Telekom Austria nuk garanton nëse do të ofertojë për blerjen e
aksioneve të Postë-Telekomit të Kosovës. Zyrtarë të saj thonë për
Express se ende nuk kanë vendosur se çka do të bëjnë. E gazeta austriake
Die Presse shkruan se tashmë ky konsorcium është tërhequr nga gara për
PTK-në, pasi Qeveria e Kosovës nuk ka pranuar ofertën e tyre prej 350
milionë euro.Telekom Austria, kompania në garë për
privatizimin e Postë Telekomit të Kosovës, nuk garanton se do të
ofertojë për privatizimin e kësaj ndërmarrjeje publike. Zyrtarë të kësaj
kompanie thonë për Express se ende nuk kanë vendosur se çka do të
bëjnë.
Për më tepër, sipas burimeve të gazetës austriake Die Presse, kjo
kompani tashmë është tërhequr nga gara, pasi që Qeveria e Kosovës nuk
është pajtuar me çmimin prej 350 milionë eurosh që ia kishte ofruar. E
para se të ofronin këtë vlerë, austriakët kishin dhënë një çmim tjetër,
prej 300 milionë eurosh për t’i blerë këto aksione të kësaj
ndërmarrjeje. Por, kjo ishte refuzuar nga Qeveria e Kosovës. “Pas
ngritjes së çmimit nga Telekom Austria në 350 milionë, duke shpresuar se
ky çmim do të arrijë ta bind Qeverinë e Kosovës për të zhvilluar një
marrëveshje, prapëseprapë Kosova e ka refuzuar atë”, thuhet në shkrimin e
Die Presse.
Madje, kjo ka bërë që austriakët të mos interesohen më për të marrë
në dorë këtë ndërmarrje publike, pasi që vlera e kërkuar për privatizim
nga Qeveria nuk ka të bëjë me një çmim të rregullt, por më shumë është e
lidhur me korrupsionin.
“Duke marrë parasysh mosgatishmërinë e Qeverisë së Kosovës dhe
mosrespektin e shumës së ofruar, Telekomi austriak ka hequr dorë nga kjo
marrëveshje. Ekspertët nga kjo kompani kanë shpjeguar se vlera e
kërkuar nga Qeveria nuk ka të bëjë me një çmim të rregullt, por që kjo
shumë është e lidhur me korrupsionin, gjë që Telekom Austria pranë kësaj
dukurie humb interesin për të investuar në Kosovë dhe nuk mbron
korrupsionin, shpjegon një zëdhënëse nga Telekomi për gazetën Die
Presse”, thuhet më tej në shkrimin e kësaj gazete.
Por, për gjithë këtë proces, Express ka kontaktuar zyrtarët për
informim të kësaj kompanie, të cilët nuk kanë garantuar se do të jenë
ofertues në këtë garë për privatizimin e PTK-së.
Mattes Elisabeth, zëdhënëse në Telekom Austria, ka thënë për Express
se me Qeverinë e re, me parakushtet themelore janë krijuar kushtet
formale dhe procesi i parakualifikimit kishte vazhduar. Por, ajo thotë
se për të aplikuar së pari do të vlerësojnë të gjitha kushtet. “Në këtë
rast ne ishim informuar që jemi në listën e ngushtë. Tani Telekom
Austria do të vlerësojë nëse do të aplikojë”, tha Elisabeth për gazetën.
Ajo tregon se grupi i tyre, në bazë të strategjisë së tyre
konvergjente, ishin të interesuar në parakualifikimin në lidhje me
privaitizmin e 75 për qind të aksioneve të PTK-së. /Telegrafi/