Një tinejxher kinez dëshironte që me çdo kush ta blinte një
iPad2 kështu që shiti veshkën e tij vetëm për 2.300 euro, shkruan
Telegraph. Djaloshi 17 vjeçar, i njohur me mbiemrin Zheng, i tregoi
nënës së tij se kishte shitur veshkën pasi kishte parë reklamën në
internet se të gjithë ata që dëshirojnë të dhurojnë orfganet do të
shpërblehen. “Dëshira ime ishte ta blija një iPad2, por nuk
kisha para”, tha djaloshi për TV Shenzen dhe shtoi: “Në internet e gjeta
një reklamë të agjentëve të cilët blinin veshkat për 20.000 juan kinezë
(rreth 2.100 euro)”. Pas bisedës me agjentët, djaloshi udhëtoi në
qytetin Chenzhou, ku në spitalin lokal ia hoqën veshkën, duke ia paguar
rreth 22.000 juan (rreth 2.300 euro).
Tregtia e organeve nëpërmjet internetit është një praktikë e
zakonshme në Kinë, përkundër përpjekjeve të qeverisë që ta ndalojë një
tregti të tillë. Vitin e kaluar televizioni japonez raportoi për grupin e
“turistëve transplatues” të cilët paguan rreth 56.000 euro për t’i
marrë veshkat e reja në Kinë. Sipas statistikave zyrtare, çdo vit më
shumë se një milion veta në Kinë presin për transplatim organesh, por
vetëm më pak se 10.000 prej tyre arrijnë të transplatojnë organet, duke
nxitur kështu një tregti të organeve në tregun e zi.
Djaloshi pas operacionit përjetoi komplikime shëndetësore dhe nuk
mundi ta fshehë të vërtetën para nënës së tij. “Kur u kthye kishte me
vete një lap-top dhe një Apple iPad të ri”, tha nëna e tij, e njohur si
zonja Liu, duke treguar shenjën e madhe të operacionit në trupin e
djalit të saj. “E pyeta djalin se ku i kishte marrë paratë dhe më në
fund ai pranoi se kishte shitur veshkën”.
Nëna e dërgoi djalin në spital dhe lajmëroi policinë, por telefonat
mobil të agjentëve me të cilët kishte kontaktuar Zheng ishin të mbyllur.
Shumë ekspertë në Kinë e shfrytëzuan këtë rast për të kritikuar
amoralitetin e Kinës së re “kapitaliste”. Prodhimet e Apple, siç janë
iPhone dhe iPad, janë një mall shumë i kërkuar në Kinë, sepse paraqesin
simbolin statusor të pasurisë dhe imazhit tek të rinjtë. /Telegrafi/