Hondurasi është kualifikuar në Botëror vetëm për herë të dytë. Kualifikimin në “Afrikë të Jugut 2010” e arriti në mënyrë dramatike dhe kjo fal ndihmës që mori nga SHBA-ja. SHBA-ja shënoi gol në sekondat e fundit në sfidën kundër Kosta-Rikas, duke barazuar me rezultatin 2:2, ndërsa me këtë ia siguroi biletën Hondurasit. Edhepse Hondurasi me shumë vështirësi u kualifikua, prapë skuadra e trajnerit Reinaldo Rueda, nuk do të jetë në Afrikë të Jugut vetëm si numër.
Rruga deri në Afrikë të Jugut
Djelmoshat e Ruedas e mposhtën Puerto-Rikon 6:2 pas dy ndeshjeve, duke u kualifikuar kështu në raundin e parafundit kualifikues në zonën e Amerikës së Veriut dhe të Mesme. Në atë zonë arriti të kaloi grupin me skuadra si Meksika, Xhamajka dhe Kanada. U kualifikua për në raundin finale.
Raundin final e nisi mjaft dobët. Pësoi nga Kosta-Rika me rezultatin 2:0, ndërsa barazoi me Trinidadin & Tobagon 1:1. Më pas erdhi një fitore 3:1 kundër fuqisë së kësaj zone Meksikës. Kjo e ktheu Hondurasin sërish në lojë për një biletë. Mposhti El Salvadorin (1:0), Kosta Rikan (4:0), Trinidad & Tobagon (4:1), ndërsa pësoi nga SHBA-ja 2:1 dhe Meksika 1:0.
Lëshimi i Kosta-Rikës kundër SHBA-së dhe fitorja e Hondurasit me rezultatin 1:0 kundër El Salvadorit, ia siguroi Hondurasit pjesëmarrjen në Botërorin 2010.
Yjet e skuadrës
Edhepse ka disa emra të mëdhenj që luajnë në ligat e Evropës, prapë lojtar kyç i Hondurasit, në eliminatore ishte 36-vjeçari Carlos Paon. Pikërisht ai shënoi golin e fitores kundër El Salvadorit, duke ia nxjerr biletën Hondurasit për në Botërorin 2010. Hondurasi posedon lojtarë mjaft të talentuar si David Suazo, Wilson Palacios, Julio Leon e Amado Guevara. Pavon po ashtu kishte bërë një karrierë të madhe në Evropë, mirëpo dëshira e tij tash është që të përfundojë karrierën në përfaqësuese me një Botëror të suksesshëm.
Trajneri
Gjithmonë eliminatoret për kampionate botërore kishin qenë tmerr për Hondurasin. Hondurasi në shumicën e tyre ishte futur si favorite për të siguruar biletën, mirëpo gjithmonë dështonte në momentet e fundit. Kështu vazhdoi të jetë deri kur erdhi kolumbiani 42-vjeçar, Rueda.
Rueda e mori postin e trajnerit të Hondurasit në vitin 2007 dhe tregoi profesionalizëm. Ai e shpagoi besimin që treguan zyrtarët e futbollit të këtij vendi për të, duke e nxjerr biletën në Botërorin 2010 dhe duke treguar lojë të bukur e ofanzive me mbrojtje stabile.
Botërorët e kaluar
- Hondurasi rikthehet në Botëror pas 28 viteve. Herën e parë ishte paraqitur në “Spanja 1982”.
- Në “Spanja 1982”, Hondurasi atëbotë nën drejtimin e trajnerit Jose de la Paz befasoi duke nxjerr dy barazime 1:1, kundër Spanjës dhe Irlandës së Veriut, para se të pësonte ngushtë në ndeshjen e tretë të grupit kundër Jugosllavisë (1:0.
- Shënuesit e vetëm në Botëror për Hondurasin janë Hector Zelaya dhe Antonio Laing.
Rekordet
- Para se të pësonte nga SHBA-ja me rezultatin 3:2 në San Pedro Sula, Hondurasi ishte futur në një seri prej tetë ndeshjeve pa disfatë në shtëpi.
- Hondurasi pësoi vetëm 11 gola në raundin final eliminator, duke treguar se ka mbrojtjen më të mirë në këtë zonë.
- “Veterani” Carlos Pavon ishte shënuesi më i spikatur i Hondurasit në eliminatore. Ai shënoi shtatë gola në nëntë ndeshje.
Deklarata
“Askush nuk mund ta besonte. Loja jonë përfundoi dhe ne ishim të gjithë të zhgënjyer. Më pas dëgjuam brohoritjen e tifozëve dhe kuptuam se SHBA-ja kishte barazuar rezultatin kundër Kosta-Rikas. Ne jemi shumë të lumtur që do të luajmë në Afrikë të Jugut dhe nuk do t’i zhgënjejmë njerëzit që besonin tek ne”, ka thënë sulmuesi i Hondurasit, Carlos Pavon, me të siguruar biletën.
(Marrë nga fifa.com)