Dhuna e shfrenuar policore në ditën e enjte në mbrojtje të Borislav Stefanovicit dhe kundër aktivistëve paqësorë, është e mjaftueshme për të kuptuar se negociatat me Serbinë janë në prag të koncesioneve të reja ndaj Serbisë. Kjo është arsyeja pse Qeveria është shumë e përcaktuar që t’ua mbyllë me forcë e dhunë gojën e qytetarëve të pakënaqur me pazaret që po bëhen në kurriz të Kosovës. Kështu është thënë në një konferencë për media të Lëvizjes “Vetëvendosje”.
“Borislav Stefanovicit nuk është dashur që t’i lejohet hyrja në Republikën e Kosovës. Ai e përfaqëson shtetin që jo vetëm ka vrarë dhjetëramijëra qytetarë shqiptarë dhe ka shkatërruar vendin tonë, por aktualisht i financon strukturat e paligjshme të Serbisë, kurse në të ardhmen nëse nuk e synon pushtimin, atëherë ndarjen e Kosovës e synon gjithsesi. Borislav Stefanovici erdhi në Kosovë dhe tha se ka ardhur për ta mbrojtur Kushtetutën e Republikës së Serbisë. Pra, atë nen që e obligon Borislavin që të punojë që Kosova të bëhet Serbi. Kurse Kushtetuta e Kosovës që e kanë pranuar këta politikanë thotë që duhet të mbrohet integriteti territorial dhe sovraniteti i Republikës së Kosovës. Por edhe nëse Borislav Stefanovici do të kishte hyrë ilegalisht në Kosovë, më së paku Borislav Stefanovici është dashur të arrestohet”, është thënë në konferencë.
Sipas Lëvizjes “Vetëvendosje”, Qeveria e Kosovës po e shfrytëzon policinë për të mbrojtur agjendën e saj të bashkëpunimit me Beogradin.
“Policia është për sigurinë e jetës së qytetarit, e jo për mbrojtjen e zyrtarëve të Serbisë që e kanë për obligim kushtetues rrezikimin e jetës së qytetarëve të Kosovës. Për ta mbrojtur Stefanovicin, Qeveria e Kosovës me çizmet e saj policore shkeli përmbi trupat e qytetarëve shqiptarë. Jo vetëm që po keqpërdoret policia, por edhe Qeveria po vazhdon të veprojë si shërbim informativ i dhunës, meqë të enjten kishte civilë të shumtë nga Ministria e Punëve të Brendshme, të cilët kishin dalë atë ditë për të shpërndarë shqelma e boksa madje edhe mbi demonstruesit e prangosur”, vlerëson “Vetëvendosje”.
Kjo lëvizje pohon se Policia e Kosovës të enjten së pari i sulmoi deputetët e Kuvendit, të cilët “ishin në hapësirë publike, dhe nuk po rrezikonin asgjë”.
“Të gjitha këto janë të mjaftueshme që ministri i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi, të japë dorëheqje, drejt dorëheqjes së kryeministrit Thaçi. Bajram Rexhepi është dashur të jepte dorëheqje edhe pas dhunës së pakontrolluar të policisë kundër ‘Plisave’”, theksojnë nga Lëvizja “Vetëvendosje”. /Telegrafi