Përfaqësuesja e vetme afrikane që kaloi fazën grupore në “Gjermani 2006” dhe e para që siguroi biletën për në “Afrikë të Jugut 2010”, është Gana. Ajo është në presion pasi vlerësohet si shpresa më e madhe e kontinentit afrikan. Edhepse Botërori 2010 do të jetë vetëm paraqitja e dytë e Ganës në ngjarje të tilla, prapë “Yjet e Zinj” kanë patur suksese të konsiderueshme në futbollin ndërkombëtar.
Kanë fituar katër herë Kupën e Afrikës, edhepse asnjëherë që nga viti 1982. Po ashtu, dy herë kanë fituar Botërorin U-17, ndërsa në tetorin 2009 Gana shënoi histori duke u bërë përfaqësuesja e parë afrikane që fitoi Botërorin U-20. Gana e fitoi Botërorin U-20 pasi mposhti në finale Brazilin pas penalltive. Gana ka një përvojë më të madhe që nga paraqitja e parë e saj në vitin 2006. Atëbotë, pësuan nga Italia dhe Brazili, mirëpo mposhtën Çekinë dhe SHBA-n. Gana pritet të jetë rrezik i madh në Botërorin e parë në Afrikë.
Rruga deri në Afrikë të Jugut
Gana e siguroi biletën për në Afrikë të Jugut, duke mbetur e pamposhtur në katër ndeshjet e para të raundit final eliminator. Nuk pranuan asnjë gol në grup, deri në momentin kur pësuan humbje shokuese nga Benini (1:0). Mirëpo, ajo humbje erdhi pasi që Gana e kishte siguruar biletën për në Botëror. Hapin vendimtar për në “Afrikë të Jugut 2010”, Gana e bëri kur triumfoi si mysafire e Malit dhe Sudanit me nga 2:0. Sulmuesi Matthew Amoah shënoi një gol në ndeshjen e parë kundër Malit dhe dy kundër Sudanit. Për ironi Gana pati vështirësi më të madhe në raundin paraprak eliminator. Ganezët dolën në krye të grupit vetëm fal golldallimit më të mirë, pasi patën pikë të njëjta me Gabonin dhe Libinë. Secila prej tyre kishte humbur nga një ndeshje.
Yjet e skuadrës
Edhepse Ganës i mungon forca ofanzive që kanë përfaqësueseset tjera afrikane, prapë forca e ganezëve më shumë qëndron në mesfushë. Mesfusha përbëhet nga lojtar të klasit botëror si Michael Essien. Mesfushori i Chelseat, zakonisht përkrah ka Sulley Muntarin (Inter) dhe Stephen Appiahn. Në sulm operojnë dy nga tre sulmuesit Asamoah Gyan, Junior Agogo e Matthew Amoah. Mbrojta përbëhet nga lojtar të Premier Leagues së Anglisë si John Mensah e John Paintsil, ndërsa në portë gjendet Richard Kingston.
Trajneri
Me largimin e Claude Le Roy-it pas zhgënjimit në Kupën e Afrikës 2008, ku Gana përfundoi para tifozëve të saj në pozitën e tretë, në krye u emërua serbi Milovan Rajevac. Një ish-mbrojtës që bëri karrierë në Jugosllavi, Rajevac më herët zejën e trajnerit e kishte ushtruar te skuadra e njohur serbe Crvena Zvezda dhe te skuadra FK Borac. Madje këtë të fundit e udhëhoqi drejt kualifikimit të parë në një garë evropiane.
Rekordi
- Gana ishte përfaqësuesja më e re që mori pjesë në “Gjermania 2006”. Atëbotë përfaqësuesja ganeze kishte një moshë mesatare prej 24 vjetëve.
- Asamoah Gyan shënoi golin më të shpejtë në Botërorin 2006. Ai shënoi pas vetëm 68 sekondave në fitoren 2:1 kundër Çekisë. Po ashtu, ky ishte edhe goli i parë i Ganës në Botëror.
- Gana humbi në 1/8 e finales në “Gjermani 2006” nga Brazili me rezultatin 3:0, por ishin pa lojtarin kyç Michael Essien, që ishte i suspenduar.
Deklarata
“Kjo skuadër është shumë e urritur që të luaj sërish në Botëror. Lojtarët e mi janë në dijeni se çka mund të arrijnë. Ne kemi kualitetin për të shkuar larg. Jam shumë optimist për të ardhmen”, ka thënë trajneri Milovan Rajevac.
(Marrë nga fifa.com)