmundjet kardiovaskulare, jetëgjatësia mesatare në botë do
të shtohej me të paktën mbi 7 vjet.




- Asnjëherë nuk është vonë për të
gjithë ju, që të bëni zgjedhje më të mira për shëndetin. Për këtë ju
ftojmë që të merrni një vendim të ri për jetën tuaj. Kjo është edhe
arsyeja, pse në Spitalin Amerikan ne krijuam programet e kontrollit të
zemrës. Qëllimi ynë është që të parandalojmë sëmundjen e zemrës përpara
se ajo të fillojë. Plani ynë i veprimit synon që çdo pacient të njohë
gjendjen e tij shëndetësore dhe të edukohet mbi mënyrat e shëndetshme të
jetesës.

_______________________
L.VETEVENDOSJE!
Feja e Shqiptarit është Shqiptaria
Mbrapsht në krye Shko poshtë
http://www.mjeksia-grup.tk
 
Të parandalosh, më mirë se të trajtosh
Mbrapsht në krye 
Faqja 1 e 1
 Similar topics
-
» Tmerri i së mirës!
» A është kërkimi për jashtëtokësorët ide aq e mirë
» Këshilla për gjumë të mirë
» Fjetja dhe shëndeti i mirë
» Për një gjumë më të mirë

Drejtat e ktij Forumit:Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi
Mjeksia-Grup :: Kendi i Lajmeve :: Tema e Javës-
Kërce tek: