Zyrtarët e Termokos-it kanë njoftuar se të martën me urdhër të ATK-së janë bllokuar kontot e Termokos-it në Prishtinë për shkak të kontrollit financiar të cilin e ka ushtruar ATK për periudhën 2002-2009, periudhë kjo e cila i përket udhëheqjes së kaluar financiare, ngase parregullsitë të cilat pretendon ATK, i referohen periudhës deri në vitin 2007.
Termokos ka reakuar kundër vendimit të kontrollit të ATK-së, dhe ka ushtruar ankesë në panelin e ATK-së në bazë të se cilës ankesë paneli ka bërë një zbritje të vogël të obligimeve tatimore, por kjo zbritje është simbolike ngase shuma e ndëshkimeve dhe obligimeve tatimore është rreth pesë milionë e 150 mijë euro. Prej kësaj shume, 1.9 milion euro janë obligime tatimore, ndërkaq shuma e ndëshkimeve është rreth 1 milion e 440 mijë euro si dhe ajo e interesit me mbi 1 milion e 800 mijë euro.
“Kundër vendimit të panelit të ATK-së Termokos, ka ushtruar ankesë në Bordin e pavarur për rishqyrtime, nga i cili ende nuk kemi përgjigje, ndërsa ankesa ka të bëj me tejkalimin e autorizimeve ligjore nga ana e ATK-së, për këto arsye: -ATK është lëshuar në kontroll financiare më shumë se gjashtë vite prapa e që nuk lejohet sipas nenit 20 të ligjit mbi Administratën Tatimore, -ATK është sjellë në kundërshtim me ligjet në fuqi në kohën kur është bërë koorporatizimi në vitin 2006, ngase po të kishte respektuar ligjet nuk ka mundur të lëshohet në kontroll para vitit 2006 sepse është e pamundur të lind një subjekt i ri me obligime nga e kaluara, -ATK, nuk ka respektuar as vendimin shpjegues publik nr. 05/2009 të vet drejtorit të përgjithshëm të ATK-së, sipas të cilit vendim pranohet koorporatizimi dhe sugjerohet që kontrollet financiare të bazohen në koorporatizimin e përfunduar në vitin 2006”, thuhet në njoftimin Termokos-it për media.
Lëshimet dhe parregullsitë e udhëheqjes së kaluar financiare dhe shkelja e ligjit nga ana e inspektorit të kontrollit nga ATK kanë krijuar bllokimin e xhirollogarive duke quar në vështirësi të mëdha Termokos-in. “Menaxhmenti i Termokos-it, do të bëj përpjekje maksimale që në bashkëpunim me institucionet të bëj deblokimin e kontove bankare derisa çështja të zgjidhet në pajtim me ligjet në fuqi”. /Telegrafi/