Prishtinë, 3 nëntor - Bujar Begu është trajneri më i ri në Superligën e Kosovës në basketboll, por nuk është më i papërvojë. Ai me 28 vjet ka shtatë vjet përvojë dhe këtë edicion i është besuar posti i kryetrajnerit te kampioni i dyfishtë i pasluftës, Trepça nga Mitrovica. Drejtimin e kësaj skuadre e mori pas suksesit që tregoi me skuadrën e Mitrovicës edicionin e shkuar, të cilën e promovoi në Superligë duke humbur vetëm një ndeshje, shkruan “Koha Ditore”.
Ai edhe vetë është befasuar me ngritjen e shpejtë. Ai nuk ka pritur që sivjet të drejtojë Trepçën.
"Nuk kam pasur ambicie të jem trajner i Trepçës, por kryesia ka vendosur të më emërojë pas sukseseve që arrita, sidomos me Mitrovicën. Kam pritur të jem trajner i Mitrovicës, pasi këtë skuadër e kam futur në Superligë. U befasova kur dëgjova se do të jem trajner i Trepçës", ka rrëfyer Begu të martën. "Kam shtatë vjet përvojë si trajner dhe ky është debutimi im në Superligë, pasi më herët nuk kam punuar as si ndihmës i dikujt. E di që kam marrë një barrë të madhe mbi supe, por kam pranuar këtë post dhe po vazhdoj me punën time. Kam përvojë më shumë me gjeneratat e reja dhe në Ligën e Parë".
Me moshën e tij lojtarët aktivë gëzojnë formë të mirë, disa edhe kulmore. Edhe vetë Begu ka paramenduar se në këtë moshë do të jetë vetëm një lojtar kyç i Trepçës, asgjë më shumë. Begu ka luajtur për këtë skuadër dhe ishte afër të stabilizohej në skuadër, por karriera mori kahe tjetër dhe ai u "zhyt" në ujërat e trajnerllëkut.
"Unë kam qenë basketbollist i Trepçës dhe kam luajtur në ekipin e juniorëve dhe kisha synime të stabilizohesha në ekipin e parë, që njëherësh ishte edhe ëndrra ime më e madhe, por gjërat ndryshuan kur regjistrova fakultetin. Kështu që, puna e trajnerit m'u imponua dhe hoqa dorë nga ëndrra ime", tha Begu.
Begu punon çdo ditë me më të rinj dhe me më të moshuar në skuadër. Ndihmës i tij është ish-trajneri i tij te klubi Mitrovica, Mehmet Xhemajli, kurse lojtarë aktivë janë disa basketbollistë goxha më të moshuar se ai, si Ilir Selmani e Naim Haxha. Ai thotë se e çon mirë me të gjithë.
Në dy ndeshjet e para të këtij edicioni, Begu me Trepçën ka regjistruar një fitore dhe një humbje. Mposhti skuadrën e Mitrovicës dhe pësoi nga ajo e Pejës.
Puna e tij e parë si trajner ishte me gjeneratat e reja të shkollës së basketbollit "Arda Rei" në vitin 2003. Pas dy vjetëve kthehet në Mitrovicë për të punuar në shkollën e basketbollit, së pari me kadetët e Trepçës, pastaj juniorët dhe në fund emërohet trajner i Mitrovicës në Ligën e parë. Tani është i Trepçës në Superligë.
"Dua të tregohem i suksesshëm edhe në Superligë dhe synimi im është të dërgojë Trepçën në plejof njëherë përnjëherë dhe pastaj do të shohim si do të shkojë puna me përforcime", deklaroi Begu. "Tash për tash nuk kemi përforcime, thjesht po luajmë me ekipin rezervistë".
Trepça këtë edicion po luan pa basketbollistin kryesor Drilon Hajrizi, që gjatë verës u transferua në Turqi dhe pa qendrën boshnjake Fikret Hangjiq, që më vonë pritet t'i bashkohet skuadrës.