Nga:ALBIN KURTI
45 % e popullsisë në Kosovë jetojnë me më pak se dy dollarë në ditë,
kurse 18 % të tjerë jetojnë me më pak se një dollar në ditë. Njerëzit
nga kategoria e parë konsiderohen të varfër, ndërkaq për njerëzit nga
kategoria e dytë thuhet se janë në varfëri të skajshme. Rregullisht i
dëgjojmë e lexojmë këto të dhëna të Bankës... Botërore në televizionet,
radiostacionet e gazetat tona. Që të gjithë i dimë dhe secili i ka
mësuar. Por, a i dimë me të vërtet dhe çka në fakt kemi mësuar?
Konstatimi i vazhdueshëm publik i varfërisë në Kosovë, në formën e
përqindjeve të caktuara e ka krijuar
përshtypjen që varfëria është këtu për të mbetur. 45% dhe 18% – kjo
është Kosova.
45 me 2 dhe 18 me 1 – këta janë numrat identifikues të
Kosovës. Kosova është e varfër, sepse Kosova është kaq e varfër: 45 me 2
dhe 18 me 1. Këta janë numrat e vendit tonë; kështu jemi, sepse këta
numra i kemi. Nuk ka çka të diskutohet këtu. Është kështu siç është. Ky
është realiteti ynë. Ky realitet jemi ne, të këtillë çfarë jemi. Ndoshta
dikur ka qenë më ndryshe, ndoshta dikur do të bëhet ndryshe, por nuk e
dimë këtë. E dimë që jemi kështu: 45% aso dhe 18% këso.
Varfëria e
kurthuar kësisoj në brutalitetin e numrave fiks ngjan si një fakt
objektiv, që mund ta perceptosh më parë se sa ta ndryshosh dhe që mund
ta përshkruash më parë se sa ta shpjegosh. E sublimuar në numrat
përkatës, varfëria përjetohet si imanenca e situatës sonë, që mund të
përdoret si argument në diskutimet politike e të tjera, por jo edhe të
diskutohet ajo vetë.
Varfëria e kuantifikuar profesionalisht bëhet
përgjigje për shumë pyetje që ngrihen, duke mos lejuar që ajo vetë të
vihet në pikëpyetje. Nga një dukuri me shkaqe politike, varfëria është
shndërruar në fakt jetësor.
Thonë që jemi të paditur e me shëndet të
dobët, sepse jemi të varfër; që kemi politika të mbrapshta qeveritare,
sepse jemi të varfër; që kemi institucione shtetërore të dobëta, sepse
jemi të varfër; që nuk jemi të zhvilluar dhe kemi korrupsion, sepse jemi
të varfër. Por, nuk thuhet e sqarohet pse jemi të varfër. Ose: qenkemi
të varfër, sepse jemi të varfër.
Kaq. Varfëria na qenka njëfarë
mallkimi ynë për të cilin s’ia vlen të debatosh. Ajo është një fakt i
kryer, kontestimi i së cilës është veçse vajtim i kotë.
E vërteta është se duhet përmbysur ky rend alogjik i gjërave.
Ne
jemi të varfër, për shkak se jemi të paarsimuar e me shëndetësi të
dobët; ne jemi të varfër, për shkak se kemi politika qeveritare të
mbrapshta; ne jemi të varfër, për shkak se kemi institucione shtetërore
të dobëta; ne jemi të varfër, për shkak se nuk jemi të zhvilluar dhe
kemi korrupsion; dhe ne jemi të varfër e kemi fare pak - ndonëse jemi të
ndershëm - për shkak se dikush tjetër ka tepër shumë në mënyrë të
pandershme. Para se të jetë shkaku i shumë fenomeneve shoqërore e
kulturore (të shumicës së qytetarëve), varfëria është pasojë e
politikave ekonomike (të udhëhequra nga pakica prej pushtetarëve).
Në
anën tjetër, varfëria e shënjuar me numrat e ftohtë të saj, 45 me 2 dhe
18 me 1, e mpin trurin e publikut lidhur me mjerimin e përditshëm, në
të cilin ai është pllakosur. Këta 18% që jetojnë me më pak se një dollar
në ditë janë njerëz të uritur për çdo ditë, që as bukë nuk kanë
mjaftueshëm.
Sigurisht që nuk kanë as ngrohje, rroba, këpucë e
pastrim adekuat dhe janë të ngujuar aty ku banojnë, meqë asnjëherë
s’kanë para për udhëtim me autobus. Të gjitha këto probleme i kanë edhe
ata me shifrën 45 me 2. Dallimi është në nuancë dhe jo në lloj. Me dy
dollarë në ditë nuk ke ditë kushedi sa më të mira, sesa ai që ka vetëm
një dollar në ditë.
Prandaj, kur politikanët kosovarë flasin për
mirëqenien sociale, duke iu referuar arsimit cilësor, shëndetësisë së
avancuar dhe punësimit sipas profesionit, harrojnë që nuk janë duke i
folur shumicës dërrmuese të popullsisë. Aq e rëndë është bërë gjendja në
Kosovë me çmimet që sa vijnë e rriten, saqë mirëqenia sociale për
shumicën nuk përkufizohet në terma të jetesës, por të mbijetesës.
Kemi
rënë në rrafshin ekzistencial, ku për shumicën e popullsisë mirëqenia
sociale nuk matet më me arsimin, shëndetësinë e punësimin, por me
ushqimin, veshmbathjen, ngrohjen, higjienën dhe transportin. Nuk mund të
bëjnë mësim nxënësit nëpër shkolla, nëse janë të uritur.
Nuk mund
të shërohen pacientët nëpër spitale kur aty s’ka ngrohje dhe as higjienë
të duhur. Nuk ka se çfarë i duhet kujt vendi i punës, nëse gati gjysmën
e pagës ia marrin shpenzimet e udhëtimit. Edhe sa shqiptarë duhet të
mbyten në lumin Tisa, apo nëpër malet e Bosnjës, duke ikur nga Kosova,
që pushteti dhe politikanët e numrave të ftohtë ta kuptojnë këtë gjë?!