Ish kryetari i Gjykatës Ushtarake të UÇK-së, Sokol Dobruna, e
pranon publikisht se e ka gjykuar kryetarin aktual të Suharekës, Blerim
Kuçi dhe e ka dënuar me pushkatim.
Në një intervistë për Kohën Ditore, ish udhëheqësi i
Shërbimit Juridik të UÇK-së në kuadër të të cilit shërbim ka funksionuar
edhe gjykata, thotë se arsyeja pse e kishte dënuar me pushkatim ishte
dezertimi nga ushtria.
Dobruna që tashmë i ka mbushur 70 vjet flet, siç thotë ai “pa
padron”, për të gjitha ngjarjet e UÇK-së. Ai ka thënë se Kuçi nuk ishte
pushkatuar për shkak se nuk kishte mundësi që të rreshtonte një brigadë
ushtarësh para të cilëve duhej të kryhej pushkatimi dhe mungesave e
plumbave të manovrave.
Themeluesi i Gjykatës Ushtarake dhe i ligjeve me të cilat kishte
funksionuar kjo gjykatë thotë se asnjë person nuk është ekzekutuar me
vendim të saj.
Ai nuk e fsheh se po të kishte kohë, shumë persona që ishin në
burgjet e UÇK-së do të gjykoheshin me pushkatim dhe do të
ekzekutoheshin. Dobruna që tash ushtron funksionin e avokatit në Gjakovë
nuk ka asnjë fije mëshire për disa njerëz që ai i quan spiunë.
“Spiunët vriten gjithkund”, thotë ai. Dobruna flet edhe për Gani
Gecin, për rastin e të cilit shprehet se nuk ka informacion. Mirëpo,
përkrah deklaratën e Azem Sylës se nëse ish komandanti i përgjithshëm i
UÇK-së ka urdhëruar vrasjen e Gani Gecit-ka bërë mirë!
Dobruna në këtë intervistë të dhënë pas shumë vjetësh pranon se gjatë
luftës janë bërë gabime. Gabimet më të mëdha sipas tij, janë bërë me
rastin e mosbashkimit të UÇK-së dhe FARK-ut.
Po të ndodhte ky bashkim, Dobruna thotë se Kosova do të ishte në pozitë shumë më të mirë.
Ai tregon një rast të takimit me Tahir Zemajn, të cilin, siç thotë
Dobruna, e kishte lutur Ramush Haradinaj të bashkoheshin duke pranuar që
të bëhej edhe zëvendëskomandant.
Mirëpo, Zemaj, sipas Dobrunës, nuk kishte pranuar duke ikur nga Kosova me 1.800 ushtarë.
Sokol Dobruna flet edhe për procesin hetimor kundër Fatmir Limaj, të
cilin e vlerëson lart. Dobruna thotë edhe se i ka vizituar shpesh
burgjet e UÇK-së. Po kështu shprehet se e njeh mirë dëshmitarin kundër
Limajt të koduar si dëshmitari “X”. Ia ka bërë të qartë prokurorit
Maorizio Salustro se nuk do të pranojë të dëshmojë edhe po qe se do ta
ketë fatin e Blerim Kuçit që të vuaj një muaj burg. /Telegrafi/