Menyja e kësaj diete bazohet në përpilimin e cikleve të llojit të veçantë, të cilët përfshijnë ditë me shumë dhe pak karbohidrate. Çdo ditë parashihen nga tri shujta, kurse një herë në javë, në “shujtën e lirë” mund të hani çka t’u dojë shpirti, por vetëm gjatë një ore.
Dieta bazohet në konceptin se duhet krijuar aso rrethanash, që organizmi vetë ta djegë dhjamin, sikur ai të ishte burim primar i energjisë. Duke ndërruar ditët gjatë të cilave konsumojmë shumë karbohidrate, me ditët gjatë të cilave konsumojmë pak ushqime të tilla, arrihet efekti që organizmi të mos e ruajë pjesën e tepërt të yndyrave. Karbohidratet e gabuara janë shkaktari kryesor i lodhjes dhe mund të shkaktojnë përgjumje pas marrjes së ushqimit.
Karbohidrate të mira janë: patatet, orizi i bardhë dhe ai integral, makaronat, misri, buka integrale e grurit dhe pemët. Rëndësi të madhe kanë edhe proteinat dhe yndyrat e shëndetshme. Sasia e mjaftueshme e proteinave në secilën shujtë, është kyçe për mbajtjen stabile të nivelit të sheqerit (glukozës) në gjak dhe për furnizimin e vazhdueshëm dhe të njëtrajtshëm të organizmit me energji gjatë tërë ditës.
Shembull i menysë së kësaj diete
Një ditë me sasi të vogël të karbohidrateve
Kafjalli: omëletë nga të bardhët e vezëve, djathi dhe perimet e grira imtë.
Dreka: një sallatë të madhe me mish tuni, perime sezonale dhe me një lugë vaj ulliri.
Darka: mish lope pa dhjamë, me salcë nga brokoli dhe kikirikët.
Një ditë me sasi të madhe të karbohidrateve
Kafjalli: sallatë pemësh me jogurt, bukë integrale të thekur, të lyer me mjaltë.
Dreka: gjoks gjeldeti me patate të pjekura, sallatë e gjelbër me salcë që përmban pak yndyrë
Dreka: gjoks pule, makarona nga drithërat integrale dhe kungulleshka të pjekura.
Darka: pemë të freskëta
Ushtrimet: Personat që mbajnë këtë dietë më së miri është që, sa i përket aktivitetit fizik, të ecin shumë, apo të ushtrojnë me ngritjen e peshave, me ç’rast rritet metabolizmi i muskujve. Të dobishme janë edhe ushtrimet ku aplikohet rezistenca.
”Shujta e lirë”
Kjo dietë mund të ndihmojë në zvogëlimin e nevojës për ushqim dhe të vartësisë nga karbohidratet. Një herë në javë, e ashtuquajtura ‘shujta e lirë’ ndihmon në uljen e stresit, i cili vjen nga fakti se jeni duke mbajtur një dietë të rreptë.
Mund të përshtatet edhe për vegjetarianë
Nëse kjo dietë ka anë negative, atëherë mund të thuhet se ana kryesore negative e saj është se ka një kosto relativisht të madhe dhe kërkon shumë kohë për t’u përgatitur, meqë preferon ushqime jo të përpunuara. Të dhënat tregojnë se, me anë të kësaj diete, mund të humbni rreth 5-6 kilogramë në muaj. Po ashtu, përpos nivelit të sheqerit në gjak, kjo dietë rregullon edhe shtypjen e gjakut, me ç’rast është parë se personat me shtypje mesatare të gjakut 150/100 mm Hg, u është rreth tre muaj që të arrijnë vlerën normale të shtypjes së gjakut, prej 120/70 mm Hg.