Problemet mes njerëzve, ngatërresat e ndryshme, që dikur janë zgjidhur nëpër oda, tani e tutje do të do të zgjidhen në bazë të ligjit. Këtë do ta bëjnë ndërmjetësit, të cilit në këtë mënyrë do të kontribuojnë edhe në uljen e numrit të lëndëve nëpër gjykata. Të hënën Ministria e Drejtësisë ka licencuar 87 ndërmjetësit e parë në Republikën e Kosovës.
Zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi ka thënë se synim i tij kryesor ka qenë që brenda këtij mandati ta bëjë funksional institutin e ndërmjetësimit.
Sipas tij, vetë ceremonia zyrtare për licencimin e ndërmjetësve, është dëshmi e fuqishme se institucionet e Kosovës bashkë me partnerët ndërkombëtarë mund të ndikojnë praktikisht dhe pozitivisht në përmirësimin e ambientit, qasjes në drejtësi dhe krijimin e besimit më të madh të qytetarëve për institucionet e drejtësisë, raporton Kosovapress.
“Ne do të përpiqemi që ndërmjetësimin ta mbajmë një nga prioritetet e Ministrisë së Drejtësisë dhe do të ndihmojmë në zbatimin e tij si formë alternative e zgjidhjes së mosmarrëveshjeve. Në këtë formë ne besojmë fuqishëm në sigurimin me qasjen në drejtësi dhe përmirësimin e këtij standardi që buron edhe nga plani i partneritetit evropian, por edhe mundëson që mosmarrëveshjet e palëve të zgjidhen më shpejtë, më drejtë dhe suksesshëm përmes ndërmjetësimit. Për ne ndërmjetësimi është një proces komplementar i gjykatave dhe do t’u ndihmojë institucioneve, në veçanti gjyqësorit të Kosovës që të ulet numri i lëndëve të pazgjidhura dhe të delegohen ato drejtpërdrejt në gjykatë”, ka thënë Kuçi.
Kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Enver Peci ka vlerësuar se puna e ndërmjetësve do të lehtësojë edhe punën e gjykatave, ndërkohë ka thënë se gjykatat në Kosovë kanë nevojë për ngritjen e kapaciteteve në fushën e ndërmjetësimit.
“Ne do të përkrahim ndërmjetësimin dhe referimin e lëndëve në ndërmjetësim në përgatitjen e ndërmjetësve, dhe edukimin e gjykatësve që janë më qenësorë dhe kryesorë në të ardhmen. Gjykatat e Kosovës kanë nevojë për ngritje të kapaciteteve në fushën e ndërmjetësimit ashtu që ta kuptojmë natyrën e ndërmjetësimit, procesin e referimit, parimet dhe procedurën e referimit”, ka thënë Peci.
Ndërkaq Avdyl Hoxha në emër të ndërmjetësuesve, ka bërë apel që tash e tutje ndërmjetësimi të bëhet vetëm në bazë të ligjit.
“Unë vijë prej një familje nga Juniku, Oda e Junikut, e cila është marrë në këtë lëmi, por në një mënyrë krejt tjetër, në mënyrë tradicionale dhe për herë të parë apeloj tek të gjithë ndërmjetësuesit që të gjitha ndërmjetësimet të bëhen në bazë të ligjit të aprovuar në Kuvendin e Kosovës, kurse traditën tonë të mëhershme t’ia lëmë historisë dhe t’ia lëmë punëtorëve shkencorë të merren me atë material”, ka thënë Hoxha.
Në mesin e ndërmjetësuesve, një numër i konsiderueshëm i tyre janëë femra, gjë që sipas ndërmjetësuesi me traditë, Avdyl Hoxha, do të ndikojë pozitivisht në arritjen e rezultateve më të mira në fushën e ndërmjetësimit.