talia
Kampionia në fuqi e botës, Italia, natyrisht se është një nga kandidatet kryesore për të fituar titullin në Afrikë të Jugut. Shteti i vetëm pos Brazilit që ka arritur të fitojë Botërorin dy herë radhazi. Djelmoshat e Marcello Lippit do të shikojnë të përsërisin sukseset e parardhësve të tyre që kishin fituar dy botërorë radhazi në vitin 1934 dhe 1938.
Rruga deri në Afrikë të Jugut
“Azzurrët” dolën të parët në Grupin 8 eliminator fal efikasitetit të tyre, edhepse nuk vendosën ndonjë rekord. Italia në total fitoi shtatë ndeshje dhe barazoi në tri të tjera. Shënoi 18 gola dhe pranoi shtatë.
Italia mori pozitën e lideres që nga ndeshja e parë kur mposhti Qipron me rezultatin 2:1. Më pas ata e mbajtën kreun deri në fund. Mirëpo, deri në ndeshjen parafundit ata nuk e patën të sigurt biletën për në Botërorin 2010. Për koinçidencë edhe gjenerata që kishte fituar titullin e botës në vitin 1982 dhe 2006 ishte kualifikuar në ndeshjen e parafundit. Kjo është një shenjë pozitive për “azzurrët”.
Alberto Gilardino përfundoi në krye të golashënuesëve te skuadra e Lippit me katër gola, përfshirë këtu edhe një “hat-trick” që shënoi për më pak se 15 minuta në fitoren 3:2 kundër Qipros.
Yjet e skuadrës
I vlerësuar me vite si njëri prej portierëve më të mirë në botë, Gianluigi Buffon (31) është shtylla kyçe e përfaqësueses. Mbrojtjet e tij spektakolare përfshirë këtu edhe një mbrojtje që bëri kundër Zinedine Zidanet në lojën shtesë të ndeshjes finale kundër Francës në Botërorin 2006, tregon pse Buffon është ende numër një në Përfaqësuesen e Italisë.
Lider tjetër është kapiteni Fabio Cannavaro. Cannavaro ndonëse tash është 36-vjeçar vazhdon të jetë stabil. Ai ishte shpallur lojtari më i mirë nga FIFA në vitin 2006 dhe po vazhdon me përformanca të mira në Juventus. Ai ka 130 paraqitje me përfaqësuesen.
Në mesfushë është i palodhshmi Gennaro Gattuso. 31-vjeçari është ende si motor, luftarak dhe është lojtari që i jep zemër “azzurrëve”. Ai është një njeri që kurrë nuk mund të pajtohet me humbjen.
Trajneri
Një monark në fushën e trajnerëve, 61-vjeçari Marcello Lippi është i njohur për ndërrimet e tij që sjellin rezultate. Hiç më pak se pesë nga 12 golat e Italisë në Botërorin 2006 erdhën nga zëvendësimet e Lippit. Lippi ka fituar thuajse të gjitha në karrrierë. Ky edhe ishte fakti pse ai dha dorëheqjen pasi fitoi titullin e botës me Italinë në vitin 2006. Mirëpo, pas dështimit të “azzurrëve” në Evropianin 2008, atij iu shtrua kërkesa që të kthehej dhe ai e pranoi ofertën.
Ndërtoi mbrojtjen, mesfushën dhe u mundua të freskojë sulmin. Ai nuk i jep shumë vlerë rekordit që ka vendosur prej 31 ndeshjeve pa humbje në përfaqësuese. Ai preferon më shumë tituj se statistika. Natyrisht edhe aftësitë e tij taktike kurrë nuk vihen në dyshim. Përgjatë kualifikimeve ai ftoi hiç më pak se 36 futbollistë, ku Cannavaro dhe Gianluca Zambrotta ishin futbollistët që u shfrytëzuan më së shumti (nga 810 minuta luajti secili prej tyre).
Botërorët e kaluar
Italia është kualifikuar në 16 nga 18 botërorët e futbollit. Dështoi të sigurojë pjesëmarrjen në Botërorin 1958 dhe vendosi të mos marrë pjesë në edicionin e parë në vitin 1930. Italia ka fituar Botërorin katër herë, në vitin 1934, 1938, 1982 dhe katër vite më parë 2006. Po ashtu, përfundoi si nënkampione në vitin 1970 dhe 1994 dhe zuri pozitën e tretë në vitin 1990.
Sukseset
- 4 herë kampione e botës (1934, 1938, 1982, 2006)
- Kampione e Evropës (1968)
- Kampione olimpike (1936)
Deklarata
“Asnjë skuadër nuk është superiore ndaj Italisë. Unë nuk dua të them se ne jemi më të mirë se të gjithë, mirëpo mund të thuani se ne nuk jemi inferior ndaj asnjë skuadre”, ka thënë trajneri Marcello Lippi.
(Marrë nga fifa.com)