Shumë prindër brengosen pse fëmijët e tyre janë aq të ndruajtur dhe vështirë vënë kontakt me njerëzit e tjerë. Mirëpo, hulumtimet tregojnë se pikërisht nga babai dhe nga nëna varet vetëdija shoqërore e fëmijës së tyre.
Në moshën trevjeçare vogëlushët zënë miqtë e parë. I përshkruajnë si fëmijë që i duan dhe me të cilët shoqërohen dhe luajnë më me dëshirë. Për fëmijët e vegjël të shkollës pjesë e rëndësishme e miqësisë bëhet ndihmesa reciproke. Pamja fizike e shokut/shoqes është më e rëndësishme për më të vegjlit sesa për më të mëdhenjtë. Fëmijët që kanë shokë, janë më të çiltër, më të dashur, më shumë flasin, më me dëshirë ua lënë lodrat e tyre. Për këtë arsye edhe zënë shokë. Në anën tjetër, fëmijët pa shokë shpesh reagojnë në mënyrë agresive, ndërsa kur ballafaqohen me problemin, më shumë kërkojnë ndihmë anash se që provojnë ta zgjidhin vetë. Në grupin e të papopullarizuarve bëjnë pjesë edhe ata që janë ë turpshëm dhe të tërhequr, fëmijët e tjerë, thjesht, i injorojnë.
Nuk është kurrfarë zbulimi, se marrëdhëniet dhe zhvillimi e shoqërimi i vogëlushëve është nën ndikimin prindëror, më saktë, nën ndikimin e marrëdhënieve që ekzistojnë ndërmjet prindërve dhe fëmijëve të tyre. Fëmijët që zhvillohen me dashurinë prindërore, kanë më shumë shokë, janë më të vetëdijshëm, ndiejnë më shumë dhembje për të tjerët dhe, përgjithësisht, gjenden më mirë në marrëdhëniet sociale dhe në situata të ndryshme. Siç tregojnë hulumtimet, nënat e fëmijëve të lënë pas dore ose të injoruar nga të tjerët, edhe vetë ndiejnë mungesë vetëbesimi dhe besim në aftësitë prindërore, rrallë i lavdërojnë fëmijët dhe gjithnjë u rrinë te koka, duke mos lejuar, kështu, zhvillimin e pavarësisë së tyre dhe të ndjenjës shumë të rëndësishme se - "edhe unë mund të bëj diçka
vetë" ... Etërit e fëmijëve të tillë kanë mendime shumë të caktuara lidhur me atë se si do të duhej të sillej fëmija i tyre dhe këtë e presin prej tij, por njëherësh nuk ndiejnë nevojën e përfshirjes së tyre në edukim, sepse kjo është detyrë e nënës.
Për fat, atë që e gabojnë prindërit, mund edhe ta përmirësojnë. Ndërsa, atë që është e mirë, mund ta bëjnë edhe më mirë. Si?
* Organizojuani jetën shoqërore fëmijëve tuaj, si: ditëlindjen, shikimin e përbashkët të filmave vizatimorë ... Nëse në afërsinë tuaj nuk ka moshatarë me të cilët do të mund të shoqërohej, mundohuni t'i gjeni - nganjëherë çojeni fëmijën të luajë në lagjen tjetër.
* Kur jeni në park ose në kopsht të fëmijëve, mos luani ju me fëmijën. Mjafton ta ndiqni me sy, ndërsa ju shoqërohuni me nënat e tjera në park. Pikërisht kështu, me fëmijët në park kanë filluar shoqërime të mira familjare.
* Nëse fëmija është i tërhequr dhe i ndruajtur, mos e detyroni që menjëherë të hyjë në grup të madh fëmijësh: Së pari, vendoseni pranë një ose dy fëmijëve që ndihen njësoj të vetmuar, ndërsa më pastaj rrini anash. Lërini që vetë të fillojnë ndonjë aktivitet të përbashkët, e, nëse nuk ndodh kjo, atëherë ndihmojini pak.
* Mësojani fëmijës, qoftë edhe në mënyrë indirekte, shprehinë e miqësimit: lexoni dhe rrëfeni tregime lidhur me kërkimin dhe mbajtjen e miqve dhe me zhvillimin e shoqërisë, shikoni së bashku filma të vizatur si dhe filma që kanë të bëjnë me miqësinë.
* Shprehjani fëmijës dashurinë, lavdërojeni kur bën diçka mirë, mos u frikoni se do ta lazdroni. Kjo, zaten, është dëm më i vogël sesa kur fëmija rritet me bindjen se nuk e doni!
* Nëse fëmija duhet disiplinuar, bisedoni me të, kritikojeni veprimin e tij të keq, porse mos e shpallni si fëmijë të keq.
* Caktoni rregullat e qarta, të cilave do të duhej t'u përmbahej fëmija dhe përmbajuni atyre rregullave: mos lejoni që disponimi juaj i çastit të caktojë çfarë do t'i lejohet fëmijës, e çfarë jo.
* Edhe vetë silluni në atë mënyrë çfarë kërkoni nga fëmija juaj: zgjeroni marrëdhëniet tuaja sociale, tregoni mirëkuptim ndaj të tjerëve, kultivoni miqësitë tuaja.