Los Angeles, 13 janar - LA Lakers nuk ka ndier keqardhje për të klubin e pafat, Cleveland Cavaliers. Lakersat thjesht kanë luajtur me ritëm të lartë dhe kanë përfunduar punën e tyre.
Ata kanë demoluar të martën mbrëma Clevelandin me rezultatin 112:57, duke i regjistruar kësaj skuadre humbjen e 11-të me radhë. Për Lakersat kjo ishte performanca më e mirë defensive që nga prezantimi i kronometrit për ekzekutim të aksionit.
Kjo është fitorja e tretë më e thellë e Lakersave që kur janë bartur në Los Angeles. Dy fitoret më të thella i kishin shënuar në vitet 1972 dhe 1966.
"Kurrë nuk e paramendon se një gjë e tillë mund të ndodh. Ne thjesht dalim në parket për të kryer punën tonë dhe ne e kryem punën me sukses për 48 minuta", ka thënë ylli i Lakersave, Kobe Bryant, që shënoi 13 pikë.
Ron Artest e Andrew Bynum ishin realizatorët më të mirë me nga 15 pikë. Në të vërtetë për Lakersat pikë dyshifrore shënuan plot shtatë basketbollistë. Pos, Bryantit, Artestit e Bynumit, shënuan pikë dyshifrore edhe Pau Gasol (13), Lamar Odom (13), Shannon Brown (13) dhe Derek Fisher (10).
Kampionët në fuqi të NBA-së, Lakersat, qysh në fund të pjesës së parë ishin duke udhëhequr me 32 pikë dallim, në përballje me skuadrën më të dobët të NBA-së këtë stinor.
"Ishte e turpshme. Unë u kam thënë basketbollistëve të mi në pushim mes dy pjesëve 'Po dukeni të frikësuar. Po dukeni të tmerruar. Po luani kundër kampionëve dhe në vend se të luani fort dhe të garoni, po qëndroni të frikësuar. Po dukeni të frikësuar për vdekje'. Kështu edhe ishte", ka thënë trajneri i Clevelandit, Byron Scott.
Keqardhje për trajnerin e Clevelandit ndjeu edhe Kobe Bryant.
"Ka qenë në një situatë të vështirë. Atë e kam si vëlla të madh dhe është e vështirë ta shoh duke kaluar gjëra të tilla", ka thënë Bryant.
Rezervisti Alonzo Gee me 12 pikë ishte më i miri te Clevelandi, ndërsa Ramon Sessions shtoi 10 pikë.
"Ne kemi pasur një mision defensiv. Jemi munduar të limitojmë ata në sa më pak pikë", ka thënë trajneri i Lakersave, Phil Jackson.
Misioni i paraparë u arrit. Asnjë kundërshtar i Lakersave nuk ka shënuar më pak pikë në ndeshje, që kur është prezantuar kronometri.
Për Clevelandin kjo ishte humbja e 30-të, ka 8 fitore që është bilanci më i dobët këtë stinor. Lakersat ndërkohë kanë bilanc prej 28 fitoreve e 11 humbjeve.
"Nuk mund të shkojë më keq se kaq. Dikush duhet të më ndihmojë, pasi nuk e di sesa shumë nga kjo mund të duroj. Definitivisht është një nga momentet më të turpshme në karrierën time si basketbollist", ka thënë ylli i Clevelandit, Antawn Jamison, që ndeshjen e mbylli me vetëm gjashtë pikë.
Që nga largimi i superyllit LeBron James drejt Miamit, Clevelandi ka rënë nga një skuadër pretendente për titull, në skuadrën më të dobët në NBA. E keqja u bë edhe më e madhe të martën kundër Lakersave, pasi Clevelandi ishte pa qendrën Anderson Varejao, si dhe Joey Grahamin, Daniel Gibsonin, Leon Powen e Anthony Parker - të gjithë të lënduar.
"Ka qenë një skuadër e shkatërruar. Clevelandi po luan pa shumë titullarë, kështu që po ka vështirësi. Por, ata vazhduan të luajnë dhe u munduan", ka thënë trajneri i Lakersave, Jackson.
LA Lakers - Cleveland 112:57
(Artest, Bynum 15 - Gee 12)
Portland - New York 86:100
(Aldridge 19 - Stoudemire 23)