Gjenerata e radhës e modelit X3 do të paraqitet këtë vjeshtë në panairin e automjeteve të Parisit, pas së cilit pritet edhe dalja e saj e shpejtë në tregjet evropiane.
Prodhuesi bavarez si një lloj paralajmërimi për ndryshimin e gjeneratave ka publikuar fotografitë e para të këtij automjeti si dhe disa detaje teknike. Po ashtu, merret vesh se çmimi i këtij modeli nuk do të ndryshojë dukshëm nga ai i tanishmi.
Pasi që në fotografi ende gjendet një automjet pjesërisht i maskuar është vështirë të flitet për pamjen e tij përfundimtare, mirëpo është e qartë se koncepti i një SUV-i katror do të mbetet i njëjti së bashku me përshtatjet e pritura të modernizimit.
Shihet edhe se modeli i ri do të jetë pak më i madh sesa paraardhësi i tij, e këtë e vërtetojnë edhe të dhënat e publikuara të cilat flasin për rritjen prej 83 milimetra në gjatësi, 29 në gjerësi dhe 40 milimetra në lartësi, derisa largësia në mes boshteve është zgjatur për 15 milimetra. Në anën tjetër, pesha e përgjithshme e automjetit do të duhej të ulej, në afërsisht 20 deri në 30 kilogramë.
Rritja e dimensioneve më së shumti mund të hetohet në brendësinë e automjetit, në ofrimin e hapësirës për udhëtarë dhe bagazh volumi i të cilit është rritur për 80 litra. Pasi që jemi tek enterieri, personat e mirinformuar me këtë industri thonë se bëhet fjalë për një ngritje të dukshme të kualitetit të përdorur dhe përpunimit përfundimtar.
Prej fillimit në ofertë do të janë dy modele me benzinë si dhe dy me naftë. Bëhet fjalë për motorin X3 xDrive28i 3.0 litërsh atmosferik me gjashtë cilindra dhe 270 kuaj fuqi si dhe atë X3 xDrive35i me version bi-turbo të njëjtit motor - por me 305 kuaj fuqi. Adhuruesit e motorëve me naftë do të mund të zgjedhin në mes të motorit dylitërsh X3 xDrive20d me katër cilindra dhe 185 kuaj fuqi si dhe X3 xDrive30d me motor trelitërsh me gjashtë cilindra dhe 245 kuaj fuqi.
Që të gjithë motorët do të kanë tërheqje në të katër rrotat, derisa fuqitë dhe momentet e rrotullimeve në to do t’i drejtojë marshi mekanik me gjashtë shpejtësi tek modeli i parë me naftë si dhe marshi prej tetë shpejtësish tek pjesa e mbetur e ofertës së mësipërme.
Nga risitë tjera vlejnë të përmenden aerodinamika e avancuar, sistemi i ri i vozitjes dhe të ngjashme. Më vonë pritet që oferta të zgjerohet me version më të fuqishëm të modelit të parë me naftë (205 KF) si dhe modelin ActiveHybrid të cilin do të duhej ta shihnim gjatë vitit 2012.