Sllovakia do të paraqitet për herë të parë në një ngjarje të madhe të futbollit. Ajo dështoi të arrijë suksese në futboll që nga ndarja e Çekosllovakisë në vitin 1993. Derisa skuadra përbëhet nga emra pak të njohur, prapë ajo mbështet në lojë kolektive dhe kualitete mjaft admiruese. Mirëpo, suksesi i vazhdueshëm i jep arsye të mirë për të qenë optimiste për udhëtimin e saj në Afrikë të Jugut.
Rruga deri në Afrikë të Jugut
Sllovakia ishte e katërta në grupin e saj eliminator në “Franca 1998”, e treta në eliminatoret për botërorin “Korea e Jugut & Japonia 2002” dhe e dyta në eliminatoret për “Gjermania 2006”. Sllovakia është ngritur edhe për një shkallë, duke dal e para në Grupin 3 eliminator për Botërorin 2010. Skuadra e Vladimir Weissit siguroi kualifikimin historik më 14 tetor të vitit 2009, duke i demantuar shumicën e ekspertëve që i dhanë pak gjasa për të mbijetuar në një grup të vështirë.
Rrugëtimi i tyre ishte mjaft i vështirë, mirëpo Sllovakia mbajti tempin duke humbur vetëm nga rivali më i afërt Sllovenia. Sllovenia ishte pengesa e vetme e sllovakëve, duke i mposhtur në dy raste, 2:1 në Ljubljanë dhe 2:0 në Bratislavë. Sllovakia siguroi biletën duke shënuar fitore 1:0 në Poloni në xhiron e fundit dhe e dërgoi në barazh Slloveninë.
Yjet e skuadrës
Solid në mbrojtje është qendërmbrojtësi i gjigantit anglez Liverpool, Martin Skrtel. Në mesfushë është ylli i Napolit, Martin Hamsik, një lojtar që po kërkohet nga skuadrat më të mëdha evropiane. Ai pritet të shkëlqejë në Botërorin 2010, ndërsa po ashtu nuk do të mbetet i pavërejtur as sulmuesi Stanislav Sestak, që përfundoi si shënuesi më i mirë i skuadrës në eliminatore me gjashtë gola.
Trajneri
I lindur në vitin 1964, ish-reprezentuesi i Sllovakisë, Vladimir Weiss, mori detyrën e trajnerit në qershor të vitit 2008. Ai zëvendësoi Jan Kocianin që kishte dështuar të dërgonte sllovakët në Evropianin 2008.
I bekuar me një personalitet të fortë, Weiss zejën e trajnerit e kishte marrë te skuadra Artmedia Bratislava, duke e dërguar këtë skuadër në fazën grupore të Ligës së Kampionëve në stinorin 2005/06.
Në stinorin vijues ai vendosi të provoi fatin në Rusi ku mori drejtimin e skuadrës Saturn. Një vit më vonë u kthye në mënyrë triumfale duke fituar titullin e Sllovakisë me Artmedian. Gjitha këto suksese edhe i siguruan atij detyrën e trajnerit të Sllovakisë.
Vladimir Weiss po ashtu është djali i Vladimir Weissit, ish-reprezentuesit të Çekosllavakisë. Në fakt edhe djali i tij më i ri quhet Vladimir Weiss, ndërsa luan te Manchester City dhe vlerësohet si talent i madh.
Botërorët e kaluar
Ky është Botërori i parë për Sllovakinë, mirëpo e kaluara e futbollit të këtij vendi është e lidhur me Çekosllovakinë, përfaqësuese kjo që luajti në tetë botërore.
Çekosllovakia arriti në finale të vitit 1934, ku u mposht në shtesa nga Italia me rezultatin 2:1, dhe po ashtu në Botërorin 1962, ku pësoi nga Brazili me rezultatin 3:1. Luajti edhe në çerekfinale të Botërorit 1990.
Rekordet e kaluara (si Çekosllovaki)
- Një herë kampione e Evropës (1976)
- Një herë kampione olimpike (1980)
Deklarata
“Ne jemi shumë këmbëngulës. Ne nuk dorëzohemi derisa të arrijmë sukses”, ka thënë sulmuesi Stanislav Sestak.
(Marrë nga fifa.com)