Instituti i Shëndetit Publik konfirmon në laboratorin e tij 7 raste me ethet hemorragjike, të evidentuara në zonën e Hasit në prefekturën e Kukësit.
Shefja e departamentit të epidemiologjisë në ISHP, Silva Bino tha tw hwnwn për agjencinë NOA se një prej të prekurve, konkretisht një grua nga Hasi ka gjetur vdekjen prej sëmundjes infektive të etheve hemorragjike. Sipas Binos, mes pacientëve të konfirmuar me ethet hemorragjike janë dhe 3 fëmijë.
“Aktualisht kemi të konfirmuara 3 fëmijë, 2 prej të cilëve po trajtohen në Tiranë dhe një në spitalin e Kukësit. Gjendja e 7 personave me ethe hemorragjike është shumë e mirë ndërkohë që kemi një viktimë nga Hasi e cila ka vdekur në spitalin e Kosovës, në Prishtinë. Gruaja u vonua në përcaktimin e diagnozës së sëmundjes ndaj nuk mori mjekimin e duhur”, tha ajo.
Gjendja e fëmijëve, sipas saj, është shumë e mirë, dhe ata kaluan gjendjen e rëndë. “Ndërkohë që duhet një kontroll i rreptë i rasteve për të frenuar përhapjen e sëmundjes. Në gjithë zonën po kryhet një survejim dhe fushatë sensibilizuese për të ndërgjegjësuar njerëzit që të marrin masa e të raportojnë çdo pickim nga rriqrat, ndërkohë ne po marrim analizat e gjakut për çdo person sikur të ishte i prekur me sëmundjen e rëndë infektive”, tha Bino.
Sipas Binos, e gjithë zona e Kukës-Hasit e Tropojës po mbahet në survejancë për të shmangur rritjen e rasteve të reja me ethet hemorragjike. Ajo thekson nevojën e raportimeve të rasteve nga vetë banorët si dhe rritjen e masave higjienike në atë zonë.
Nga të dhënat e ISHP që nga viti 1986 në Shqipëri sikurse në gadishullin e Ballkanit qarkullojnë 2 lloje ethesh hemorragjike, ajo e kongokrimesë dhe ethet hemorragjike renitale.
Në zonën e Kukësit prej vitit 1986 qarkullojnë ethet hemorragjike të kongokrimesë e cila transmetohet nga njeriu tek njeriu dhe është vdekjeprurëse nëse kapet në stadin e fundit.
Sipas Binos, shkak i përhapjes së sëmundjes është ekosistemi, bimësia e egër, bashkëjetesa me kafshët, e njohur në këtë zonë si dhe mungesa e higjienës. Ndërsa ethet hemorragjike renitale janë të njohura në zonën e Tropojës.
Kjo e fundit transmetohet përmes minjve tek kafshët dhe nuk është vërtetuar se transmetohet nga njeriu tek njeriu. /NOA/