Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, ka përsëritur se do të vazhdohet me normalizimin e gjendjes në veri të Kosovës. Ai ka thënë se për Kosovën nuk ka kthim mbrapa në gjendjen e mëparshme. Kryeministri ka komentuar edhe raportet me EULEX-in, për të cilin ka thënë se i ka dosjet e strukturave kriminale në veri, por i mungojnë veprimet.
Kryeministri ka thënë se veriu i Kosovës është vrimë e zezë jo vetëm për Kosovën. “Tash e 12 vite kjo pjesë e territorit të Kosovës ka qenë një vrimë e zezë jo vetëm për Kosovën, por për krejt Evropën. Tash e 12 vite në atë pjesë të territorit të Kosovës nuk ishin organizuar zgjedhje të lira. Strukturat ilegale e shfrytëzonin mungesën e ligjshmërisë për aktivitetet e tyre kriminale prandaj vendimi i qeverisë së Republikës së Kosovës është sovran, i drejtë, legal, legjitim, i modelit evropian për shtrirjen e ligjshmërisë në të gjithë territorin e Republikës së Kosovës dhe tejkalon caqet politike... Rreth 40-50 mijë serbët që jetojnë në këtë pjesë të Kosovës kanë qenë thjesht të nënshtruar apo të frikësuar nga këto struktura kriminale”.
Kryeministri i Kosovës ka thënë po ashtu se mosveprimet e EULEX-it nuk do të tolerohen në pafundësi. “Unë dua të shpreh mbështetjen time të plotë për KFOR-in, që në kuadër të mandatit të tyre të vazhdojë të ofrojë një ambient të qetë dhe të sigurt për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës. Sa i përket EULEX-it, më lejoni ta them shumë qartë se duam një EULEX të suksesshëm, ta kemi shumë të qartë, se suksesi i EULEX-it është sukses edhe i Kosovës. Sa më i suksesshëm që të jetë EULEX-i, aq më e suksesshme do të jetë edhe Kosova dhe perspektiva e saj evropiane”, ka thënë kryeministri Thaçi në një intervistë për Deutsche Welle, duke komentuar vendimin për të vënë nën kontroll veriun e Kosovës.
“Dështimi i EULEX-it nuk do të thotë sukses për Kosovën, prandaj suksesi i EULEX-it nuk varet vetëm nga deklarimet, por nga bashkëpunimi i ngushtë, konkret me institucionet kosovare që e kanë ftuar EULEX-in për zbatimin e misionit të tij. Kështu që unë pres bashkëpunim të frytshëm në realizimin e misionit të përbashkët për rend dhe ligj në gjithë territorin e Republikës së Kosovës. Por realisht EULEX-i nuk ka arritur të shtrijë autoritetin në tërë territorin, tash e dy vite negociohet për hapjen e gjykatës në veri dhe në këtë drejtim nuk ka ndodhur asgjë. Diçka e tillë nuk do të tolerohet në pafundësi. Tash e shumë vite EULEX-i ka agjendën e vet, dosjet e strukturave kriminale në veri, por nuk ka veprime edhe pse janë dosjet e gatshme. Pra duhet të ketë një angazhim konkret dhe në asnjë rrethanë për çështjet e Kosovës, për rendin dhe ligjin në territorin e Kosovës të mos ketë negociata me Beogradin”. /Telegrafi/