Port Elizabeth, 21 qershor - Futbollistët e Kilit takohen me Zvicrën të hënën në "Nelson Mandela Bay Stadium", duke ditur se fitorja do t'i dërgonte ata pranë një të tetës së finales.
Të dy përfaqësueset ende janë duke shijuar lavdinë e fitoreve historike në ndeshjet hapëse të Grupit H. Zvicra bëri befasinë më të madhe duke mposhtur favoriten kryesore, Spanjën.
Fituesi i Ligës së Kampionëve me Bayern Munchenin dhe Borussia Dortmundin, përzgjedhësi i Zvicrës Ottmar Hitzfeld, para ndeshjes me Spanjën kishte thënë se spanjollët do të jenë në presion për shkak të favorizimit të tyre. Taktikë të njëjtë, ka përdorur edhe para ndeshjes me Kilin.
"Zvicra nuk është favorite. Favorit do të jetë Kili. Lojtarët e kësaj përfaqësueseje më kanë impresionuar. Së pari më kanë befasuar në kualifikime. Jo shumë ekipe kanë arritur të përfundojnë para Argjentinës. Kundër Hondurasit, kileanët ishin të pabesueshëm", ka thënë Hitzfeld.
Fitorja 1:0 kundër Hondurasit ishte e para në kampionate botërore për Kilin, pas plot 48 vitesh. Skuadara e Marcelo Bielsas impresionoi me lojë sulmuese dhe ka mundur të shënonte më shumë se një herë. Kundër Zvicrës Kili do të jetë edhe më i fortë në sulm. Kësaj përfaqësueseje i kthehet sulmuesi kryesor Humberto Suazo që në eliminatore kishte shënuar plot 10 gola.
Zvicra do të jetë pa mbrojtësin Philippe Senderos që u lëndua në përballje me Spanjën. Kapiteni Alexanfer Frei dhe mesfushori Valon Behrami kanë munguar kundër Spanjës, por pritet të jenë të gatshëm për këtë takim.
Kili dhe Zvicra takohen për herë të katërt. Zvicra ka fituar dy herë, ndërsa Kili një herë. Së fundi janë takuar në vitin 2007, kur "helvetikët" fituan 2:1. Në botëror këto përfaqësuese janë takuar në vitin 1962, kur Kili fitoi 3:1.
Kili ka fituar nëntë nga 11 ndeshjet e fundit, duke përfshirë këtu edhe katër të fundit.
Zvicra nuk ka pranuar gol në pesë ndeshjet e fundit në kampionate botërore, duke llogaritur këtu edhe katër në botërorin e vitit 2006. Para katër vitesh Zvicra u bë përfaqësuesja e vetme që u eliminua nga botërorët pa pranuar gol në kohën e rregullt.
Zvicra nuk ka mposhtur asnjëherë ndonjë përfaqësuese të Amerikës së Jugut në kampionate botërore. Ka tri humbje e një barazim.
Përveç Behramit, pjesë e Zvicrës janë edhe dy kosovarë: mesfushori Xherdan Shaqiri dhe sulmuesi Albert Bunjaku.
Stadiumi: "Nelson Mandela Bay Stadium", Port Elizabeth
Kapaciteti: 48.500
E hënë (16.00)
Arbitër kryesor: Khalil Al Ghamdi (Arabia Saudite)
Përbërjet e mundshme:
Kili (4-3-3): Bravo; Isla, Ponce, Medel, Vidal; Carmona, Millar, Fernandez; Sanchez, Suazo, Beausejour
Zvicra (4-4-2): Benaglio; Lichtsteiner, Grichting, Von Bergen, Ziegler; Barnetta, Inler, Huggel, Fernandes; Derdiyok, Nkufo.