Tiranë, 21 prill - Në kohët e shkuara do ishte cilësuar si një mrekulli apo dhuratë e ardhur nga qielli, por sot mjekët po përpiqen të japin një përgjigje shkencore për një ngjarje të rrallë që ka ndodhur në Shqipëri.
Një grua ka dalë nga gjendja e komës, por për çudinë e të gjithëve ajo arrin të bëjë diçka që nuk e kishte bërë kurrë më parë, të pikturojë. Bëhet fjalë për Vjollcën, e cila është 56 vjeç dhe vetëm para pak vitesh e zbuloi talentin që fshihej brenda saj.
“Unë kam 5 vjet që pikturoj. Është e çuditshme sepse menjëherë pas zgjimit nga koma fillova pikturën. Tashmë pikturoj çdo ditë”, shprehet Vjollca për TCH.
Pasi qëndroi në gjendje të pavetëdijshme për 48 orë, sapo u zgjua Vjollca e kuptoi se diçka kishte ndodhur. Një interes shumë i madh i lindi për pikturën. Ajo kujton se nuk kishte shfaqur interes për të më parë.
“Që atë ditë kur u zgjova pash një piktor dhe më lindi dëshira për të pikturuar. Shkova tek ai dhe bleva mjetet që më duheshin, të cilave nuk u dija as emrin”, tregon Vjollca.
E ardhur në botën e pikturës pasi kishte kaluar gjysmë shekulli jetë, Vjollca e pati jo pak të vështirë të pranohet nga rrethi i piktorëve shqiptarë. E për këtë arsye, siç kanë bërë shumë shqiptarë ndër shekuj, ajo zgjodhi që talentin e saj në botën e artit ta shtegtojë përtej Adriatikut, në Itali.
Talenti i shfaqur tek Vjollca ishte pasaporta e saj drejt botës së artit . Me stilin e saj karakteristik, ku mbizotërojnë ngjyrat, Vjollca shumë shpejt filloi të merrte pjesë në ekspozitat më të mëdha të artit në botë duke lënë gjurmë me talentin e saj.
E në këtë rrugëtim të suksesshëm në hapat e artistëve me famë botërore, për Vjollcën shumë shpejt nisën të jepeshin çmimet e para dhe sigurisht vlerësime mjaft pozitive nga kritikët e artit në mbarë botën.
“Paolo Levi më ka vlerësuar shumë duke thënë që ngjyrat përfaqësojnë jetën e mrekullueshme që ka kjo piktore dhe kur ajo pikturon i punon pjesa e pavetëdijshme”, thotë piktorja.
Vjollca tregon se rryma e cila i përshtatet më shumë asaj është impresionizmi. Ajo që e vlerëson shumë një piktor është mënyra e kombinimit të ngjyrave, që tek pikturat e Vjollcës është i mrekullueshëm.
Një rast i tillë, kur një person zgjohet piktor, duket se është befasues edhe për vetë mjekët. Neurologu Agron Islami shpjegon mënyrën se si mundet një person në gjendje kome të fitojë disa cilësi që nuk i ka pasur më parë.
“Në momente të caktuara, kur personi zgjohet nga koma, disa qendra të sistemit nervor, që kanë qenë të fjetura, riaktivizohen. Kjo bën që prirje të ndryshme, të panjohura më parë, të vihen në dukje”, shpjegon neurologu.
Duke prezantuar dy piktura të saj në ekspozitën që po realizohet në ambientet e Muzeut Kombëtar, Vjollca premton se shumë shpejt do të kthehet në atdheun e saj me një prezantim të krijimtarisë: “Në tetor do të hap një ekspozitë në Shqipëri me rastin e ditëlindjes së vajzës sime”,
Pikturat që Vjollca realizon janë kryesisht lule apo peisazhe nga vende të ndryshme. Por, ka diçka para së cilës piktorja jonë dorëzohet dhe nuk e bën dot.
“Portretet janë e vetmja gjë që nuk di të bëj”, zbulon ajo.