Finalistja e Evropianit 2004 dhe gjysmëfinalistja e Botrërorit “Gjermania 2006”, Portugalia, ka treguar një lojë mjaft të mirë në vitet e fundit, ndonëse asnjëherë nuk ka fituar një trofe të rëndësishëm. Portugalia kurrë nuk ka arritur më larg se në gjsymëfinale të një botërori. Këtë synon ta arrijë në Afrikë të Jugut. Trajneri i Portugalisë, Carlos Queiroz është i lindur në shtetin afrikan Mozambik. Ai më herët ka drejtuar nikoqiren e kësaj gare, Afrikën e Jugut dhe kjo mund t’i hyjë në punë. Me talentët në skuadër si Cristiano Ronaldo, Pepe e Deco, Quieroz është në dijeni se pritjet janë mjaft të mëdha.
Rruga deri në Afrikë të Jugut
Portugalia pati një start shumë të dobët në eliminatore. Shënoi vetëm një fitore në pesë ndeshjet e para eliminatore dhe shumë shpejt nga favoritja për të fituar grupin ishte pranë eliminimit. Mirëpo, pjesa e dytë e eliminatoreve solli një rikthim spektakular te portugezët. Shënuan tetë gola dhe nuk pranuan asnjë në katër ndeshjet e fundit dhe e siguruan pozitën e dytë dhe të drejtën për të luajtur në barazh. Përkundër mungesës së yllit Cristiano Ronaldo në ndeshjet e barazhit, prapë Portugalia arriti të fitoi dy ndeshjet kundër Bosnjë-Hercegovinës dhe nxorri biletën për në Botërorin 2010.
Yjet e skuadrës
Tifozët me shumë ngulm presim shpërthimin e Cristiano Ronaldos në Botërorin 2010. Futbollisti më i mirë i vitit 2008 gjatë eliminatoreve nuk arriti të tregojë veten dhe dështoi të shënoi gol në shtatë paraqitjet e tij. Mirëpo, ylli i Real Madridit ka aftësi që të rrisë nivelin e lojës kur është më e nevojshme dhe në “Afrikë të Jugut 2010” pritet të shkëlqejë.
Po ashtu, edhe në mbrojtje Portugalia ka mjaft potenciale. Bruno Alves pritet të sjellë forcë në luftën në ajër, ndërsa përkrah ka mbrojtësin me përvojë të Chelseat, Ricardo Carvalho. Pepe është në dyshim për shkak të një lëndimi të gjurit, ndërsa po ashtu do të vërehet mungesa e Jose Bosingwas. Në mesfushë pritet të shkëlqejnë “veteranët” Simao e Deco.
Trajneri
Carlos Queiroz vlerësohet si më meritori për daljen e “Gjeneratës së Artë” të Portugalisë. Ai i udhëhoqi lojtarët si Luis Figo, Rui Costa e Fernando Couto, drejt dy titujve rresht të botës te grupmoshat e reja (1989 dhe 1991).
Në nivelin senior Queiroz gëzoi sukses të madh si ndihmëstrajner i Sir Alex Fergusonit. Ai një pjesë të madhe të karrierës ishte ndihmës në Manchester United, ndërsa pati edhe një periudhë të shkurtër dhjetë mujore si trajner i Real Madridit.
Në krye të Portugalisë erdhi pas “Euro 2008” duke e zëvendësuar Luis Felipe Scolarin. Në fakt kjo është hera e dytë që Queiroz po drejton përfaqësuesen seniore të Portugalisë. Ai e udhëhoqi përfaqësuesen nga viti 1991 deri në vitin 1993, duke dështuar të kualifikohej si në “Euro 1992” sikurse edhe në Botërorin 1994.
Botërorët e kaluar
Portugalia arriti shumë larg në Botërorin e saj të parë në vitin 1966. Në atë botëror përfundoi në pozitën e tretë dhe “Këpucën e Artë” e fitoi Eusebio. Ajo përformancë mbetet më e mira për Portugalinë deri më tash.
Portugalia dështoi të kalonte fazën grupore në Botërorin 1986 dhe 2002, ndërsa “Gjermania 2006” ishte Botërori ku portugezët u kthyen në formë. Shënuan fitore në të tri ndeshjet e fazës grupore, më pas mposhtën përfaqësuese si Holanda e Anglia duke u kualifikuar në gjysmëfinale. Në gjysmëfinale u dorëzuan me rezultatin 1:0 përballë Francës. Po ashtu, portugezët e humbën nga Gjermania edhe në luftën për vendin e tretë. “Afrika e Jugut 2010” do të jetë botërori i pestë për Portugalinë.
Deklarata
“Portugalia është kandidate për të fituar trofeun. Kemi lojtarë të mëdhenj dhe besoj se kemi aftësi të arrijmë larg. Është një moment unik për të treguar të gjithë veten”, ka thënë braziliani i natyralizuar, Liedson.
(Marrë nga fifa.com)