Problemi me imazhin e Kosovës qëndron te mentaliteti qeverisë,
dhe se ky imazh nuk mund të riparohet me grupe ekspertësh dhe fushata
për një Kosovë ndryshe, thonë analistët. Komentet e tyre i pasojnë disa
paralajmërime nga qarqe ndërkombëtare dhe mediat që nën drejtimin e
presidentes Atifete Jahjaga, Kosova të nisë një fushatë për përmirësimin
e imazhit të saj të dëmtuar në botë.Publicisti dhe analisti
Halil Matoshi thotë se rrënimi i imazhit të Kosovës ka ndodhur sidomos
këtë vit, kur gjithçka sipas tij, filloi dhe po vazhdon me një logjikë
të mbrapshtë të qeverisjes dhe udhëheqjes së politikave qeverisëse.
“Presidentja sa do që të jetë në nivel të detyrës, sa do që të
bashkëpunojë me të gjitha shtresat e shoqërisë, ajo nuk ka fuqi politike
dhe nuk mund t ndikojë në ndreqjen e asaj që e ka shkatërruar Qeveria e
Kosovës deri më sot. Esenca e problemit qëndron tek modeli i
qeverisjes, tek krimi i organizuar dhe pamundësia e kryeministrit aktual
që të shkëputet definitivisht nga përzierja e politikës me krimin e
organizuar dhe me trafikantët e ndryshëm”, thotë Matoshi.
Skeptik për ndonjë rezultat në prezantimin e imazhit ndryshe për
Kosovën shprehet edhe analisti Ylli Hoxha, nga Klubi për Politikë të
Jashtme. Ai thotë se Presidenca si edhe instancat tjera do të duhej që
para se të niseshin në fushatë të riparonin defektet serioze në sistem,
përfshi edhe shkarkimin e personaliteteve në të dyja nivelet e pushtetit
të cilët kanë problem me ligjin.
“Imazhi ynë i keq buron edhe nga vet kontributi i lidershipit për të
krijuar atë imazh të keq, do të thotë nga afiniteti ndaj
jo-ligjshmërisë, kur kemi një situatë në të cilën Kosova tashmë
sistematikisht portretizohet ku krimi dhe politika janë afër njëra
tjetrës. Në këtë drejtim pa pasur një ndërrim substancial në politikë,
është vështirë që me çfarëdo grupi ekspertësh të ndryshohet gjendja”,
vlerëson Hoxha.
Nisur nga gjendja faktike, Ylli Hoxha thotë po ashtu se imazhi nuk
mund të riparohet me veprime kozmetike por me reforma të thella në
sistemin politik, “për të krijuar një qeverisje të përgjegjshme, të
qëndrueshme, e cila jep rezultate, e jo të mundohemi të mbulojmë një
qeverisje të keqe me një afinitet të theksuar ndaj krimit”.
Edhe Matoshi nuk pret ndonjë rezultat të shpejtë nga çfarëdo nisme
eventuale për përmirësimin e imazhit të Kosovës, përderisa nuk ndryshon
logjika qeverisëse në Kosovë. Matoshi thotë se përkundrazi, gjendja në
Kosovë mund të pësojë zhvillime negative të cilat vetëm sa do të
rëndonin edhe më tepër imazhin e shtetit më të ri.
“Mund të priten edhe shpërthime të ndryshme sociale, e po ashtu mund
të pritet edhe një falimentim, thënë kushtimisht i shtetit, pas
skandalit me FMN-në, kështu që vjeshta e sivjetme do të jetë kruciale se
a do të merr Kosova kahe pro-perëndimore ose objektivisht do të
rrëshqas kah një shtet i dështuar”, thekson Matoshi.
Bazuar në vlerësimet e analistëve, çështja e imazhit të Kosovës është
dëmtuar sistematikisht nga qeverisja e deritashme, përfshi edhe
qeveritë e kaluara, pastaj nga zgjedhjet e fundit të cilat u cilësuan se
nuk i përmbushën kriteret e domosdoshme demokratike, kurse goditjen më
të rëndë këtij imazhi besohet se i ka dhënë raporti i Dick Martyt, i
cili hedh dyshime dhe i ngarkon disa nga udhëheqësit e luftës së UÇK-së
për trafik organesh. Në një pozitë të tillë, ishte vlerësuar megjithatë
se Kosova do të duhej t’i kishte kundër-argumentet e veta sidomos për
ato që thuhen në raportin e zviceranit Marty.
/Radio Evropa e Lirë/Telegrafi/