Paris, 19 mars (E plotësuar) – Një aeroplan luftarak francez sot rreth orës 16 e 45 minuta ka hapur zjarrin e parë kundër forcave të Gaddafit në Libi, ka njoftuar zëdhënësi i Ministrisë së Mbrojtjes së Francës Tiery Burkar, raporton AP. Ai ka saktësuar se sulmi ka ndodhur rreth orës 16:45 sipas kohës së Evropës së Mesme. Cak i sulmit të parë të avionit francez ishin automjetet ushtarake, por nuk është saktësuar se për cilat bëhet fjalë.
Sipas TV Al Jazeera, aeroplani francez gjatë sulmit ka shkatërruar 4 tanke libiase në jugperëndim të Benhazit.
Sipas zëdhënësit të Ministrisë së Mbrojtjes së Francës në operacionin kundër Gaddafit po marrin pjesë 20 aeroplanë ushtarak në rajonin prej 100-150 kilometra nga Benghazi, që është epiqendra e luftëtarëve kundër Gaddafit.
Aeroplanbartësi francez “Sharl de Gol” të dielën do të niset në drejtim të Libisë, njoftojnë mediat botërore, sipas të cilave për në Libi tashmë janë nisur edhe aeroplanët luftarak britanik.
Aeroplanët luftarakë francezë kanë hyrë para disa orësh në hapësirën ajrore të Libisë për të parandaluar sulmet nga forcat e Gaddafit ndaj bastionit të kryengritësve në qytetin Benghazi. Ndërkohë Gaddafi u ka dërguar një letër liderëve botërorë ku i kërcënon se do të pendohen nëse vendosin ta sulmojnë Libinë.
Përfaqësuesit më të lartë të Bashkimit Evropian dhe të atij Afrikan, të Kombeve të Bashkuara dhe të Ligës Arabe kanë zhvilluar konsultime në Paris, lidhur me hapat e tjerë kundër regjimit në Libi.
Në një konferencë shtypi, menjëherë pas këtij takimi, presidenti francez Nicolas Sarkozy ka deklaruar se aeroplanët luftarakë francezë kanë hyrë në hapësirën ajrore të Libisë, për të parandaluar sulmet nga forcat e Gaddafit, veçanërisht kundër qytetit Benghazi, ku njoftohet se ka pasur luftime të ashpra gjatë ditës.
Sarkozy ka theksuar se kolonel Gaddafi ka shumë pak kohë në dispozicion për t’u dhënë fund sulmeve ndaj kryengritësve në vend. “Forcat tona ajrore do të kundërshtojnë çdo agresion”, ka thënë presidenti francez.
Ndërkohë televizioni Al-Jazeera ka njoftuar se në spitalin e qytetit Bengazi janë pranuar 26 trupa të pajetë dhe më shumë se 40 të plagosur nga bombardimet në qytet.
Ndërkohë një aeroplan i forcave të Gaddafit është rrëzuar, kurse luftime ka pasur edhe në Misrata, në perëndim të vendit.
Megjithëse të premten, zyrtarisht, Libia ka njoftuar fundin e menjëhershëm të luftimeve dhe ministri i Jashtëm libian Mussa Kussa është shprehur se vendi i tij e pranon rezolutën e Kombeve të Bashkuara, duket se armëpushimi nuk është respektuar.
Zëvendësministri i Jashtëm libian Chalid Kaim ka ftuar në vend vëzhguesit ndërkombëtarë. Përfaqësues nga Gjermania, Kina, Malta dhe Turqia mund të vëzhgojnë respektimin e armëpushimit, ka thënë ministri. Gjermania, ka refuzuar ftesën e bërë nga Libia. Është detyrë e Kombeve të Bashkuara që të monitorojë armëpushimin në Libi, ka thënë një zëdhënëse e Ministrisë së Jashtme në Berlin.
Të enjten Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara, ka miratuar rezolutën për Libinë. Me të Këshilli i Sigurimit i OKB-së kërkon fundin e menjëhershëm të luftimeve dhe vendos për një zonë ndalim-fluturimi mbi Libinë. Rezoluta e miratuar urdhëron diktatorin libian Muammar al-Gaddafi që të mbajë në tokë aviacionin e tij. Pas kësaj kanë nisur përgatitjet e vendeve të ndryshme për një mision ushtarak.
E kolonel Muammar al Gaddafi në një letër, dërguar presidentit amerikan Barack Obama, atij francez Nicolas Sarkozy, kryeministrit britanik David Cameron dhe sekretarit të përgjithshëm të OKB-së, Ban Ki moon ka hedhur poshtë rezolutën e OKB-së. “Libianët janë gati të vdesin, Perëndimi do të pendohet për sulmin, kurse fuqitë botërore nuk kanë të drejtë të përzihen në punët e brendshme të Libisë”, ka thënë Gaddafi.
Presidenti francez, Nikolas Sarkozi, tha se forcat ajrore të Perëndimit, me miratimin e Ligës Arabe, do të veprojnë mbi Libi, për të ndaluar trupat qeveritare nga bombardimi i Bengazit.
"Tani për tani, aeroplanët tanë po parandalojnë sulmet ajrore në Bengazi", ka thënë Sarkozi, për të shtuar se veprimet ushtarake mund të ndalojnë, nëse Gadafi ndalon sulmet e forcave të tij.
Sarkozi tha se avionët francezë janë të gatshëm të sulmojnë edhe tanket libiane.
"Së bashku me partnerët tanë arabë, evropianë dhe të Amerikës së Veriut, Franca ka vendosur të luajë rolin e vet përpara historisë", tha Sarkozi.