Dhimbja dhe trishtimi ka lënduar tri motra brenda një viti. Fati i tyre është aq i trishtë sa edhe i pabesueshëm, por, në fakt, ka ndodhur. Brenda vitit 2010, të tri motrat janë diagnostikuar me kancer dhe të tri motrat sëmundjen e rëndë e kanë pasur në të njëjtin vend dhe pikërisht në gjoks.
Rasti i rrallë ka habitur edhe bluzat e bardha, pasi ndonjëherë ishin ndeshur me dy raste në një familje, por për tre motra ishte e rrallë. Kryeinfermierja e shërbimit të Onkologjisë në Qendrën Spitalore Universitare "Nënën Tereza", Blerina Cenameri, pohon për gazetën se rasti i tri motrave i ka habitur, megjithëse shkencërisht kjo sëmundje në shumë raste është e trashëguar.
Duket e frikshme, megjithatë ato kanë ditur ta përballojnë këtë sfidë. Në dhomën e pacientes shikon vizitorë dhe familjarë, të cilët i rrinë te koka ditën dhe natën. Për ta ky problem është kthyer në rutinë, sepse spitali u është bërë si shtëpi e tyre duke qëndruar afër motrave që kanë zëvendësuar njëra-tjetrën.
Tri motrat brenda vitit i janë nënshtruar bisturisë dhe në të njëjtin vend për të shpëtuar jetën. Kirurgët duket se janë ndeshur me të njëjtën diagnozë dhe kanë bërë maksimumin që ato ta kalojnë më sukses këtë sfidë. Në shtratin e spitalit Onkologjik, momentalisht ndodhet njëra nga tri motrat, e cila është rreth të 50-ve dhe profesioni i saj është pedagoge.
Sëmundjen po e lufton me çdo mënyrë edhe pse e ka sulmuar dy herë brenda vitit. "Të tri motrat janë bërë operacion për të hequr masën nga gjoksi. Në fakt, motra 50-vjeçare është bërë operacion dy herë, sepse kirurgët e panë të domosdoshëm ndërhyrjen sërish", - pohon kryeinfermierja Cenomeri. Madje, ajo tregon se të tri motrat i janë nënshtruar kimioterapisë, sepse ky proces mjekimi ka qenë i pashmangshëm për to.
E ndërsa fatkeqësia i ka përplasur në dyert e spitalit, problemet e pacienteve nuk mbarojnë këtu. Në fakt, nuk është vetëm problemi i tyre, por i të gjithë pacientëve të shërbimit të Onkologjisë, pasi pjesa më e madhe e citostatikëve mungojnë në spital. Bluzat e bardha pohojnë se prej disa muajsh përballen me mungesën e citostatikëve (barnat e mjekimit të pacientëve me kancer) dhe se këtë problem e kanë ngritur edhe në drejtori.
Ndërsa pacientët pohojnë se citostatikët i blejnë në farmaci dhe se janë shumë të shtrenjta për t'i përballuar. "Mund të shpenzojmë deri në 1 milion lekë në muaj dhe për fat të keq kjo është e papërballueshme për ne", - pohon njëri nga pacientët e shërbimit të Onkologjisë.
Kirurgu: Diagnostikimi i hershëm shpëton jetën
Rasti i tri morave me kancer në gjoks brenda një viti duket i rrallë kur e dëgjon, por shkenca e njeh këtë dukuri. Kirurgu i Shërbimit të Onkologjisë në Qendrën Spitalore Universitare "Nënë Tereza", Artan Bodeci, pohon se trashëgimia është një ndër faktorët kryesor të kancerit të gjirit.
Sipas tij, në vitet '80 kishim rreth 200 raste të reja në vit, ndërsa pas vitit 2000 numri i rasteve të reja ka arritur në 400 në vit. Rritja e numrit të rasteve të reja, sipas kirurgut, lidhet me disa arsye, duke filluar nga rritja e numrit të femrave që depitohen nga viti në vit.
Gjithashtu, ai pohon se janë rritur faktorët e riskut, sepse ka ndryshuar edhe stili i jetës, sepse femrat sot konsumojnë alkool, duhan, përdorin më shuam kontraceptivë me përbërës hormonal. Mund të them se faktor risku është edhe lindja e fëmijëve në moshë të madhe nga femrat, pasi tashmë preferojnë të lindin pas moshës 30-vjeçare.
"Ajo çka dua të theksoj është se faktor risku është trashëgimia. Kjo nuk do të thotë se nëse dikush në fis është me kancer do të jetë domosdoshmërisht gjithë fisi", - pohon kirurgu Artan Bodeci, duke shtuar se çdo femër mund të jetë e riskuar të bëjë kancer në gjoks.
Duke u nisur pikërisht nga këta faktorë risku dhe rrezikshmëria apeli i kirurgut është kontrolli periodik që femrat duhet të bëjnë. Sipas tij, kanceri i gjirit tashëm është i shërueshëm, nëse kapet në faza fillestare në të kundër pastaj, pasojat mund të jenë fatale.
Sipas tij, çdo femër mbi të 30-at duhet të bëjë mamografinë një herë në 6 muaj. Ndërkohë, ai pohon se kapje në fazat fillestare të kancerit të gjoksit ndikon edhe në efektet kozmetike, pasi mund të ruhet estetika e gjoksit.