Trusti i Kursimeve Pensionale të Kosovës ka arritur që tremujorin e parë 2011 ta mbyllë me kthim pozitiv nga investimet me rreth 11.5 milionë euro kthim bruto ose 2.13 për qind kthim neto. Kjo performancë tejet pozitive ka ardhur nga rezultatet që tregjet financiare globale kishin, veçanërisht në muajt janar dhe shkurt të këtij fillim viti.
Sipas zyrtarëve të Trustit, ky kthim nga investimet, bashkë me kontributet e reja të periudhës, kanë bërë që mjetet nën menaxhim të Trusti-t të kapin vlerën e 519 milionë eurove deri në fund të muajit mars, nga rreth 490 milionë euro që ishin në fund të vitit të shkuar.
Rezultatet e tregjeve financiare për këtë tremujor u arritën për shkak të raporteve pozitive që tejkaluan parashikimet e të ardhurave të korporatave globale; të rënies së nivelit të papunësisë në SHBA dhe BE dhe vazhdimit të rritjes së fortë të ekonomive në Azi. Këta ishin tregues të rëndësishëm në forcimin e besimit dhe optimizmit të investitorëve dhe konsumatorëve në këtë periudhë.
Përtej faktit se kthimet nga investimet në tregjet financiare për këtë tremujor ishin mjaft të mirëseardhura për ekonominë globale, e me këtë edhe për kursimet e kontribuuesve të Trusti-t, sfidat me të cilat u përballen tregjet financiare në këtë tremujor ishin një test i fortë për nivelin e përtëritjes dhe pjekurisë që institucionet financiare kishin arritur pas krizës së rëndë financiare të 2008-s, por edhe e rikthyen dyshimin se edhe sa mund të durojë ekonomia globale para se të ndalojë ngritjen.
Kjo periudhë dhe ky rezultat ishin shumë të rëndësishëm edhe për vendimet që anëtarët e Bordit Udhëheqës të Trusti-t do të duhet të marrin gjatë këtij viti në investimin e mjeteve të kontribuuesve të Trusti-t. Strategjia konservative e Bordit Udhëheqës të Trusti-t, me më pak rrezik në investime por edhe kthim potencial më të ulët, vazhdon të jetë në fuqi edhe më tej. Rreziqet e recesionit të dyfishtë të ekonomisë globale janë rikthyer pas zhvillimeve të këtij tremujori, siç edhe ka paralajmëruar së fundmi Fondi Monetar Ndërkombëtar. /Telegrafi/