Presidenti i Hondurasit shprehu gatishmërinë e tij që të vazhdojë ta ndihmojë Kosovën në procesin e njohjeve tek vendet e Amerikës Qendrore. Ai tha se do të angazhohet që Kosova të njihet së shpejti nga Republika Dominikane.
Ai tha se do të angazhohet që Kosova të njihet së shpejti nga Republika Dominikane. Presidenti Lobo Sosa tha se vendet e Amerikës Qendrore kanë bashkëpunim të mirë mes vete dhe bëri me dije se në kuadër të delegacionit që po viziton Kosovën ka edhe përfaqësues të shtetit të Salvadorit.
Presidenti Lobo Sosa tha se zhvillimi i marrëdhënieve mes Kosovës dhe Hondurasit është i rëndësishëm dhe u angazhua për ndihmë Kosovës në të gjitha fushat. Ai i bëri ftesë Presidentes së Kosovës që ta vizitojë Hondurasin.
Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, ka deklaruar se e ka uruar mirëseardhje presidentit të Hondurasit dhe e ka vlerësuar kontributin e tij për Kosovën në procesin e njohjeve. Presidentja Jahjaga tha se Republika e Kosovës është një vend Evropian që perspektivën e saj e sheh në anëtarësimin në BE dhe në NATO dhe kjo rrugë tha Presidentja, nuk ka alternativë. “Me Presidentin e Republikës së Hondurasit, zotëri Porfirio Lobo Sosa, patëm një bisedë të mirë dhe konstruktive. I shpreha falënderimet e mia për lobimin dhe për njohjet, dhe për angazhimin e tij personal për Republikën e Kosovës. Presidentin e Hondurasit, duke i dëshiruar mirëseardhje për vizitën në Republikën e Kosovës, e njoftova për synimet e Republikës së Kosovës për t’u bërë vend anëtar i OKB-së dhe vend i Bashkimit Evropian dhe i NATO-s”, theksoi Jahjaga.
Gjithashtu, ajo tha se biseduan për marrëdhëniet bilaterale dhe për mundësitë e bashkëpunimit ekonomik dhe bashkëpunimi në shtet-ndërtim dhe në avancimin e proceseve demokratike, tha Presidentja Jahjaga. “Biseduam edhe për procesin e dialogut ndërmjet Republikës së Kosovës dhe të Republikës së Serbisë që po mbahet në Bruksel me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian. E njoftova se pavarësia e Kosovës është proces i pakthyeshëm që ka sjellë paqe dhe stabilitet në rajon, se sovraniteti integriteti territorial dhe rregullimi i brendshëm i vendit janë çështje të panegociueshme, ndërsa dialogu ndihmon në përmirësimin e jetës dhe të punës së qytetarëve të të dyja vendeve, në relaksimin e marrëdhënieve dhe në zgjidhje të çështjeve praktike”, tha presidentja Jahjaga. /Telegrafi/