Gjykata Kushtetuese e Kosovës bëri publik aktvendimin e plotë mbi zgjedhjen e Behgjet Pacollit si president. Në aktvendim thuhet se zgjedhja e tij si president pa asnjë kundërkandidat ka paraqitur shkelje të nenit 86 të Kushtetutës së Kosovës. Po ashtu edhe mungesa e kuorumit është vlerësuar si antikushtetuese.
“Gjykata vëren se Korniza Kushtetuese qëndron e heshtur lidhur me numrin e kandidatëve për zgjedhjen e Presidentit të Kosovës. Megjithatë, ndryshe nga Korniza Kushtetuese, neni 86 i Kushtetutës së Republikës së Kosovës përmend në mënyrë të qartë (jo-ambiguoze) se duhet të ketë më shumë se një kandidat në raundin e pare dhe të dytë, si dhe në raundin e tretë".
“Është e qartë se hartuesit e Kushtetutës kanë zgjedhur formulimin e fjalëve të nenit 86 të Kushtetutës me qëllim që të devijojnë nga sistemi i paraparë në Kornizën Kushtetuese, duke përqafuar kështu një sistem më demokratik ku më shume se një kandidat nevojitet para se të vihet në lëvizje procedura për zgjedhjen e Presidentit të Republikës së Kosovës”, thuhet në argumentet e Kushtetutës.
“Procedura e zgjedhjes është krijuar me qëllim që të sigurojë, që më shumë se një kandidat i nominuar për t’u zgjedhur si President, ai, qe mori shumicën e votave do të zgjidhej si përfaqësues i popullit të Kosovës. Nëse qëllimi i hartuesve të Kushtetutës do të kishte qenë që të paraqisnin një procedurë alternative për zgjedhje, vetëm me një kandidat te nominuar, Kushtetuta, shprehimisht do e kishte parashikuar një procedurë të tillë”, thuhet ndër të tjera në aktvendimin e plotë të Gjykatës Kushtetuese të bërë publik para disa çastesh.
“Në këto rrethana, Gjykata konkludon se procedura për zgjedhjen e z. Behgjet Pacolli si President i Republikës së Kosovës, mbajtur ne seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit, me 22 shkurt 2011, përbën shkelje te nenit 86 të Kushtetutës dhe prandaj, është kundërkushtetuese”, thuhet në aktvendim, njofton Radio Evropa e Lirë.
Gjykata ka vlerësuar si antikushtetuese edhe faktin se në seancën e 22 marsit, nuk kishte kuorum prej dy të tretave të deputetëve të Kuvendit, në kohën kur u mbajt raundi i parë dhe i dytë i zgjedhjes së presidentit.
“Si përfundim, Gjykata Kushtetuese në seancën e mbajtur më 28 mars 2011, shpall, njëzëri, se Kërkesa është e pranueshme dhe me shtatë vota për dhe dy kundër shpall se vendimi i Kuvendit të Republikës se Kosovës, Nr. 04-V-04, lidhur me zgjedhjen e Presidentit te Republikës se Kosovës, me 22 shkurt 2011, është jo-kushtetues dhe nuk do të jetë në fuqi nga data e publikimit te tij në përputhshmëri me nenin 116.3 te Kushtetutës -meqenëse është në kundërshtim me kërkesat e nenit 86 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe parimet demokratike te mishëruara aty.
Ky Aktgjykim do të ketë efekt te menjëhershëm. /Telegrafi/