E plotësuar - Trungjet akoma qëndrojnë në rrugë, ndërsa qarkullimi bëhet vetëm në një korsi.
Reagimi i serbëve ka ndodhur, siç transmeton “B92”, pas arrestimit të mbrëmshëm të një 24 vjeçari serb. Sipas banorëve, djaloshi – i cili thuhet se është liruar pas arrestimit – është “marrë nga njerëzit me uniforma të zeza dhe maska në kokë”.
Raportuesi i agjencisë “Beta” thotë se në Zupç patrullojnë automjetet e KFOR-it dhe EULEX-it.
Banorët kanë shkuar në shtëpi, por “mbikëqyrin barrikadat në një anë të rrugës”.
Zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Mitrovicës, Besim Hoti, ka thënë për RTK se “polica nuk ka pas asnjë informatë për aksionin e arrestimit dhe ka thënë se është e bllokuar rruga Mitrovicë-Zubin-Potok, te fshat Zupç”.
E plotësuar - Pjesëtarë të KFOR-it thonë se kanë bindur gjatë mbrëmjes të së premtes serbët protestues që të largojnë barrikadën rrugore në fshatin Zupç në veri të Mitrovicës.
Është zhbllokuar barrikada e cila thuhet se ishte vendosur si shenjë kundërshtimi nga serbët ndaj hetimeve lidhur me djegien e pikave kufitare.
“Diskutuam me ta dhe gjatë natës u lirua bllokada rrugore. Ekziston një lloj tensioni atje, kjo është e vërtetë, por është relativisht qetë dhe ka liri të lëvizjes”, ka thënë zëdhënësi i KFOR-it, Hans-Dieter Wicther, transmeton “Rel”.
Pa dhënë detaje për veprimet eventuale të misionit të NATO-s në veri në rast të përkeqësimit të situatës, Wichter theksoi gatishmërinë e misionit për ta menaxhuar gjendjen e sigurisë atje.
“Të jeni të sigurt se kemi mjaft ushtarë për t’u marrë me çfarëdo situate”.
E plotësuar - Serbët mbrëmë kanë vendosur prapë barrikada në rrugën Mitrovicë-Ribariq te Zupçi. Shkak për kthimin e barrikadave në atë vendin që është në rajonin e Zubin-Potokut, është “tentimi i policisë së EULEX-it për ta arrestuar një bashkatdhetar të tyre”.
Në rrugë janë vënë trungje dhe makina që pamundësojnë lëvizjen e automjeteve në rrugën që qon te pika kufitare në Bërnjak.
Sipas agjencisë “Tanjug”, asnjë nga të barrikaduarit nuk ka dashur të thotë se kur do të hiqen pengesat.
Kjo barrikadë është larguar pas marrëveshjes së arritur me komandantin e KFOR-it, Erhard Buhler. Qarkullimi në këtë rajon tash bëhet në rrugë alternative.
Siç transmeton EULEX, në Bërnjak, pos pjesëtarëve të KFOR-it gjerman gjendet edhe policia e EULEX-it dhe ajo e Kosovës. /Telegrafi/