Disa nga deputetët e Partisë së Drejtësisë, të cilët një muaj më parë kishin kërcënuar kryeministrin Hashim Thaçi se nëse nuk i bind deputetët e partisë së tij për të votuar projektligjin për edukatën fetare, do ta braktisin koalicionin, tashmë janë zmbrapsur.
“Kërcënimi” i këtyre deputetëve është neutralizuar nga kreu i qeverisë Thaçi, i cili iu ka dhënë kohë edhe disa muaj deputetëve të PD-së, që kjo çështje të shqyrtohet brenda një komisioni, shkruan “Zëri”.
Nënkryetari i Partisë së Drejtësisë, Amir Ahmeti, i cili ditë më parë kishte kërcënuar se do të ikë nga koalicioni në rast se nuk kalon ky projektligj, duket se premtimet e kryeministrit Hashim Thaçi ia kanë “zbutur” gjakun.
Ahmeti ka thënë se në bazë të premtimeve nga ana e partnerit qeverisës, në këtë rast PDK-së, së pari do të hiqet udhëzimi administrativ i Ministrisë së Arsimit, i cili e ndalon shaminë në shkolla.
“Kemi premtime që do të formohet një komision, që do t’i studiojë disa vende të rajonit dhe evropiane, e i cili duhet të raportojë për këtë në Kuvendin e Kosovës dhe pas raportimit të shikohet mundësia e amandamentimit të projektligjit për edukatën fetare”, ka thënë Ahmeti për “Zëri”.
Sipas tij, nëse nuk realizohet kjo, atëherë ai qëndron prapa deklaratave të mëparshme, që parashikon daljen nga koalicioni qeverisës.
Kreu i BIK-ut, Naim Tërnava, gjatë ligjëratës në namazin e Bajramit akuzoi disa deputetë për fyerje ndaj myslimanëve. Bashkësia Islame e Kosovës, sipas tij, nuk do të jetë spektatore pasive dhe të shikojë se kush më tepër po fyen ndjenjat e myslimanëve në Kosovë.
“Nuk është e drejtë e askujt që islami të fyhet në raport me atë se do të hyjë ose jo lënda fetare nëpër shkolla. E drejtë e çdo anëtari të Parlamentit është që të votojë ligjin ose jo, por nuk është e drejtë e askujt që të fyejë identitetin islam dhe ndjenjën islame. Kjo ka ndodhur dje fatkeqësisht nga disa parlamentarë. Unë i thërras ata që të vetëdijesohen, se ka kaluar koha e komunizmit, kur avancohej ai që fyente ndjenjat fetare”, ka thënë ai
Ai theksoi se Bashkësia Islame e Kosovës, e shtyrë nga mospërgjigjja në kërkesat e saj, do të detyrohet që të ndërmarrë edhe hapa të tjerë dhe sigurisht përgjegjësia do të bie mbi të gjithë ata që fyejnë ndjenjën islame.
Pa reagime nuk ka mbetur as Lëvizja “Bashkohu”, e cila ka vlerësuar se në politikën kosovare ende po mbizotëron mentaliteti komunist i frymëzuar nga ideologjia sllavo-komuniste.
Sipas tij, ajo që ka ndodhur në kuvend, ka qenë një abuzim dhe një manipulim nga koalicioni qeverisës. “Ipeshkvia e Kosovës ka bërë presion te partitë politike që të mos votojnë këtë ligj, derisa në gjithë Evropën kjo e drejtë implementohet”, ka thënë Ramiqi, transmeton “Zëri”.
Ai ka përmendur shumë herë me emra kryeministrin Hashim Thaçi dhe kryetarin e Komunës së Prishtinës, Isa Mustafa. Për të parin ka thënë të ketë qenë shumë mirë i informuar për vendimin e Kuvendit të Kosovës kundër bartjes së shamisë dhe moslejimin e futjes së mësim-besimit nëpër institucionet publike shkollore.
“Kjo ka qenë një marrëveshje e organizuar shumë më përpara”, ka thënë ai, transmeton “Koha.net”.
Për Mustafën Ramiqi ka dhënë një porosi se “toka që po kërkojmë për ndërtimin e xhamisë, në qendër të qytetit, nuk është toka e tij, por e jona”. Ndërsa, vendimin për ndërtimin e një xhamie në një lokacion tjetër ai e ka quajtur “vendim injorant dhe të pamenduar mirë nga Isa Mustafa”.
Për edukatën fetare n shkolla është deklaruar edhe Lëvizja "Vetëvendosje!". Shefi i Grupit Parlamentar të kësaj Lëvizjeje, Visar Ymeri, në emisionin Interaktiv të KTV-së ka thënë se para se të vendoset për fenë, do të duhej që për këtë çështje të hapej një debat shoqëror, që të studiohen vendet e tjera e pastaj të ndodhë votimi në Kuvend.
"Shteti duhet të jetë sekular ashtu siç e parasheh Kushtetuta, por në shkollat publike mund të futet një lëndë për fenë. Pastaj mund të vendoset nëse do të mësohet për një fe apo më shumë dhe me çfarë metodolgjie apo përmbajtje" ka thënë Ymeri, për të shtuar se secili individ do të duhej të ishte i lirë në zgjedhjen e vet se si do të vishet. /Telegrafi/