Brazili
Nuk ka se çfarë të diskutohet për përfaqësuesen e Brazilit. Vetë fakti se ka fituar pesë herë titullin e botës tregon të gjitha. Për këtë arsye edhe Brazili është favoriti kryesor për të vendosur edhe një yll në fanellën e famshme “Amarelinha” në Botërorin 2010. Duke luajtur për “karekokët” në tre botëror, trajneri Carlos Dunga, është në dijeni se çdo gjë tjetër, pos titullit të gjashtë të botës do të konsiderohet dështim.
Rruga deri në Afrikë të Jugut
Fishkëllimat dhe pakënaqësit e tifozëve, veçanërisht në fillim të fazës eliminatore, kanë qenë dëshmi e mjaftueshme se sa kërkues janë tifozët “kareokë”. Edhepse përfundoi raundin eliminator në krye, me nëntë fitore, shtatë barazime dhe dy humbje, duke e siguruar biletën tri xhiro pa përfunduar eliminatoret, tifozët nuk ishin të kënaqur. Ata ishin më të zhurshëm dhe kritikë veçanërisht pas tri barazimeve rresht pa gola kundër Argjentinës, Bolivisë dhe Kolumbisë.
Mirëpo, “sulmi” i Dungës nisi në prill të vitit 2009, duke shënuar pesë fitore rresht përfshirë këtu dy fitore si mysafir kundër rivalëve: Uruguait 4:0 në Montevideo dhe 3:1 në Rosario kundër Argjentinës.
Yjet e skuadrës
Për të zgjedhur vetëm disa emra nga një shtet që njihet për prodhimin e talentëve nuk është gjë e lehtë. Mirëpo, viti 2009 ka treguar rëndësinë e disa lojtarëve kyç për skuadrën. Duke filluar në gol me Julio Cesarin, duart e tij janë vendimtare për të përmirësuar gabimet e mbrojtjes jo shumë stabile. Triumfi në Kupën e Konfederatave 2009 tregoi për rëndësinë që ka mesfushori brazilian Leite Kaka. Në sulm Luis Fabiano ka vërtetuar se sa shënues i spikatur është, duke shënuar pesë gola përfshirë këtu dy në finale kundër SHBA-së (3:2).
Trajneri
Para se të merrte detyrën e trajnerit në gusht të vitit 2006, Carlos Caetano Bledorn Verri, i njohur si Dunga, ka përjetuar emocionet e Botërorit me Brazilin si lojtar. Ai ishte në mesin e më të kritikuarve për dështimin e Brazilit në “Italia 1990”. Mirëpo, ishte ndër më të lavdëruarit për triumfin fenomenal të Brazilit në SHBA katër vite më vonë. Një mesfushor i fuqishëm dhe lider në fushë. Këto aftësi po i tregon edhe në detyrën e trajnerit. Edhepse posti i seleksionuesit të Brazilit ishte i pari për Dungën si trajner, ai ua ka mbyllur gojën kritikëve me triumfin në Kupën e Amerikës më 2007, Kupën e Konfederatave më 2009 dhe kualifikimin pa shumë telashe në Botërorin 2010 në Afrikë të Jugut.
Rekordet
- Brazili është duke u përgatitur për paraqitjen e 19-të me radhë në botërore. Brazili është shteti i vetëm që ka marrë pjesë në çdo Botëror.
- Po ashtu, Brazili është shteti i vetëm që ka fituar pesë tituj të botës. Ka një bilanc prej 64 fitoreve, 14 barazimeve dhe 14 humbjeve.
- Nga 15 qershori i vitit 2008 deri më 11 tetor të vitit 2009 “kareokët” u futën në një seri prej 19 ndeshjeve pa humbje.
Deklarata
“Duhet të mësohemi të jetojmë me statusin e favoritit. Nuk duhet të lejojmë atë të shëndrohet në gjë negative, siç e kemi lënë në vitet e kaluar”, ka thënë mesfushori brazilian Kaka, pas kualifikimit në Botërorin 2010.
(Marrë nga fifa.com)