Kostoja shumë e lartë, kapacitetet e limituara dhe çështja që ka të bëjë me shfrytëzimin e ujërave me shtetin e Shqipërisë e kanë vënë në dyshim implementimin e projektit për ndërtimin e Hidrocentralit të Zhurit. Edhe pse Qeveria e Kosovës në mandatin e kaluar të saj kishte deklaruar se projekti ka arsye ekonomike dhe si i tillë do të realizohet, ministri i Zhvillimit Ekonomik, Besim Beqaj, ka deklaruar se projekti duhet të rishikohet dhe të shihet përfundimisht se a mund të shkohet më tutje me këtë projekt. Ministri Beqaj ka deklaruar se projekti i Hidrocentralit të Zhurit është në fazën e rishikimit dhe vlerësimit të fizibilitetit dhe se është duke u vlerësuar edhe një herë nevoja e madhësisë së kapacitetit të këtij hidrocentrali.
“Jemi duke e marrë parasysh nevojën e vlerësimit të serishëm të fizibilitetit të këtij projekti lidhur me nevojën për kapacitet të planifikuara më parë dhe shfrytëzimin e tyre brenda vitit, pasi që kemi afatin e kufizuar të shfrytëzimit të energjisë së prodhuar nga ky hidrocentral, që është në mospërputhje me investimin që është paraparë më herët për këtë projekt”, ka thënë ministri Beqaj.
Ai, gjithashtu, ka potencuar edhe faktin që ka të bëjë me diskutimet me shtetin shqiptar, të cilat kanë të bëjnë me shfrytëzimin e ujërave.
“Qeveria e Kosovës është duke i vazhduar konsultimet e nevojshme me palën shqiptare rreth disa çështjeve të hapura përkitazi me shfrytëzimin e ujërave, në përputhje me marrëveshjet ndërshtetërore në mes të Shqipërisë dhe ish-Jugosllavisë”, ka thënë Beqaj.
Kostoja e lartë
Ndërkohë ish-ministri i Energjisë dhe i Minierave, Ethem Çeku, e ka akuzuar Qeverinë e Kosovës për vonesat në projektin e HC të Zhurit, i cili, sipas tij, tani më është bërë e pamundur të zbatohet, për shkak të kostos tejet të lartë për ndërtimin e tij.
“Është vështirë të zhvillohen projektet, pasi ndërtimet që janë kryer në Shqipëri, por edhe në vendin tonë, ku do të akumulohen ujërat, e bëjnë këtë projekt të mos ketë qëndrueshmëri financiare. Projekti ka hyrë në fazat kritike për shkak të problemeve që kanë të bëjnë me përdorimin e ujërave. Dhe ju e dini që kemi probleme me Shqipërinë për përdorimin e ujërave dhe ka pasur mosmarrëveshje”, ka thënë Çeku, duke shtuar se kostoja sociale për largimin e shtëpive e rrit koston e projektit.
Ai ka deklaruar se edhe në periudhën e mëhershme ka pasur shumë pikëpyetje rreth zhvillimit të këtij hidrocentrali, mirëpo në periudhën e mëhershme kanë qenë rrethanat dhe kushtet krejtësisht tjera.
“Tani aty janë ndërtuar shumë shtëpi dhe kostoja e largimit të atyre banorëve tani është shumë e lartë dhe gati e bën projektin financiarisht të paqëndrueshëm. Qeveria e tanishme nuk ka shënuar asnjë progres në fushën e energjetikës dhe i ka sjellë projektet në sitat pa rrugëdalje. Vonesat e shumta në projektet energjetike do të ndikojnë që sërish të largohen investitorët, ashtu si në të kaluarën. Jo vetëm te ky hidrocentral, por edhe te projektet e tjera energjetike, si termocentrali ‘Kosova e Re’, edhe te fusha e minierave ne i kemi humbur investitorët kredibilë, i kemi humbur investitorët potencialisht të qëndrueshëm. Ata kanë ikur nga Kosova dhe kanë shkuar në fushat e tregut në vendet e tjera, prandaj tash është vështirë që të rikthehen. Unë nuk besoj se do ketë më investime dhe këto tri kompani të cilat janë parakualifikuar nuk e besoj se do të qëndrojnë edhe gjatë në Kosovë, edhe ata do të largohen, sepse të gjitha këto çështje të pazgjidhura, si çështja e shfrytëzimit të ujërave, çështja e zhvendosjes së banorëve nga ajo zonë, janë tepër të vështira, të cilat investitori nuk mund t`i zgjidhë”, ka thënë ai.
Duhen 330 milionë euro
Në vitin 2001 ishte kryer studimi parë i fizibilitetit për Hidrocentralin e Zhurit, pas atij të viteve 1970-ta, por që është rishikuar në vitin 2009 nga kompania kroate “Elektro-Projekt Zagreb”. Kapaciteti prodhues i hidrocentralit, pas rishikimit të studimit, është paraparë të rritet për disa megavat. Kjo rritje ka ardhur për shkak të ndryshimit të trasesë së kanalit. Hidrocentrali i Zhurit parashihet të ndërtohet me një kapacitet prej 305 MW. Hidrocentrali, sipas studimit, parashihet të punojë rreth 1500 orë në vit, me një prodhim vjetor prej 400 GWh. Dhe do të punojë vetëm në orët e pikut, ngarkesës më të madhe të rrjetit elektrik. Në bazë të parallogarive të para, parashihet që për ndërtimin e këtij hidrocentrali të shpenzohen rreth 330 milionë euro. Projekti parasheh që të akumulohen të gjitha ujërat nga lumenjtë dhe përroskat e fshatrave të Dragashit në luginë në fshatin Brezne. Hidrocentrali do të ndërtohet afër fshatit Zhur dhe do t’i ketë dy shkallë. Ndonëse është ndryshuar rruga nga do të kalojnë disa trase të kanaleve, përmes të cilave do të bartet uji, prapë numri i objekteve që duhet të shpronësohen është i madh. Në studimin e rishikuar të fizibilitetit për këtë projekt thuhet që janë 225 objekte që duhet të shpronësohen. Janë rreth 200 objekte në fshatin Brezne, në vendin ku do të akumulohet baseni, dhe rreth 25 objekte të tjera në fshatin Zym. Përveç tyre, pritet të shpronësohen edhe disa objekte biznesi, si dhe dy shkolla dhe një shtëpi e shëndetit.
Studimi i fizibilitetit i ka dhënë këto rezultate kryesore: Kapaciteti i instaluar i hidrocentralit 305 MW; prodhimi mesatar vjetor rreth 400 GWh; investimet e planifikuara 33O milionë euro; Ndërtimi 6 vjet (1 vit përgatitje, 5 ndërtimi), me kapital privat dhe me model koncesioni.
N. Krasniqi