Dy lojtarët më të mirë në botë, Lionel Messi dhe Cristiano Ronaldo, kanë shënuar që të dy nga penaltia për të siguruar nga një pikë për ekipet e tyre në derbin e 162-të më të famshëm në botë, El Clasico.
Dy fuqitë e futbollit botëror, Real Madridi dhe Barcelona, dhanë një spektakël të jashtëzakonshëm që në fraksionin e parë të ndeshjes, por fatkeqësisht rrjetat mbetën të paprekura.
Blaugranët zhvilluan lojën e tyre të zakonshme duke dominuar mesfushën dhe posedimin e topit, dhe njëherit duke krijuar raste të shmta. Ndërkohë, Real Madridi u mbështet në lojën defensive me krijimin e rasteve përmes kundërsulmeve.
Nga rastet e mysafirëve veçojmë dy shanset e shkëlqyera të Leo Messit, të cilat ia mohoi në mënyrë të jashtëzakonshme Iker Casillas, ndërsa një rast të mirë për Realin e pati edhe Cristiano Ronaldo në fund të gjysmës së parë, por goditjen e tij me kokë e ndali mbrojtja e Barcës.
Në minutat e para të pjesës së dytë (52’), Raul Albiol ishte lojtari tragjik i Los Blancos, pasi ndaloi topin me dorë dhe ndërhyri në David Villan brenda gjashtëmbëdhjetëmetërshit, për ta përfunduar ndeshjen para kohe dhe për t’ua dhuruar mysafirëve një penalti.
Përgjegjësinë nga pika e bardhë e mori Leo Messi, i cili realizoi golin e 30-të në La Liga dhe të parin kundër një ekipi që drejton Jose Mourinho (53’).
Pas golit të shënuar Barca filloi ta diktojë lojën me qetësi, mirëpo përkundër disavantazhit në numrin e lojtarëve, vendasit vazhduan të tregoheshin të rrezikshëm dhe të tentonin ta pengojnë humbjen e gjashtë radhazi në Kampionat nga Blaugranët.
Në vazhdim të lojës mbretërit ishin më kërkues për golin e barazimit, i cili erdhi për të dytën herë në ndeshje nga pika e bardhë. Pas ndërhyrjes së Dani Alves në Marcelo, arbitri akordoi penalti. Ishte Cristiano Ronaldo lojtari që u paraqit përballë Valdes dhe shënoi golin e parë në karrierë kundër Barcelonës (82’).
Kjo ndeshje shënon përballjen e parë nga katër përballjet e dy gjigantëve të futbollit botëror, që në vazhdim do të zhvillojnë edhe finalen e Kupës së Mbretit dhe dy ndeshjet gjysmëfinale në Ligën e Kampionëve. /Telegrafi/