Japonia
Japonia posedon njërën prej skuadrave më të forta në futbollin e Azisë. Është fituese e tri nga pesë edicioneve të fundit të Kupës së Azisë. Japonia ka gjasa të mëdha në Botërorin 2010 në Afrikë të Jugut, që është paraqitja e katërt për të në një ngjarje të tillë.
Synimi i parë është që të përmirësohet përformanca zhgënjyese që patën japonezët në “Gjermania 2006”. Në atë Botëror u mposhtën nga Australia me rezultatin 3:1, barzuan me Kroacinë pa gola dhe pësuan thellë nga Brazili 4:1. Japonia po ashtu do të jetë në Botërorin 2010 pa ikonën Hidetoshi Nakata, që është tërhequr nga futbolli. Ish-mesfushori i Romës, luajti në tri Botërorët e kaluar të Japonisë në “Francë 1998”, në “Kore të Jugut e Japoni 2002” dhe “Gjermania 2006”.
Rruga deri në Afrikë të Jugut
Japonia arriti pa shumë telashe në raundin e katërt dhe final të zonës eliminatore të Azisë për Botërorin 2010. Japonia në raundin final fitoi katër ndeshje, barazoi tre herë dhe humbi një herë në Grupin 1. Humbja 2:1 në Australi dhe barazimi 0:0 me të njëjtin kundërshtar, ishin pikat më të dobëta të Japonisë gjatë eliminatoreve. Por, prapë skuadra e udhëhequr nga Takeshi Okada, përfundoi dukshëm para rivalëve tjerë si Bahreini, Katari dhe Uzbekistani.
Yjet e skuadrës
Ylli më i madh i Japonisë është ish-mesfushori i Celticut, Shunusuke Nakamura. Nakamura në verë të vitit 2009 kaloi në Primera Division të Spanjës tek Espanyoli, ndërsa së fundi është kthyer në vendlindje. Një lojtar tjetër kyç te Japonia është mesfushori i CSKA Moskës, Keisuke Honda. Mbrojtjen e Japonisë e udhëheq 31-vjeçari Yuji Nakazaëa. Ai me mbi 90 paraqitje për Japoninë është lojtari i tretë i të gjitha kohërave për nga paraqitjet për këtë ekip.
Trajneri
Trajneri Okada llogaritet si strategu më i mirë japonez. Ai ishte trajner kur “samurait e kaltër” u paraqitën për herë të parë në një Botëror në “Franca 1998”. Më pas ai ishte trajner i skuadrave japoneze Cosadole Sapporo e Yokohama F Marinos.
53-vjeçari që dikur luante si mbrojtës në Përfaqësuesesen e Japonisë, skuadrën Sapporo e ngriti nga kategoria e dytë në atë elite. Ai po ashtu e udhëhoqi Yokohaman drejt dy titujve të njëpasnjëshëm të Japonisë në vitin 2003 dhe 2004. Ai u largua nga Yokohama në vitin 2006 dhe e mori postin e trajnerit të Japonisë për herë të dytë në vitin 2007, pas sulmit në zemër që pësoi trajneri Ivica Osim.
Botërorët e kaluar
Afrika e Jugut 2010 do të jetë Botërori i katërt për Japoninë dhe i katërti me radhë po ashtu. Rezultatin më të mirë e arriti në “Kore të Jugut e Japoni 2002” kur doli e para në Grupin H në të cilin grup ishin edhe Belgjika, Rusia e Tunisi. U kualifikua në 1/8 e finales ku mposht nga Turqia me rezultatin 1:0. Umit Daval shënoi golin e vetëm në atë ndeshje.
Rekordet
- Në Botërorin e tij të parë si trajner në “Franca 1998”, Okada humbi të tri ndeshjet e fazës grupore duke shënuar një herë dhe duke pranuar katër gola.
- Masashi Nakayama ka shënuar golin e parë për Japoninë në një Botëror. Ai shënoi për Japoninë në humbjen 2:1 kundër Xhamajkas në ndeshjen e fazës grupore të botërorit “Franca 1998”.
Deklarata
“Ne nuk do të ndryshojmë këtë taktikë, pasi kur ndërtova bazën taktike të kësaj skuadre, e ndërtova me synim që të fitojmë kundër skudrave më të mëdha botërore. Synimi i jonë është që të arrijmë së paku deri në gjysmëfinale të Botërorit”, ka thënë trajneri Takeshi Okada.
(Marrë nga fifa.com)