Uruguai
Shumë pak vende kanë një histori aq të pasur të futbollit si Uruguai. Uruguai një vend me popullatë pak mbi 3 milionë banorë ka një koleksion impresionues të triumfeve në Botërore, Olimpiada dhe në Amerikë të Jugut, një koleksion që e fut në mesin e përfaqësueseve më të suksesshme në futboll. Por, vitet e suksesit të Uruguait janë pjesë e të kaluarës. Uruguai është kualifikuar vetëm dy herë në pesë Botërorët e fundit.
Njeriu që është angazhuar për të përmirësuar rekordin e këtij shteti dhe për të rritur sërish namin e këtij vendi është Oscar Tabarez. Tabarezi gjendet për herë të dytë në postin e trajnerit të Uruguait. Ai e kishte dërguar Uruguain deri në 1/8 e finales në Botërorin “Italia 1990”. “El Maestro” siç njihet në vendlindjen e tij, ka resurset e nevojshme për të arritur objektivën që i është parashtruar – të kaloj fazën grupore. Ai ka një përfaqësuese plotë me lojtarë që luajnë në ligat më të forta evropiane. Skuadra e tij e re synon të befasojë në Afrikë të Jugut dhe me yje si Diego Forlan e Luis Suarez, ka kualitet që së paku të kalohet faza grupore. Kjo do të ishte hera e parë për Uruguain që kalon fazën grupore të një botëror pas dy dekadave.
Rruga deri në Afrikë të Jugut
Njëjtë siç kishte kaluar në vitin 2001 dhe 2005, Uruguai edhe kësaj radhe përfundoi në pozitën e pestë në grupin eliminator të Amerikës së Jugut që përbëhet nga dhjetë përfaqësuese. Kjo pozitë sërish e dërgoi Uruguain në plejof. Mirëpo, ndryshe nga katër vite më parë ku Uruguai në plejof u mposht nga Australia, kësaj radhe arriti të triumfoi në përballje me Kosta-Rikën që kishte përfunduar e katërta në Zonën e Amerikës së Veriut dhe të Mesme. Uruguai fitoi në ndeshjen e parë në Kosta-Rikë me rezultatin 1:0, ndërsa në Montevideo luajti baras 1:1.
Në faën grupore të eliminatoreve, Uruguai kishte shënuar në përgjithësi 28 gola, shifrën më të madhe të golave pas Brazilit dhe Kilit dhe mblodhi 24 pikë. Kjo përformancë ishte gati sa e mjaftueshme për një kualifikim direkt. Kualifikimi direkt do të arrihej sikur në ndeshjen e fundit të fazës grupore, Uruguai të triumfonte në Montevideo kundër Argjentinës. Por, futbollistët uruguajanë pësuan humbje me rezultatin 1:0.
Yjet e përfaqësueses
Ekipi i Uruguait është një kombinim mes futbollistëve të rinj dhe atyre me përvojë. Kjo përfaqësuese udhëhiqet nga mbrojtësi autoritativ Diego Lugano. Lugano pos që njihet si lojtar shumë i mirë defanziv, ai zakonisht kërkon që të ndihmojë edhe sulmin.
Në sulm Uruguai ka dy yje si Diego Forlan e Luis Suarez. Sulmuesi i Atletico Madridit, Forlan ka bërë një karrierë të bujshme në Evropë. Ndërkohë, sulmuesi i Ajaxit, Suarezi është i zënë duke synuar të bëjë emër. Ai e mori shiritin e kapitenit në Ajax pas dy viteve qëndrimi në këtë skuadër. Së bashku kjo dyshe shënoi 12 gola gjatë eliminatoreve.
Trajneri
Oscar Ëashington Tabarez 62-vjeçar, është duke u përgatitur për Botërorin e tij të dytë me Uruguain. Tabarez ishte në krye të Uruguait, kur kjo përfaqësuese u eliminua në 1/8 e finales të Botërorit “Italia 1990”. Tash 20 vite më vonë ai është kthyer sërish në Botëror dhe është duke synuar të arrijë sukses me një përfaqësuese relativisht të re.
Tabarez që njihet si njeri punëtor dhe që flet pak, ka nisur zejën e trajnerit te skuadra lokale Bella Vista dhe më pas te Përfaqësuesja U-20 e Uruguait. Gjatë karrierës së tij të gjatë ai punoi me klubet e mëdha të futbollit si Milan, Boca Juniors e Penarol. Ai u emërua trajner i Uruguait në vitin 2006, duke e zëvendësuar Jorge Fossatin.
Botërorët e kaluar:
- Uruguai do të paraqitet për herë të 11-të në një kampionat botëror.
- Uruguai ka qenë nikoqir i Botërorit të parë në vitin 1930, të cilin edhe e fitoi duke e mposhtur në finale Argjentinën pas penalltive me shifrat 4:2. Po ashtu, Uruguai fitoi Botërorin edhe në vitin 1950 në Brazil.
- Për herë të fundit Uruguai arriti të kaloi në çerekfinale të një Botërori në vitin 1970 në Meksikë. Atëbotë, përfaqësuesja latine përfundoi në pozitën e katërt.
Rekordet
- Uruguai ka fituar dy herë Botërorin: më 1930 dhe 1950.
- Uruguai ka fituar 14-të herë Kupën e Amerikës, ndërsa po ashtu ka edhe dy medalje të arta plimpike nga “Parisi 1924” dhe “Amsterdami 1928”
Deklarata
“Ne është dashur të punojmë shumë për të siguruar kualifikimin, veçanërisht në ndeshjen në Montevideo. Për fat tonin Botërori po mbahet larg nga shtëpia jonë. Unë e di se duhet të përmirësohemi shumë nëse dëshirojmë të arrijmë diçka në Afrikë të Jugut. Por, ne kemi shumë pika të forta dhe shpresoj t’i tregojmë ato”, ka thënë trajneri Oscar Tabarez.
(Marrë nga fifa.com)