E plotësuar- Katër ushtarë të forcave paqeruajtëse janë plagosur, njëri prej tyre rëndë, ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë, zëdhënësi i forcave paqeruajtëse në Kosovë, Kai Gudenoge.
“Është përkeqësuar situata, katër ushtarë të KFOR-it janë plagosur, njëri prej tyre rëndë, tre të tjerë më lehtë. Ai që është plagosur rëndë do të evakuohet”, ka thënë Gudenoge.
E plotësuar- Mediat raportojnë se numri i të plagosurve serbë ka shkuar në 17, ndërkaq 7 prej tyre mësohet se janë në gjendje kritike.
Po ashtu serbët në veri të Mitrovicës kanë shkatërruar dy makina të EULEX-it, raporton Blic.
E plotësuar- Ndërkaq, mediat serbe raportojnë edhe për të plagosur serbë. Sipas tyre, numri i të plagosurve në Jarinjë ka shkuar në gjashtë, ndërsa ndër të plagosurit thuhet se janë Aco Radunovi, Mladen Antonijevi, Milan Premovi dhe Stevo Petronijevic.
Zëdhënësja e EULEX-it, Irina Gudelevic, citohet të ketë thënë se barrikadat janë të dëmshme për qytetarët dhe ato duhet të hiqen për të lehtësuar qarkullimin e mallrave dhe të njerëzve.
Ajo ka konfirmuar se aksioni i mëngjesit të sotëm i heqjes së barrikadës në Jarinje ka qenë aksion i përbashkët i KF0R-it dhe EULEX-it.
Mediat serbe citojnë zëdhënësen Gudelevic të ketë thënë se EULEX po ndjek situatën, të gjitha opsionet janë të hapura dhe se të gjitha barrikadat duhet të hiqen sa më parë.
Gudelevic ka pohuar se të gjithë doganierët e EULEX-it janë prezentë në të dyja pikat kufitare në veri të Kosovës, të cilat teknikisht janë të gatshme që të jenë operacionale, por se hapjen e tyre e kanë penguar barrikadat e vendosura në rrugët e afërta.
Ajo ka saktësuar se Dogana dhe Policia e Kosovës janë prezentë në të dyja pikat, por dogana dhe policia e EULEX-it ushtron punët operacionale në Jarinje dhe Bërnjak, gjë që është në pajtim mandatin ekzekutiv të misionit të BE-së, transmeton Qik.
E plotësuar-“Ka pasur të shtëna nga armë të vogla zjarri, që kanë ardhur nga turma, nga serbët e mbledhur aty pranë tek porta 1”, ka thënë zëdhënësi i KFOR-it Gudenoge për Evropën e Lirë, duke shtuar se asnjë ushtar i KFOR-it nuk ka pësuar lëndime dhe sulmuesi ende nuk është identifikuar.
Në vendkalimin kufitar Jarinjë para disa minutash janë dëgjuar të shtëna, ndërsa mediat raportojnë edhe për të plagosur serbë. Edhe i ashtuquajturi ministër serb për Kosovën, Goran Bogdanovic ka pohuar se 4 persona janë plagosur rëndë në kufirin e Jarinjës
Në këtë vendkalim janë tubuar më shumë se një mijë persona, njofton Blic. Rreth orës 12.30 për në Jarinje janë nisur serbë nga Mitrovica e Zveçani.
Po ashtu dhjetëra automobila privatë me serbë vendorë kanë mësyrë këtë vendkalim.
Mësohet se KFOR-i ka përdorur gaz lotsjellës për të shpërndarë turmën e serbëve të mbledhur që kundërshtojnë heqjen e barrikadave të tyre. që i kanë vendosur “për të parandaluar vendosjen e doganierëve dhe policëve të Kosovës në dy pikat kufitare në veri të vendit”.
Ndryshe, Beogradi zyrtar i ka quajtur ilegjitime aksionet e KFOR-it për heqjen e barrikadave në veri. /Telegrafi/