Prishtinë, 15 nëntor - Drilon Hajrizi, Muhamed Thaçi e Fikret Hanxhiq nuk e shpëtuan dot Trepçën prej humbjes nga Sigal Prishtina, të dielën mbrëma, në derbin e javës së pestë të Superligës të zhvilluar në Prishtinë. Megjithatë, edhe basketbollistët e Sigal Prishtinës u desh të djersiteshin shumë për të siguruar fitoren me rezultatin e ngushtë 91:89 dhe kjo vetëm pas pesë minutave vazhdim. Koha e rregullt u mbyll 78:78.
Në të vërtetë, Trepça angazhoi Thaçin e Hajrizin për vetëm këtë ndeshje si dhe Hanxhiqin që ishte jashtë Kosovës, por as këto lëvizje nuk dhanë fryt.
Hajrizi ishte më efikasi te Trepça me 35 pikë, kurse Thaçi shtoi 14 të tjera, derisa Hanxhiq u ndal në vetëm tri pikë.
Për Trepçën kjo është humbja e tretë këtë edicion, pasi më herët ka pësuar edhe nga Bambi e Peja.
"Luajtëm shumë mirë, sidomos në dy çerekët e fundit, pasi në dy të parët kishim një ngërç duke pasur parasysh se kjo ishte loja e parë jona. Trepça ka basketbollistë të rinj dhe shpresoj që në ndeshjet e ardhshme do t'u kthehet fitoreve", tha Hajrizi, që këtë javë do të kthehet në Turqi. Ai, pos 35 pikëve, regjistroi edhe 15 kërcime.
Te Sigal Prishtina më efikasi ishte Edmond Azemi me 23 pikë të shënuara. Atij në ndihmë i dolën edhe Fisnik e Granit Rugova, përkatësisht me 15 dhe 14 pikë.
"Ishte një derbi i vërtetë dhe Trepça luajti mirë, në veçanti gjatë dy çerekëve të fundit. Ne arritëm të riktheheshim në lojë dhe të fitonim, por megjithatë, nuk jam i kënaqur me lojën tonë dhe pres që ajo të përmirësohet në ndeshjet e tjera", tha kapiteni Azemi. Basketbollistët e Sigal Prishtinës ishin dominues gjatë dy çerekëve të parë, duke lejuar Trepçën vetëm njëherë të shijonte epërsinë - 2:0 me pikët e Hajrizit. Ata madje krijuan edhe epërsi prej 17 pikëve (36:19) me anë të Fisnik Rugovës në minutën e pestë të çerekut të dytë.
S. Prishtina - Trepça 91:89 (18:14; 26:16; 11:21; 23:27; 13:11)
S. Prishtina: E. Azemi 23, Dili, Bingjia 2, Spaqi 5, Bihina, G. Rugova 14, Breca 7, Podvorica 7, Veseli 13, F. Rugova 15, Sinani 5.
Trepça: Tahiri 12, Selmani, Haxhiu 7, Mustafa, Veseli, Thaçi 14, Hajra, Asllani 8, Hajrizi 35, Hangjiq 3, B. Azemi 10, Prekazi.
Bambi nuk ka të ndalur
Basketbollistët e Bambit kanë regjistruar edhe fitoren e katërt në po aq ndeshje të zhvilluara. Skuadra nga veriu i Mitrovicës, të dielën në javën e pestë të Superligës mposhti Pejën me rezultatin 68:64 dhe i shkaktoi humbjen e parë skuadrës pejane. Jugosllav Dashiq ishte më i dalluari te Bambi me 17 pikë, derisa te Peja më efikasi ishte Enes Haxhibulliq me 18 pikë të shënuara.
Me këtë fitore Bambi mbetet skuadra e vetme që nuk ka pësuar humbje. Pos Pejës, Bambi këtë edicion ka mposhtur edhe kampionen Prishtinën dhe nënkampionen Trepçën.
S. Prishtina - Trepça 91:89
Bambi - Peja 68:64
Bashkimi - Mitrovica 92:90
Kosova - K. Eurosport 68:78
1. S. Prishtina 5 9
2. Peja 5 9
3. Bambi 4 8
4. Trepça 5 7
5. Bashkimi 5 7
6. K. Eurosport 4 6
7. Kosova 5 6
8. Mitrovica 5 5