( Reagim ndaj shkrimit “Mos u kthefsh më”, i Burim Ramadanit, sekretar i AAK-së)
Para pak javësh, sekretari i përgjithshëm i AAK-së, Burim Ramadani, kishte deklaruar që “prej çlirimit të Kosovës vendi nuk ka pasur qeveri më të dobët dhe më të brishtë sesa ajo e Thaçit”. Një përfundim i tillë, përveçqë është i ndërtuar mbi argumente populiste dhe demagogjike, shpërfaq njëherazi edhe prirjen e z. Ramadani për t’i absolutizuar të vërtetat e ekzistencës tonë, orvatjen e tij të pafundme për ta shndërruar vetveten në arbitër të së vërtetës dhe, brenda mundësive, në autoritet të gjithëdijshëm. Ndonëse ky element është tepër shqetësues, madje shumë i rrezikshëm, pika kontestuese e asaj çfarë ka deklaruar z. Ramadani qëndron në një rrafsh krejtësisht tjetër: atë të dobësisë së qeverisë Thaçi. Sipas fjalëve dhe “argumenteve” të tij, Thaçi paska qenë kryeministri më i dobët që nga periudha e pasluftës! Një konstatim i tillë jo vetëm që nuk është i qëndrueshëm dhe objektiv, por destrukton dhe përgënjeshtron tërë paradën e akuzave që Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës e ka drejtuar në adresë të kryeministrit Thaçi. Vëzhguesit e kujdesshëm të jetës politike, të cilët, për fatin tonë të mjerë, janë të paktë në numër, do t’i gëlojnë kujtimet e tyre, kur të gjithë anëtarët e AAK-së, duke përfshirë edhe vetë z. Ramadani, e kanë akuzuar kryeministrin Thaçi për ushtrim diktati në kuvend, në sistemin gjyqësor, në media, në procesin e privatizimit etj. Akuza të tilla, disa prej të cilave, dorën në zemër, kanë qenë edhe histori të stisura, po dëgjojmë edhe këto ditë fushate nga ta, e veçmas nga z. Ramadani. Në një emision në TV Klan, ku ishin të ftuar edhe anëtarë të subjekteve të tjera politike, z. Ramadani kishte pohuar që “të gjitha institucionet janë nën ndikimin dhe kontrollin e qeverisë Thaçi”. Në këtë kontekst, nëse shprehemi se kabineti Thaçi paska qenë qeveria më e dobët dhe më e brishtë në historinë e kryeministrave dhe të qeverive të pasluftës, si mundet atëherë që një qeveri, kaq e pafuqishme dhe e plogësht siç po pikturohet, të ushtrojë ndikim, influencë apo kontroll në pushtetet dhe institucionet e tjera? Për autoritetet e gjithëdijshme, siç ngjan edhe me z. Ramadani, kjo nuk përbën assesi kontradiktë, nuk shpërfaq ndonjë inkonsistencë apo delikatesë në kongruimin e tezës së parë me antitezën e dytë! Andaj, kryerrënjën e të gjitha katrahurave dhe përçudnimeve, të cilat e kanë goditur çdo ditë jetën e qytetarit të ngratë dhe të gjorë, nuk duhet kërkuar tek “argumenti” se qeveria Thaçi paska qenë shumë e dobët dhe e brishtë. Përkundrazi, duhet lypsur tek sundimi i hekurt që ka mbisunduar dhe mbipeshuar jetën politike dhe publike në Kosovë. Pra është pikërisht dora e hekurt dhe fortësia e sundimit të saj që ka ndikuar në ngufatjen e pushteteve të tjera, siç është rasti me kuvendin dhe sistemin gjyqësor të Kosovë, ku edhe raportet ndërkombëtare, duke përfshirë edhe Raportin e fundit të Progresit të KE-së e kanë evidencuar për mrekulli. Prandaj, nuk është mirë që, në njërën anë, të deklarohet se Thaçi është kryeministri më i dobët dhe më i plogësht i pasluftës dhe, në anën tjetër, të kumtohet se të gjitha institucionet janë nën ndikimin, diktatin dhe kontrollin e tij. Nuk bën. Nuk bën. Është gabim elementar logjik: contradictio in adjecto (është në kundërshti me vetveten).