Prishtinë, 25 qershor - Deputetët e opozitës në Kuvendin e Kosovës, hyrjen e pjesëtarëve të “Gardës së Car Lazarit” në territorin e Kosovës e kanë quajtur falimentim institucional, shkelje të Kushtetutës dhe fyerje për shtetin dhe institucionet e saj.
Ata këto vlerësime i bënë në seancën e sotshme të Kuvendit të Kosovës, në të cilën po shqyrtohen disa projektligje.
Dje një grup prej 30 serbëve të vetëquajtur “Garda e Car Lazarit”, ka hyrë në pikën kufitare në Jarinje të Leposaviqit duke u futur me dhunë në territorin e Kosovës. Pohohet se policia kufitare me këtë rast ka kërkuar ndihmë nga Policia e Kosovës dhe ajo e EULEX-it, që t’i zbraps këta, ndërkohë që raportohet se ishin të armatosur.
Naser Rugova, deputet nga radhët e Lidhjes Demokratike të Dardanisë (LDD), tha se hyrja e kësaj garde në pikë të ditës, në kohën kur për siguri janë përgjegjës Policia e Kosovës dhe ajo e EULEX-it, është fyes dhe menjëherë vjen pyetja se kujt i shërben kjo qeveri dhe për kë punon.
Nëse një grup i tillë njerëzish hyn në territorin e vendit në pikë të ditës, atëherë çfarë mund të bëhet natën me kontrabanda e krime të ndryshme, pyeti Rugova.
“Edhe miqtë tanë ndërkombëtarë po na thonë kohëve të fundit që në Kosovë nuk ka siguri për biznes. Kjo çështje nëse ju duket humor Qeverisë që në pikë të ditës hyjnë njerëz të tillë atëherë (shtrohet pyetja) deri kur më kështu. Kjo nuk është qeverisje...nuk e di si keni fytyrë të dilni para popullit dhe të flisni për fontanë dëshirash”, tha ai.
Edhe Ibrahim Gashi nga Aleanca Kosova e Re (AKR), kërkoi nga Qeveria që të jetë më dinamike në punën e saj dhe të punojë në të mirë të qytetarëve të vendit, e jo siç tha ai të ketë zhvillime negative.
Ndërkaq, Melihate Tërmkolli nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), duke i referuar çështjes së regjistrimit të popullsisë, tha se Qeveria jonë jo vetëm që keqmenaxhon por është edhe shumë e padijshme.
Ndryshe, Kuvendi gjatë punës në seancën e sotme ka në rend të ditës shqyrtimin e parë të disa Projektligjeve dhe plotësimin e tyre, sikur edhe shqyrtimin e dytë të disa të tjerave.