Infeksionet brendaspitalore
Infeksionet intrahospitalore (brendaspitalore) definohen si sëmundje të cilat zakonisht zhvillohen brenda 48 orëve të qëndrimit në spital, e që më parë nuk kanë ekzistuar e as nuk kanë qenë në fazën e inkubacionit në momentin e pranimit në spital.
Dr. Rexhep R. Gjyliqi MD,
Specialist i Anesteziologjise dhe Mjekimit Intenziv
Infeksionet intrahospitalore paraqiten te 5-10% e të sëmurëve të hospitalizuar.
Sa janë të shpeshta
Shpeshtësia dhe llojet e këtyre infeksioneve varen nga shumë faktorë:
lloji i spitalit, gjendja imunologjike e të sëmurëve, higjiena në spitale, përgatitja e personelit, doktrinat mbi përdorimin e antibiotikëve për qëllime preventive dhe kurative, etj. Paraqitja e infeksioneve nosocomiale komplikon rrjedhën e sëmundjes primare (rrit morbiditetin dhe mortalitetin), zgjat kohën e mjekimit dhe rrit koston.
Shkaktarët
Shkaktarë të infeksioneve intrahospitalore mund të jenë gati të gjithë mikroorganizmat (bakteret, viruset, myshqet).
Llojet e baktereve shkaktare të infeksioneve me kohë kanë pësuar ndryshime, varësisht nga lloji i antibiotikëve të aplikuar dhe procedurat agresive diagnostike dhe terapeutike që shkaktojnë lezione (dëmtime të integritetit) të mukozës dhe lëkurës. Këto baktere krijojnë rezistencë ndaj antibiotikëve dhe mjeteve dezinfektuese. Shkaktarët më të shpeshtë janë:
Escherichia coli, Staphilococcus aureus (posaçërisht llojet meticilin rezistente), Enterococcus sp., Pseudomonas aeruginosa, Acinetobacter spp., Klebsiella pneumoniae, Proteus mirabilis etj.
Paraqitja e llojeve te reja te viruseve, ndryshimi epidemiologjik i disa lloj infeksioneve virale, paraqitja e rezistencës në disa barna antivirale, rritja e numrit te të sëmurëve të imunosuprimuar dhe përparimi i diagnostikës, kanë ndikuar në rritjen e numrit dhe rëndësisë së infeksioneve intrahospitalore. Viruset shkaktojnë rreth 1-5% të infeksioneve në pavionet kirurgjike dhe gjinekologjike, 35% në ato pediatrike dhe 77% në pavijonet psikiatrike. Disa lloje të viruseve, si ai i hepatitit B dhe atij C, paraqesin rrezik për personelin shëndetësor derisa lloje tjera për të gjithë ata që ndodhen në spitale.
Tek te sëmurët e hospitalizuar infeksione shkaktojnë edhe myshqet, si, Candida albicans, Aspergillus sp., Candida crusei etj. Shpeshtësia e infeksioneve në spitale të shkaktuara nga myshqet është rreth 25-30% te të sëmurët me organe të transplantuara dhe ata me leukemi, kurse 5% te të sëmurët me tumore solide. 10-15% e septikemive në spitale janë pasojë e kandidemisë nosocomiale. Këto infeksione kanë vdekshmëri mjaft të lartë.
Prejardhja
Infeksionet intrahospitalore mund të jenë endogjene dhe ekzogjene.
Infeksionet endogjene shkaktohen nga mikroflora e vet të sëmurit.
Infeksionet ekzogjene vijnë nga mikroorganizmat, nga ambienti spitalor (të sëmurët tjerë, personeli shëndetësor, vizitorët, hapësira spitalore, instrumentet dhe pajisjet mjekësore.
Rrugët e përhapjes
Bartja e agjentit (shkaktarit) infektiv mund të bëhet me rrugë aerogjene dhe fekalo-orale. Por, specifike e infeksioneve brendaspitalore është bartja përmes procedurave diagnostike (endoskopia, punkcioni lumbal, biopsia), përmes aplikimit të terapisë (plasimi i katetereve, tubusave, ventilimi mekanik), hemodializa, transplantimi i indeve dhe organeve, transfuzioni i gjakut dhe derivateve të tij.
Llojet e infeksioneve
Infeksionet më të shpeshta janë infeksionet e traktit urinar, me rreth 40%, të traktit respirator, 20% , plagës pas operacionit 16% etj.
Të dhënat e mjekësisë moderne tregojnë se spital pa rrezik për këto lloj infeksionesh, praktikisht nuk mund të ketë, si dhe, është e pamundur çrrënjosja e tyre, por programet e prevencës (parandalimit) të organizuara mirë, mund të zvogëlojnë shkallën e infeksioneve intrahospitalore.