Ministrja e Integrimeve Evropiane, Vlora Çitaku ka thënë se
BE-ja shpesh po përdor standarde të dyfishta kur po mat progresin e
Kosovës dhe vendeve të rajonit.Në një intervistë për Radion
Evropa e Lirë, duke folur për dialogun për vizat, si dhe marrëdhëniet
tregtare me BE-në, që ishin paralajmëruar si prioritet, Çitaku vuri në
dukje se “është e vërtetë, që për fat të keq, Kosova mbetet vendi i
vetëm në Ballkanin Perëndimor pa marrëdhënie kontraktuale me BE-në”.
“E vërteta është se në BE në samitet e vazhdueshme që janë mbajtur në
dekadën e fundit, nga Selaniku, Zagrebi dhe ai i fundit në Sarajevë, në
vazhdimësi ka përsëritur perspektivën evropiane për të gjitha vendet e
Ballkanit Perëndimor. Në këtë kontekst është thënë shumë herë që edhe
Kosova nuk do të përjashtohet nga kjo perspektivë.
Megjithatë, në sfondin konkret, Kosova mbetet vendi i vetëm pa një
marrëdhënie kontraktuale me BE-në. Për më tepër, që nga një janari i
këtij viti ne nuk përfitojmë nga masat autonome tregtare, nga të cilat
Kosova ka përfituar që nga viti 2000, mirëpo kjo jo për shkak të
Kosovës, por për shkak të ridefinimit të marrëdhënieve ndërmjet
Këshillit dhe Komisionit Evropian tash pas hyrjes në fuqi të Traktatit
të Lisbonës. Ndërkohë, fatkeqësisht, qytetarët tanë mbeten të vetmit në
Evropë, të cilët kanë të drejtë që pa viza të udhëtojnë në vetëm 5
shtete nga 192”, ka thënë Çitaku.
Sipas saj, në tetor të vitit të kaluar, kur është publikuar Raporti i
Progresit, komisionari për zgjerim, Stefan Fuele, ka deklaruar shumë
qartë që shumë shpejt do të hapet dialogu i vizave edhe me Kosovën, por
që nga atëherë kanë kaluar gati shtatë muaj dhe Kosova ende nuk e k
marrë udhërrëfyesin për liberalizimin e vizave.
“Duhet ta kemi të qartë që integrimi evropian nuk është sfidues vetëm
për ne, por edhe për BE-në, duke pasur parasysh kontekstin politik -
pesë vende të BE-së nuk e kanë pranuar ende Republikën e Kosovës dhe çdo
nënshkrim i marrëveshjes duhet miratuar nga parlamentet respektive të
27 vendeve dhe një çështje e tillë në këtë pikë është sfiduese për vetë
strukturat e BE-së”, ka thënë Çitaku. /Telegrafi/