Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga është e
ftuar dhe do të marrë pjesë në Samitin e liderëve të 21 vendeve të
Evropës Qendrore, që do të mbahet në Varshavë më 27 dhe 28 maj 2011. Në
këtë Samit do të marrë pjesë edhe Presidenti i Shteteve të Bashkuara të
Amerikës, zotëri Barack Obama.
Liderët e vendeve do të diskutojnë
për sfidat e demokracisë në vendet e tyre, për bashkëpunimin bilateral
dhe multilateral dhe për procesin e integrimeve. Në një seancë pune, që
udhëhiqet nga Presidenti i SHBA-së, liderët do të bisedojnë për lëvizjet
popullore në vendet e Lindjes së Mesme dhe të Afrikës Veriore, për
sfidat dhe për kahet e tyre, si dhe për ndikimin që kanë në vendet e
tjera.
Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga do
të marrë pjesë aktive në diskutim në të gjitha sesionet e këtij Samiti,
në të cilin presidentët do të jenë të ulur rreth tavolinës sipas radhës,
sipas kohës së zgjedhjes së tyre në këto poste. Presidentja Jahjaga do
të flasë për pavarësinë e Kosovës, për ndërtimin e institucioneve, për
proceset e integrimeve evropiane të Kosovës, për barazinë nacionale,
harmoninë fetare dhe për liritë dhe të drejtat e njeriut, për
bashkëpunimin rajonal për ndihmën ndërkombëtare dhënë Kosovës, si faktor
paqeje dhe stabiliteti në rajon e më gjerë.
Presidentja Jahjaga, në
adresimin e saj, vëmendje të veçantë do t’i kushtojë ngjarjeve në vendet
e Lindjes së Mesme, duke e përmendur shembullin e Kosovës si model të
funksionimit të shtetit dhe të besimit fetar, që bashkëjetojnë në
harmoni dhe duke mbështetur vlerat humane.
Gjatë samitit në Varshavë
të gjithë liderët, përveç në takimet plenare dhe takimet në drekën e
punës, do të kenë edhe takime bilaterale. Delegacioni i Kosovës i
udhëhequr nga Presidentja Jahjaga, e shoqëruar nga ministri i Punëve të
Jashtme, Enver Hoxhaj, i kanë përcaktuar takimet bilaterale me
delegacionet e vendeve pjesëmarrëse, ndërsa i një rëndësie të veçantë do
të jetë takimi me presidentin e SHBA-së, Barack Obama, duke e pasur
parasysh rolin lider të SHBA-së në botë dhe ndihmën e vazhdueshme që ka
dhënë dhe po jep SHBA-ja për Kosovën dhe për proceset demokratike në
vend.
Pjesëmarrja e delegacionit të Republikës së Kosovës në Samitin e
liderëve në Varshavë është domethënëse, sepse Kosova është ftuar nga
mikpritësi, presidenti i Polonisë, Bronisllav Komorovski, ku do ta japë
kontributin e saj në punimet e këtij samiti, pasi rasti i Kosovës është
një rrëfim i suksesshëm i lirisë, demokracisë dhe ndihmës ndërkombëtare.
Delegacioni
shtetëror i Kosovës shpreh qëndrimin se pavarësia e Kosovës është
proces i pakthyeshëm, si vullnet i shprehur lirshëm i popullit të
Kosovës dhe i shumicës së shteteve të Evropës dhe të botës, një pjesë e
mirë e të cilave tashmë e ka njohur pavarësinë e Republikës së Kosovës
dhe kanë marrëdhënie bilaterale. Pranimi i këtij fakti edhe nga vendet e
tjera që ende nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës dhe anëtarësimi sa
më i shpejtë i Republikës së Kosovës në OKB dhe në BE është e vetmja
alternativë e cila suksesshëm e përmbyll procesin e pavarësisë, të
barabarësisë dhe të dinjitetit të vendeve dhe të kombeve. Në procesin e
pajtimit Republika e Kosovës ia ka shtrirë dorën të gjitha vendeve dhe
të gjitha kombeve.