Shefja e ekipit të Kosovës për bisedime me Serbinë ka thënë se Serbia po përpiqet që dialogut me Kosovën t’ia ndryshojë karakterin.
Tahiri ka thënë se intenca e Beogradit është që dialogun ta bëjë politik, ndryshe nga, siç ka qenë deri më tash teknik, shkruan Koha Ditore.
Këtë qëndrim Tahiri e ka nxjerrë të dielën pas leximit të një interviste të shefit të ekipit të Serbisë për bisedime me Kosovën, Borislav Stefanovic, dhënë gazetës serbe Politika, pas kthimit në Beograd nga vizita në Prishtinë, ku negociatori serb kishe thënë se Qeveria e Serbisë në bisedë me Prishtinën do të zgjidhë pozitën e serbëve në Kosovë, si dhe e kishte përshkruar palën kosovare me mungesë guximi për të ofruar propozime.
“Është evidente se e ashtuquajtura pavarësia e tyre nuk funksionon, përkundër përkrahjes së qendrave më të fuqishme botërore”, kishte thënë Stefanovic.
Këtë deklarim të bashkëbiseduesit të saj, Tahiri nuk e ka parë të dobishëm për bisedimet midis dy vendeve.
“Unë e shpjegoj këtë si një përpjekje për t’ia ndryshuar karakterin dialogut, pra për t’i dhënë dimension politik, edhe pse Qeveria e Serbisë sikurse edhe Qeveria e Kosovës kanë pranuar, pra, që në Bruksel do të bisedohet vetëm për çështje teknike”, ka thënë Tahiri.
“Unë mund t’ju them se Prishtina, përkatësisht delegacioni i Kosovës për dialogun teknik vazhdimisht ofron propozime të avancuara që janë në harmoni me Kushtetutën e Kosovës dhe me parimet euroatlantike dhe është e fokusuar në agjendën e dialogut, e cila është e përqendruar në çështjet teknike, ndërsa pala e Beogradit ka tendencë t’i shmanget agjendës zyrtare për çështje teknike dhe përpiqet që të dalë në tema politike, dhe kjo është diferenca e qasjeve midis dy delegacioneve”.
Tahiri ka bërë të ditur se të hënën do të fluturojë drejt Brukselit për të marrë pjesë në martën dhe të mërkurën në raundin e katërt të bisedimeve.
Shefja e ekipit të Kosovës për bisedime me Serbinë ka bërë të ditur se temat kryesore që do të trajtohen në raundin e katërt janë çështja e të pagjeturve, çështja e trashëgimisë kulturore dhe çështja e njohjes së diplomave shkollore dhe universitare.
Ajo ka dashur ta shohë këtë raund mundësi të mirë për zbutjen, e siç e ka quajtur ajo, diferencave me palën serbe në çështjet të cilat do të diskutohen. /Telegrafi/