Kampioni i botës në fuqi është turpëruar nga Sllovakia me rezultat 2-3, për t’i dhënë fund Kampionatit të sivjetmë Botëror që në fazën grupore.
Sllovakët e nisën sfidën shumë më mirë me kontrollim të lojës që në minutat e para. Pas një hutie në mbrojtjen italiane, Robert Vittek kaloi përfaqësuesen e tij në epërsi (25’).
Në fraksionin e dytë u inkuadrua Andrea Pirlo që ishte dhe katalizator i lojës së italianëve. Në minutën e 67-të, pas një harkimi të bukur në zonë, goditjen e Quaglierallas nga vija e dëboi Martin Skrtel. Topi kaloi vijën, por gjyqtari Howard Webb heshti.
Një pasim të mrekullueshëm të Marek Hamsik e shfrytëzoi për mrekulli Robert Vittek që nga mospërqendrimi i Giorgio Chiellinit shënoi për 2-0 dhe gëzimin e madh në shtabin sllovak (73’).
Në minutat në vazhdim Italia hodhi të gjitha forcat në sulm, me ç’rast u zhvillua ndeshje tejet dramatike. Antonio Di Natale nga një goditje e kthyer nga portieri sllovak shënoi golin e parë për italianët në këtë sfidë (81’). Në tentim për të marrë topin, u krijua një rrëmujë në zonë, kur portieri sllovak e grushtoi Quagliarellan, veprim që u ndëshkua vetëm me karton të verdhë.
Drama vazhdoi dhe në minutën e 85-të, Italisë ii anulua një gol pa të drejtë. Fabio Quagliarella shënoi golin e barazimit për Italinë, por për herë të dytë në këtë sfidë, Azzurëve iu mohua goli, kësaj radhe për shkak të pozitës jashtë loje.
Megjithatë, përkundër presionit të italianëve, Sllovakia e vulosi fitoren historike me anë të Kamil Kopunek që në kontaktin e parë me top, parabolloi portierin Federico Marchetti, pas një pakujdesie në mbrojtjen Azzure.
Pranë rezultatit 3-1 dhe kur të gjithë humbën shpresat, del në skenë Fabio Quaqliarella që me një parabollë mjeshtërore fotografoi portierin sllovak Mucha (90’) dhe vazhdoi dramën e cila nuk dha rezultat në minutat e mbetura shtesë.
Pasi që ndeshja tjetër Paraguai-Zelandë e Re përfundoi me barazim pa gola, Paraguai prin Grupin F me pesë pikë, ndërsa në pozitën e dytë përfundoi Sllovakia me katër pikë. Italia me dy pikë dhe në pozitën e fundit, përshëndetet nga Kampionati Botëror.