Përkundër torturës që pati gjatë eliminatoreve, Argjentina prapë udhëton në Afrikë të Jugut me pretendime serioze për të fituar titullin e botës për herë të parë pas 24 viteve. Për të arritur këtë synim kampionia e botës e viteve 1978 dhe 1986 ka mbështetur shpresat te legjenda Diego Armando Maradona, të cilin e ka emëruar trajner. Maradona është futbollisti më i famshëm i këtij vendi dhe inspiruesi kryesor i triumeve legjendare të Argjentinës.
Puna e tij bëhet më e lehtë pasi ka një skudër të mbushur me yje të futbollit. Në të janë edhe disa futbollistë që kishin arritur deri në çerekfinale në Botërorin “Gjermania 2006”. Vetëm kur përmendet emri Lionel Messi, mjafton për të futur Argjentinën në mesin e skuadrave favorite. Po ashtu, ka edhe shumë talentë të rinj dhe duket se Argjentina ka ekip të mirë për t’i dhënë fund dëshprimit të viteve të fundit. Titulli i saj i fundit daton nga viti 1993 kur e fitoi Kupën e Amerikës.
Rruga deri në Afrikë të Jugut
Argjentina e pati punë shumë të vështirë për të arritur deri në Botërorin 2010. Njëjtë patën vështirësi edhe në vitin 1985 në eliminatoret për botërorin “Meksika 1986”. Mirëpo, atëbotë Argjentina doli kampione. Kampioni i dyfishtë i botës nisi kampanjën eliminatore nën udhëheqjen e trajnerit Alfio Basile. Ky i fundit ia lëshoi postin Diego Maradonës pasi që pësoi humbje në xhiron e dhjetë eliminatore kundër Kilit, duke rënë në pozitën e tretë. Përkundër shumë vështirësive, Argjentina arriti deri në “Afrikë të Jugut 2010” dhe kjo fal dy fitoreve të ngushta në dy ndeshjet e fundit kundër Perus dhe Uruguait.
Argjentina mblodhi 28 pikë në përgjithësi, numrin më të vogël të pikëve që kur në eliminatoret për botërore në Amerikën e Jugut u prezantua sistemi me dhjetë skuadra në një grup. Në eliminatore Argjentina shënoi tetë fitore, barazoi katër herë dhe humbi gjashtë ndeshje. Tri nga disfatat ishin shumë të hidhura. Argjentina u poshtërua nga Bolivia me rezultatin 6:1 dhe pësoi dy herë nga rivali i përhershëm Brazili.
Mirëpo, djelmoshat e Maradonës arritën të këndellen në momentet e fundit. Me një gol në çastet e fundit nga Martin Palermo kundër Perusë dhe me një fitore minimale (1:0) kundër Uruguait në Montevideo, Argjentina arriti deri në finalet e Botërorit.
Yjet e skuadrës
Shpresat më të mëdha të Argjentinës janë të mbështetura në Lionel Messin. Messi që është futbollisti më i mirë në botë, po shkëlqen me fanellën e Barcelonës. Mirëpo, Messi ende nuk ka arritur të tregojë atë përformancë edhe me Përfaqësuesën e Argjentinës. Këtë shpreson ta bëjë në “Afrikë të Jugut 2010”.
Në mesfushë do të jenë udhëheqës kapiteni Javier Mascherano dhe lojtari me përvojë Juan Sebastian Veron.
Trajneri
Diego Maradona vlerësohet nga shumë ekspertë si futbollisti më i mirë në histori. Maradona tash e ka rastin që të përsërisë sukseset që kishte si futbollist edhe në detyrën e trajnerit. Një njeri i drejtpërdrejt, impulsiv dhe një garues i lindur, Maradona ka mbajtur gjërat që e bënin atë aq figurë të njohur derisa ishte si futbollist. Ai shpreson që të bartë përvojën te grupi i futbollistëve të tij të zgjedhur, të cilët janë edhe adhuruesit e tij më të mëdhenj.
Para se të marrë detyrën e trajnerit të Argjentinës, Maradona kishte provuar punën e trajnerit edhe te skuadra Mandiyu në vitin 1994 dhe Racing Club një vit më vonë, para se të vendoste të kthehej si futbollist me Boca Juniorsin. Pas nëntë ndeshjeve në eliminatore Argjentina vendosi të emëroj në krye Diego Maradonën në vend të Alfio Basiles. Ai arriti të kualifikoi “gauçosët” në Botërorin 2010 dhe tash e pret një sfidë dukshëm më e madhe.Botërorët e kaluar
- Argjentina deri më tash katër herë ka luajtur në një finale të Kampionateve Botërore. Në vitin 1978 Argjentina doli kampione duke e mposhtur në finale Holandën, ndërsa në vitin 1986 fitoi titullin pasi mposhti Gjermaninë Perëndimore. Mirëpo, dështoi dy herë në finale: në vitin 1930 kundër Uruguait dhe në vitin 1990 kundër Gjermanisë Perëndimore.
- Botërori Afrika e Jugut 2010 do të jetë i 20-ti për Argjentinën, ndërsa i dhjeti me radhë.
- Maradona do të jetë për herë të parë në një Botëror si trajner. Ai katër herë rresht ishte në botërore si lojtar nga viti 1982 deri në vitin 1994.
Deklarata
“Unë u them futbollistëve të mi se 30 ditë sakrificë për mundësinë që të puthin Kupën e Boëts nuk janë asgjë për një njeri. Një arritje e tillë është sikur të prekësh qiellin. Unë kam luajtur në Botërore dhe kam arritur dy herë në finale. E di se çfarë duhet për të arritur sukses. E di se si të udhëheqi një grup dhe si të drejtoj lojtarët. Unë di gjëra për këtë ngjarje”, ka thënë Diego Maradona.
(Marrë nga fifa.com)