Nga disa sqarime të dhëna nga disa burime lidhur me tri marrëveshjet e arritura të shtunën, “Koha Ditore” ka mësuar disa detaje rreth tyre, të cilat i sjell në këtë tekst, por me vërejtjen se për udhëzime zyrtare duhet pritur që vetë Qeveria e Kosovës t’i bëjë publike detajet dhe t’i njoftojë qytetarët se çfarë mund e çfarë nuk mund të bëjnë për të shfrytëzuar frytet e këtyre marrëveshjeve të arritura në Bruksel.
Ekipi i Robert Cooperit, i cili “lehtëson“ dialogun mes Prishtinës dhe Beogradit, sot pritet t’ua dërgojë palëve në letër të gjitha detajet rreth tri marrëveshjeve të arritura të shtunën. Këto do të jenë të shkruara në një dokument të quajtur “konkluzione të kryesuesit”, ndërsa palët do të marrin përgjegjësi politike ndaj BE-së për t’i zbatuar ato.
Në BE thonë se “u takon palëve të vendosin se si t’i njoftojnë qytetarët për detaje të marrëveshjes”, ndërkohë pritet që Qeveria e Kosovës t’i bëjë publike të gjitha këto dokumente. Tri fushat e para për të cilat është arritur marrëveshja të shtunën janë: liria e lëvizjes, regjistri civil dhe njohja e diplomave universitare.
Me letërnjoftim në xhep dhe me “letër“ të Policisë së Serbisë
Të gjitha palët kanë konfirmuar se kufiri në mes të Kosovës dhe Serbisë, ose “kufiri administrativ” siç e quajnë Serbia dhe një pjesë e BE-së, do të mund të kalohet me karta identiteti, ndërsa nuk është kërkuar asnjëherë nga Serbia që të njohë edhe pasaportat me shenjën e Republikës së Kosovës. Si kompromis mësohet se qytetarët e Kosovës do të mund të kalojnë kufirin duke treguar së pari letërnjoftimin e tyre, ndërsa policia serbe do t’u japë një letër të veçantë, që do të thotë se nuk njihet dokumenti i lëshuar nga autoritetet e Kosovës si dokument i pranuar zyrtar në territorin e Serbisë.
Targat në mënyrë reciproke
Si kompromis për përdorimin e targave është arritur marrëveshja, sipas së cilës në Kosovë do të ketë dy lloj targash, një lloj sikur ato që deri më tash i ka lëshuar UNMIK-u me shenjën KS, dhe targat e reja me shenjën RKS. Në Serbi, pa pasur nevojë të ndërrojnë tabelat e veturave, do të mund të kalojnë të gjitha veturat me shenjen KS, ndërsa në kufi do të duhet të paguajnë vetëm sigurimin e veturave. Pala serbe ka premtuar se “do të bëjë çmos që ky çmim të jetë sa më i ulët që të jetë i mundur“. Ata që në vetura i kanë targat me shenjën RKS nuk und të kalojnë në Serbi me to, por në kufi do të marrin targa të përkohshme që do t’u vlejnë brenda territorit të Serbisë.
Me rëndësi është të thuhet se edhe targat me shenjën KS do t’i lëshojnë autoritetet e Kosovës, ndërsa Kosova ka të drejtë në masa reciproke. Kjo në praktikë do të thotë se Kosova mund të kërkojë nga shtetasit e Serbisë të paguajnë sigurimin e veturave për të hyrë në Kosovë dhe që Policia e Kosovës t’ua lëshojë një letër në vend të patentë shoferit, ashtu siç bën Serbia me kosovarët. Në BE pohojnë se “Kosova ka të drejtë në këtë reciprocitet në bazë të marrëveshjes, por i takon asaj të vendosë nëse do t’i përdorë ato apo jo”. Disa diplomatë që tani pohojnë se do të ketë një lloj „presioni miqësor“ ndaj Kosovës që të mos e shfrytëzojë këtë të drejtë që e ka, në mënyrë që të tregohet “më konstruktive“.
Kosova ka insistuar në origjinalet, por Serbia nuk ka lëshuar pe
Një fushë ku Serbia nuk ka lëshuar pe është ajo që ka të bëjë me origjinalet e regjistrave civilë. Edhe pala serbe, edhe ata të BE-së kanë konfirmuar se delegacioni i Kosovës ka insistuar deri më tash tërë kohën që Kosovës t’i kthehen origjinalet, ndërsa pala serbe ka bërë të ditur se nuk e pranon një gjë të tillë, sepse kjo do të kuptohej sikur heqje dorë nga sovraniteti ndaj territorit të Kosovës. Në fund pala serbe ka dalë këtu si fituese, sepse BE-ja është shprehur se “detyrimi i Serbisë që t’i kthejë origjinalet është jashtë mandatit të BE-së në këtë dialog“.
Ndryshe, kadastrat, telekomi, vulat dhe energjia janë marrëveshjet që priten në takimin e radhës. Këto marrëveshje janë shumë afër përmbylljes dhe në BE pohojnë se aty rreth 20 korrikut edhe mund të formalizohen. Pos këtyre janë hapur në takimin e fundit edhe disa tema të reja, si trashëgimia fetare e kulturore dhe anëtarësimi në nismat rajonale. Dy këto tema vetëm sa janë prekur në takimin e shkuar dhe nuk pritet që të ketë ndonjë lëvizje të madhe për para vjeshtës. /Telegrafi/