"Shëndeti" dhe zhvillimi i mikroflorës së dobishme të zorrëve varet shumë nga ushqimi që merr çdo ditë njeriu. Prandaj nuk duhet harruar se duhet të hamë e të pimë edhe për "shëndetin" e saj. Të ushqyerit e gabuar mund të dëmtojë këtë mikroflorë, dhe si pasojë të lejojë përhapjen e mikrobeve të dëmshme. Kështu p.sh. "Bacterium coli", shumë i rëndësishëm për simbiozën njeri- bakter, mund të shndërrohet në "bacterium paracoli" të dëmshëm. Në këtë mënyrë fabrika e vitaminave, siç u tha më sipër, mund të kthehet në punishte helmesh, duke sjellë çrregullime shëndetësore, si dhimbje koke, lodhje, vjellje etj., etj.
Pra, kjo mori bakteresh (coli dhe varietete të tjera) në përgjithësi na japin më shumë sesa na marrin, duke mos pretenduar ushqime të tjera nga ato që hamë ne. Në qoftë se hamë ushqim të papërshtatshëm për veten tonë, kemi marrë gjirthashtu gjëra të papërshtatshme edhe për mikroflorën e dobishme të zorrëve.
Njeriu i kohëve të lashta ushqehej shumë më tepër, për të mos thënë tërësisht, me ushqime të ashpra, të papërpunuara dhe të vështira për t'u tretur. Atëherë simbioza makro-mikroorganizëm ishte më e mirë dhe më e dobishme. Kalimi gjatë evolucionit në ushqime më të rafinuara, që treten dhe asimilohen më lehtë, ka sjellë patjetër ndryshime në këtë simbiozë, duke u adoptuar të dyja palët. Por, se deri ku ka arritur ky adoptim, nuk dihet ende plotësisht. Gabimet në të ushqyer që mund të bëjë sot njeriu çojnë patjetër në dëmtime të rënda të shëndetit. Në këtë mes nuk duhet përjashtuar edhe roli i veprimtarisë së mikroflorës së zorrëve që strehohet vazhdimisht aty.
Disa procese të tjera të dobishme të mikroorganizmave në jetën e përditshme të njeriut.
Këtu do të përmendim vetëm disa procese fermentimi për prodhimin e shumë produkteve ushqimore të reja, të vlefshme për organizmin dhe jetën e njeriut në përgjthësi.
- Në prodhimin e bukës dhe produkteve të tjera drithore, veprimtaria e mikroorganizmave të fermentimit është një domosdoshmëri. Nëpërmjet tyre këto produkte përfitojnë shijen dhe aromën e këndshme, porozitetin e duhur dhe ruajtshmërinë e tyre.
- Prodhimi i kosit nga qumështi bëhet nëpërmjet veprimtarisë së mikroflorës së fermentimit laktik, ashtu sikurse u theksua edhe më sipër. Në këtë mënyrë rezulton një produkt i vlefshëm dhe i shëndetshëm për organizmin e njeriut.
- Nga fermentimi alkoolik i lëngut të rrushit (sheqerit të rrushit), prodhohet vera, një produkt ushqimor shumë i dobishëm për organizmin. Sigurisht i përdorur me masë dhe i kombinuar me ushqim të përshtatshëm.
- Po kështu, prodhimi i birrës, përveç proceseve të tjera, duhet të kalojë në proceset e fermentimit me maja (fermente ) të pastra për prodhimin e alkoolit etilik në një masë të kufizuar.
Prodhimi i alkoolit etilik (etanolit) të pastër nga produktet ushqimore që përmbajnë sheqerna (drithëra, patate etj) bëhet me anën e fermentimit alkoolik me maja alkoolike, që kryejnë procese të nevojshme transformuese.
Pra, duke përdorur mikroorganizmat e tipeve të ndryshme të baktereve dhe majave, mund të prodhojmë në kushte industriale shumë produkte të nevojshme për organizmin e njeriut dhe ekonominë e vendit.