Knysna, 7 qershor - Seleksionuesi i Përfaqësueses së Francës, Raymond Domenech, është optimist i madh, por njësoj nuk janë edhe futbollistët kur kanë mbetur edhe pak ditë deri te fillimi i Botërorit 2010. Franca ndeshjen e parë do ta zhvillojë kundër Uruguait, më 11 qershor dhe në kampin e "trekolorëve" ka pesimizëm të madh si pasojë e dy ndeshjeve të fundit miqësore, ku Franca nuk dëshmoi cilësitë prej një favoriteje të madhe. Franca u mposht nga Kina (1:0) dhe barazoi me Tunizinë (1:1). Para këtyre dy dueleve mposhti Kosta-Rikën 2:1 me një gol të shënuar në minutat shtesë.
"Natyrisht jo vetëm unë, por të gjithë jemi shumë të dëshpëruar", ka thënë mesfushori Yoann Gourcuff. "Humbja asnjëherë nuk është e mirë, sidomos kur e përjeton disa ditë para fillimit të botërorit". Futbollistët e vetëm te Franca që treguan lojë të mirë ishin mesfushorët Yoann Gourcuff, Jeremy Toulalan dhe Florent Malouda.
"Duhet të jemi më efikas, sidomos në sulm, sepse po vuajmë shumë gjatë ndeshjes", është shprehur Toulalan.
Sulmuesi i Chelseat, Nicolas Anelka, nuk ka shënuar asnjë gol në tri ndeshjet kontrolluese të Francës, ndërsa reparti defansiv ka dështuar plotësisht: Eric Abidal gaboi kundër Kosta-Rikës, William Gallas, nuk reagoi me kohë në golin e Tunizisë, ndërsa zëvendësuesi Anthony Reveillere ishte fajtor për golin e pësuar nga Kina nga gjuajtja e lirë.
"Moralin e kemi shumë poshtë. Mirëpo, pres të qetësohemi", ka thënë mesfushori Mathieu Valbuena. "Ato janë vetëm ndeshje miqësore edhe pse nuk shkuan ashtu siç kishim dëshirë ne".
Mediumet franceze që pas Kampionatit Evropian 2008 kërkonin me ngulm shkarkimin e seleksionuesit Raymond Domenech, tash janë edhe më të ashpra.
E përditshmja "L'Equipe" humbjen nga Kina e ka quajtur si hap të madh prapa, ndërsa "Le Parisien" ka shkruar se nëse gjërat nuk ndryshohen, atëherë në Afrikën e Jugut gjërat do të jenë të komplikuara për Francën.
Marrëdhëniet mes mediumeve dhe futbollistëve francezë janë shumë të tensionuara, pasi Anelka, Sidney Govou dhe Hugo Lloris refuzuan të flasin pas humbjes nga Kina.
Zëri i vetëm i optimizmit, si zakonisht te Përfaqësuesja franceze, vjen nga seleksionuesi Domechech. Ai thotë se ekipi i tij ka përparuar me gjithë paraqitjet e fundit jo të mira.
"Kam parë gjëra interesante: mënyra si luajtëm, lëvizjet dhe qasja në lojë ishin të mira", ka thënë Domenech. "Mendoj se jemi shumë më të mirë se në botërorin e fundit, madje kemi ekip shumë më të mirë. Po përparojmë shumë mirë".
Përfshirë edhe dy ndeshjet e barazhit për Botërorin 2010 kundër Irlandës, ekipi i Francës në pesë ndeshjet e fundit ka shënuar vetëm pesë gola. Hiç golin e Valbuenas me Kostarikën, gjithë të tjerët ishin të shënuar me fat, jo nga aksionet.
"Shikoni numrat e rasteve që po i krijojmë. Ende po e pyesim veten se si nuk po shënojmë", shton Domenech. "Kjo gjë është shumë pozitive, thjesht na ka munguar përfundimi".
Franca bën pjesë në Grupin A bashkë me Afrikën e Jugut, Uruguain dhe Meksikën.