Kur melanoma malinje përhapet, padyshim se këtë e arrin me anë të sistemit limfatik. Nyja e parë limfatike e cila dëmtohet quhet “nyja rojtare”.
Kjo nyjë mund të identifikohet me injektimin e ngjyrës dhe një gjurmuesi radioaktiv në vendndodhjen e parë të tumorit. Gjatë biopsisë së nyjës rojtare, ajo lokalizohet nga një sondë, ndërsa konfirmohet se është pikërisht ajo duke përdorur ngjyrën e kaltër, dhe pastaj merret për t’u analizuar.
Rreth 80 % e pacientëve nuk kanë melanomë në nyjën rojtare, ndërsa te pacientët tjerë serioziteti i tumorit varet nga depozitimet e vogla të melanomës në sinuset subkapsulare deri te zhvendosja e plotë e nyjave rojtare me përhapje ekstrakapsulare. Pacientët të cilët rezultojnë negativ në ekzistimin e nyjës rojtare, kanë prognozë më të mirë të sëmundjes në krahasim me ata të cilët rezultojnë pozitivë, ndërsa prognoza përkeqësohet edhe më shumë kur “barra” tumorale rritet edhe më shumë.
Të dhënat tregojnë se depozitimet e vogla të akumuluara të melanomës nuk kanë lidhje prognostike dhe nuk do të progresojnë ose të shpërndahen më tutje, pasi që sistemi imun i pacientit dhe disa faktorë të tjerë nuk e lejojnë një gjë të tillë. Duke pasur parasysh prognozën jo të keqe të këtyre depozitimeve të vogla në nyjën rojtare, këto quhen si prognozë false pozitive. Kjo prognozë e rrejshme mund të çojë deri te kuptimi i gabueshëm i sëmundjes, dhënia e informatave të pasakta pacientit lidhur me sëmundjen e tij, ndërhyrje të panevojshme kirurgjike, siç është limfadenoktomia ose ordinimi i ndonjë terapie të papërshtatshme ndihmëse.
Përparësitë terapeutike të biopsisë së nyjës limfatike rojtare
Një eksperiment i bërë në vitin 2001 te pacientët me melanomë primare të lokalizuar, qoftë te ata të cilët janë trajtuar me limfadenoktomi të vonuar (nëse kanë zhvilluar një nyjë regjionale e cila është bërë e prekshme) ose me anë të biopsisë, ku janë trajtuar herët me limfadenoktomi nëse nyja rojtare ishte pozitive te melanoma metastatike.
Ndërmjet dy grupeve të personave me melanomë të cilët kishin mbijetuar nuk është vërejtur ndonjë dallim sinjifikant. Këto rezultate ishin befasuese sepse dy studime të mëparshme kishin treguar një raport prej 22 % dhe 12 % të përparësisë në mbijetesën në rastet e limfadenoktomisë së mëhershme. Ky dallim i madh në mbijetesë ndërmjet një studimi të kontrolluar mirë dhe dy studimeve tjera të thjeshta, mund të shpjegohet pikërisht me praninë e reaksion të rrejshëm të nyjës rojtare te pacientët në rastin e dy studimeve të pa kontrolluara mirë.
Nëse limfadenoktomia e hershme nuk ka përparësi terapeutike, dhe në mungesë të terapisë efektive shtesë, është plotësisht e justifikuar metoda e biopsisë së nyjës limfatike rojtare për shkak të vlerave të saja prognostike. Sfida më e madhe për metodën e biopsisë së nyjës rojtare vjen nga përdorimi i ultrazërit, i cili është i suksesshëm te 1/3 e pacientëve të cilët janë gjetur me nyjë rojtare pozitive dhe ka rrezik më të vogël. Aftësia e ultrazërit në identifikimin e nyjave pozitive rojtare arrin deri në 50 % (me saktësi 100%) në rastet kur nyja limfatike është e lokalizuar me anë të limfosintigrafisë.
Biopsia e nyjës limfatike rojtare ishte përcaktuar si metodë, para se të kuptohej që rezolucioni i lartë i ultrazërit (i cili mund ta identifikojë edhe neovaskulaturën) mund të identifikonte depozitimet e melanomës më të vogla se 3-4 mm në nyjat limfatike. Vlerësimi i bazës së nyjës limfatike me anë të ultrazërit është një metodë e mospërfillur dhe nuk përdoret në mënyrë rutine për shkak të rrezikut gjatë kohës së diagnostikimit të tumorit primar në bazën e nyjës limfatike.
Një tjetër alternativë, kundrejt biopsisë së nyjës limfatike rojtare, është përdorimi i algoritmeve të faktorëve histologjikë të cilët janë në lidhshmëri me tumorin primar. Kjo metodë është po aq e saktë në përcaktimin e prognozës po aq sa është statusi i nyjës rojtare.
Përdorimi i biopsisë së nyjës rojtare limfatike
Rekomandimet shëndetësore ndërkombëtare për këtë metodë theksojnë se, biopsia e nyjës limfatike rojtare duhet të realizohet vetëm në qendrat në të cilat ekziston eksperiencë klinike për këtë procedurë dhe kuptohet, vetëm në kuadër të provave të lejuara nga komiteti i etikës mjekësore. Sidoqoftë për të ruajtur ekspertizën e tyre, qendrat mund të ofrojnë bërjen e kësaj biopsie vetëm gjatë fazave eksperimentale, të cilat janë të lejueshme për zhvillimin e mëtutjeshëm të procedurave diagnostiko dhe mjekuese. Megjithatë, në Britaninë e Madhe, biopsia e nyjës rojtare limfatike përdoret edhe jashtë eksperimenteve në formë të një ekzaminimi jo rutinë, por i cili është i ndikuar në mungesë të alternativave tjera. Madje në disa rajone kjo procedurë ofrohet si një trajtim rutinë nga dermatologët dhe kirurgët entuziastë. Ndërsa ka edhe rajone ku nuk preferohet përdorimi i saj.
Përfundim
Sipas të dhënave të deritanishme, biopsia e nyjës limfatike rojtare nuk ka ofruar ndonjë përparësi në mbijetesën e pacientëve më melanomë malinje, dhe ende nuk ka terapi ndihmëse në dispozicion e cila do t’u hynte në punë pacientëve me nyjë rojtare pozitive. Ekzaminimi dhe mbikëqyrja me anë të ultrazërit mund t’i identifikojë mikrometastazat para se ato të bëhen të prekshme. Megjithatë zbulimi i nyjave limfatike pozitive të rrejshme me anë të biopsisë do t’i mbrojë pacientët nga limfadenoktomia e panevojshme.