Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa është lideri më i votuar në Kosovë me 126 mijë vota, i pasuar nga oponenti i tij politik, kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Hashim Thaçi, me 114 mijë vota.
Burime të gazetës “Zëri” brenda Komisionit Qendror të Zgjedhjeve kanë bërë të ditur se krahasuar me zgjedhjet e kaluara nacionale të 2007-së kur Hashim Thaçi i printe “top- listës” së njerëzve më të votuar, i pasuar nga Fatmir Limaj dhe Fatmir Sejdiu, tani pas tre vjetësh, ai ka rënë në vendin e dytë. Ndonëse PDK-ja më 12 dhjetor ka dalë si partia numër 1, me 32 për qind të votave apo me 206. 929 vota, kreu i saj, Hashim Thaçi nuk ka arritur të marrë më shumë se gjysmën e këtyre votave.
Ndërkaq, derisa partia që Mustafa drejton ka arritur t’i marrë 159 mijë e 823 vota, ai ka marrë 126 mijë vota, që i bie diku 30 mijë vota më pak se partia.
Rënien në vota të kryeministrit në largim, Hashim Thaçi dhe ngritjen e liderit të LDK-së, Isa Mustafa, të martën nuk kanë dashur ta komentojnë drejtuesit e Partisë Demokratike të Kosovës. “Meqenëse unë nuk i kam ato rezultate, nuk mund t’i komentoj, sepse nuk i kam parë. Kur të dalin zyrtarisht, i shohim. Unë nuk mund të operoj tash me informacione tuaja”, ka thënë nënkryetari i PDK-së, Rrustem Mustafa.
Vendin e tretë si njeriu më i votuar në Kosovë e ka zënë Fatmir Limaj, “pozitë” të cilën deri më 12 dhjetor e mbante ish- kryetari i LDK-së dhe ish- presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu. Edhe pse ka rënë nga “pozita” e dytë në të tretën si njeriu më i votuar në Kosovë, ai ka marrë më shumë vota se sa lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, se sa kreu i AKR-së Behgjet Pacolli, etj. Sipas burimeve të gazetës, Limaj ka arritur t’i marrë mbi 64 mijë vota.
Vendin e katërt si njeriu më i votuar në Kosovë në këto zgjedhje e ka zënë “Albin Kurti. Ai ka arritur t’i marrë 56 mijë vota. Kryetari i AKR-së Behgjet Pacolli ka marrë 28 mijë vota, derisa Agim Çeku ka marrë 13 mijë vota.
Ndërkaq, mësohet se ushtruesi i detyrës së presidentit Jakup Krasniqi nuk ka arritur të marrë më shumë se 19 mijë vota, sa mësohet të ketë marrë edhe ministri i Arsimit, Enver Hoxhaj. I dyti i ekzekutivit, Hajredin Kuçi ka marrë vetëm 14 mijë vota.